Ngec kredia për pasuritë e paluajtshme

217
Të dhënat e sektorit bankar për vitin e shkuar tregojnë një nivel thuajse të pandryshuar të tepricës së kredisë për pasuri të paluajtshme, të shoqëruar me rënie të lehtë të normave të interesit të kësaj kredie dhe përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së saj, Raporti i kredive me probleme në këtë sektor ra në 7%, nga 8.3 % në qershor të 2017 dhe 8.8 % një vit më parë. Teprica e kredisë për ndërtim ka shënuar rritje me 2 % kundrejt muajit qershor 2017, por ra me 1 % ndaj një viti më parë. Pesha e kësaj kredie zë 14 % të tepricës së kredisë së bizneseve, dukshëm poshtë nivelit prej 20 % të regjistruar në harkun kohor 2007-2011. Në fund të periudhës, bankat raportuan një rritje minimale të kredive të kolaterizuara me pasuri të paluajtshme, në nivelin 50.5 % nga 50 % gjashtë muaj më parë. Brenda kësaj ndarjeje, 63 % e kredisë për individë dhe 46 % për biznese. Norma mesatare e ponderuar e interesit për kredi të pasurive të paluajtshme shënoi 4.4 % me rënie të lehtë gjatë periudhës, në linjë me prirjen e viteve të fundit. Edhe në vrojtimin e fundit të Bankës së Shqipërisë për standardet e kreditimit u konstatua një pesimizëm i bankave për kredinë për pasuri të paluajtshme. Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të vrojtimit të kredisë pohoi se në tremujorin e parë të vitit 2018, standardet e kreditimit për individët u raportuan të shtrënguara, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë për konsum. Standardet e kreditimit priten të mbeten të shtrënguara edhe në tremujorin e dytë të vitit, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe atë për financimin e konsumit. Në vrojtimin për kredinë në tremujorin e parë të 2018 bankat tregtare pohuan se kanë shtrënguar kushtet për kreditimin e individëve për shkak të zhvillimeve në pasuritë e paluajtshme. Këto zhvillime bashkë më përkeqësimin e gjendjes financiare të individëve ishin dy faktorët themelore që dhanë balancat më të larta negative ne shtrëngimin e kushteve të kreditimit për individët.