Mirë se erdhe midis nesh, o hashash, o xhan!

356
Ismail H. Xhaferri 
Dikur nuk të njihnim fare,
O hashash o xhan!
Fushat i mbillnim me misër,
Spec e patëllxhan.
Emrin s’ta kishim dëgjuar,
More kapedan!
Ishim fare budallenj
Dhe mbillnim duhan.
Po ti rëndë midis nesh,
Si dallga mbi rërë,
Se je kryekomandant,
Se je mbi të tërë.
Po ti erdhe dhe na zgjove,
Rënd’ e avash-avash,
Shumë shtëpi e shumë lokale,
Të bënë: Dollibash.
Dikur nuk të njihnim fare,
S’ndihej era tënde,
Pinim raki koçimare,
Dhe raki dëllinje.
Dikur nuk të njihnim fare,
Të kish përpirë dheu,
Pinim vetëm birrën “Korça”
Konjak “Skënderbeu”.
Por ti erdhe kur s’të njihnim,
Namin shpejt e more,
Gjithë pijet tradicionale,
Në pension i nxore.
Se ti zbrite midis nesh
Ashtu pa kuptuar
Hyn e del nëpër dogana
Pa u ç’doganuar
Mirë se erdhe, midis nesh,
More trim me fletë!
Sepse ti kapitalizmit,
I jep gjak e jetë.
Se ti erdhe pa trokitur
Kurrë nuk të vunë pritë
Sepse ti je dhe tritol
Je dhe dinamit
Se ti erdhe pa bërë zhurmë
Dhe nuk bëre pas,
Por ti je edhe kobure,
Je edhe kallash.
Kur ti zbrite tek ky vend,
Asgjëkund s’kish gjerdhe,
Dyert e demokracisë,
Të thanë: “Mirë se erdhe!”
Që kur ti na ke mësymur
Pa e ulur kokën,
Ca i bëre miliardierë
Shumë të tjerëve gropën.
Erdhe tek ky vend me halle
Erdhe si për dreq
Çmende djem e çmende vajza
Edhe burra pleq
Erdhe ti e hapëm sytë,
Se kohërat ndryshuan,
Plakat brofën hop nga gjumi,
Plakat u tërbuan/
Që kur të takuam ty,
Shpejt porsi rrufeja,
Ngjitem malet e përpjetë
Për toka të reja.
Shitëm lopët e gomarët,
Shitëm dhentë e dhitë
Dhe u sulëm në parcela,
Mbill e korr e shit.
Çna duhen delet e dhitë
Erdhën kohë të reja
Sa vlen një kg hashash
S’vlen e gjithë kopeja
Erdhe ti e ndryshoi jeta,
Erdhe pa bërë zë
Dhe të duam, të të ndjekim,
S’të ndjekim dot më!
Ti me dy shpata në duar,
Nëpër shtigje pret,
Një për të korrur dollarë,
Me tjetrën korr jetë.