Pas marshimit nga Fieri në Tiranë, naftëtarëve u premtohet paga e nëntorit

774
Ministria e Energjetikës “lan” duart nga përgjegjësia, ia kalon privatit, ndërkohë naftëtarët janë irrituar teksa protestonin para godinës
Mëngjesin e së mërkurës rreth 200 naftëtarë të uzinës naftë-nxjerrëse të ARMO-s në Ballsh, u nisën në këmbë drejt kryeqytetit. Objekti i këtij marshimi ishte i qartë. Prej më se dy javësh ishin hedhur në protestë për të kërkuar të drejtat e tyre, kryesisht pagën e muajit nëntor si dhe siguracionin. Por kërkesa e tyre në Ballsh nuk mori asnjë përgjigje. Për këtë qëllim ata u detyruan të nisen drejt Tiranës dhe të protestojnë para Ministrisë së Energjetikës. Dje paradite, pas grumbullimit dhe nisjes së protestës, Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, kërkoi takim me naftëtarët. Një përfaqësi prej gjashtë punonjësish, si dhe kreu i sindikatës Kol Nikolla dhe kreu i Sindikatave të industrisë, Taf Koleci, takuan ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe deputetin e zonës, Ismet Beqiri. Takimi zgjati rreth një orë, por fillimisht nuk pati dakordësi mes tyre. Në takim u thirr edhe pronari i ARMO, Besnik Sula. Ky i fundit u premtoi shlyerjen e pagave ditën e sotme, por kjo u kundërshtua fillimisht pasi pretendonin që pagat t’i merrnin që dje. Diskutimet ishin të shumta. Naftëtarët pas diskutimeve të shumta dhe premtimeve që morën nga pronari i ARMO, u larguan drejt Fierit, ndërsa u shprehen se në rast të mosmarrjes së pagave ditën e sotme, udhëtimi i tyre drejt Tiranës do jetë i shpejtë. Pas vendimit marrë brenda në zyrën e Gjiknurit, pati edhe mosmarrëveshje mes protestuesve. Ata u përplasën edhe me policinë, teksa kishin bllokuar një pjesë të rrugës, duke mos lejuar kalimin e automjeteve. 

Përplasja me deputetin e zonës
Për të qetësuar situatën në mesin e naftëtarëve shkoi edhe deputeti socialist i Mallakastrës, Ismet Beqiri. Por protestuesit fillimisht nuk e pranuan. Madje dikush prej tyre i tha “Haram e paçi votën tonë!”. Pavarësisht asaj që ndodhi, deputeti arriti të flasë me naftëtarët. Ai tha se naftëtarët kanë të drejtë në kërkesat e tyre për shlyerjen e pagave të prapambetura. Teksa foli me naftëtarët ai deklaroi se e njihte mirë punën e tyre dhe pajtohet me hallet dhe shqetësimet. “Në situatën aktuale, ramë dakord për pagesën, që pagesat kompania do t’i paguajë ditën e nesërme. Edhe unë që po flas jam një nga naftëtarët, kam punuar me turne edhe unë. Edhe unë po të isha në vendin e tyre, këtu do isha dhe brenda ditës së nesërme nëse kompania nuk bën ekzekutimin e pagave edhe unë si përfaqësues i popullit do jem mes tyre”.
Takimi me Ministrin e Energjetikës Damian Gjiknuri 
Ministria e Energjetikës pas takimit zhvilluar në ambientet e saj me naftëtarët dhe përfaqësuesit e sindikatave, ka dhënë detaje të hollësishme. Në takim ishin ministrat Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj. Me kërkesë të Sindikatës së Naftëtarëve, në takim u ftua dhe mori pjesë edhe administratori i kompanisë private IRTC, i cili garantoi përfaqësinë e punonjësve, se brenda ditës së sotme do të paguajë pagën e plotë të muajit Nëntor. Po cilat ishin kërkesat e bëra nga përfaqësuesit e naftëtarëve dhe ata të sindikatës së tyre?” . Kërkesat ishin katër:

1. Kryerja e pagesës për muajin Nëntor;
2. Sqarimi i problematikës në lidhje me përfitimin e statusit të naftëtarit;
3. Krijimi i infrastrukturës shëndetësore për trajtimin e sëmundjeve profesionale në Qarkun e Fierit;
4. Gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike për të ardhmen e rafinerisë. 
Ndërkohë nga ana e tyre ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj nuk morën përgjegjësitë, ndonëse në vitin 2016, qeveria deklaroi se ARMO ishte kompani me fitime dhe se ajo dilte garant për punonjësit e saj. Sipas Gjiknurit, rafineria është tanimë një ndërmarrje në pronësi e përgjegjësi private e, për pasojë, është detyrim ligjor dhe kontraktual i punëdhënësit privat të respektojë të gjitha detyrimet sipas legjislacionit në fuqi. Më pas ai shtoi se institucionet shtetërore, duke marrë parasysh problematikën e parashtruar nga qytetarët e Bashkisë së Ballshit, por edhe shqetësimet e bëra publike nga Sindikata e Naftëtarëve, janë angazhuar me seriozitet të plotë dhe në mënyrë të vazhdueshme që nga njëra anë, punëdhënësi privat të plotësojë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj punonjësve dhe, nga ana tjetër, të drejtat e punonjësve të garantohen sipas ligjit 
Pronari i ARMO në takim
Me kërkesë të Sindikatës së Naftëtarëve, në takim u ftua dhe mori pjesë edhe administratori i kompanisë private IRTC, i cili garantoi përfaqësinë e punonjësve se brenda ditës së premte do të paguajë pagën e plotë të muajit Nëntor. Ndërkohë ai tha se për pikat e tjera do të punohet, duke mos dhënë asnjë garanci. Për sa i përket të ardhmes së kësaj rafinerie dhe sektorit të përpunimit të naftës në përgjithësi, ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj i bënë edhe një herë me dije përfaqësisë së punonjësve, se rafineria është në pronësi private, por institucionet shtetërore do të shohin mundësinë e thithjes së investitorëve seriozë në sektorin e përpunimit, në mënyrë që kjo industri të ketë një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Ngritja e një pavioni të posaçëm në Spitalin Rajonal Fier
Në të njëjtën kohë, kërkesës së punonjësve për ngritjen e një pavioni të specializuar për sëmundjet profesionale të naftës në Spitalin e Fierit, ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj iu përgjigjën me garancinë, se plani i investimeve në sektorin e shëndetësisë në Qarkun e Fierit do të përmbajë edhe këtë prioritet. Palët ranë dakord për të qëndruar në kontakt të vazhdueshëm dhe komunikim të drejtpërdrejtë në ditët në vijim, me shpresën e një zgjidhjeje sa më të mirë dhe afatgjatë. 
Çfarë u tha nga qeveria në vitin 2016?
Në shtator të vitit 2016, Kryeministri Edi Rama e quajti marrëveshjen për rivënien në punë të ARMO-s një sukses që zgjidhte përfundimisht krizën e rafinerisë. Sipas marrëveshjes, ARMO u mor me qira nga IRTC, një kompani e regjistruar në parajsën fiskale të ishujve “Vergin”. 

“Investitorë amerikanë shumë seriozë kanë marrë përsipër vazhdimin e punës, përmirësimin rrënjësor të kushteve dhe unë kam shumë besim se situata do të ndryshojë”, ishte shprehur Rama më 2 shtator 2016. Por situata nuk ndryshoi. Një raport zyrtar i ministrisë së financave për Kuvendin, tregon se, vetëm për periudhën janar-shtator të këtij viti, IRTC ka krijuar mbi 30 milionë euro borxhe ndaj tatimeve. Sipas doganës, për dhjetë muajt e parë të vitit, ARMO ka prodhuar dhe shitur në tregun vendas 156 mijë ton naftë, duke arkëtuar mbi 220 milionë euro. Nga këto para, 100 milionë euro duhet të ishin paguar si taksa në shtet për akcizën, taksën e qarkullimit dhe TVSH-në. Por sipas dokumenteve rezulton se ARMO ka paguar vetëm akcizën në masën 50 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër është shmangur.
Sigal