Manastiri i Ardenicës, përfaqësues i kulturës së lashtë mesjetare në Myzeqe

2583
Jovan Bizhyti
Myzeqeja, kjo hapësirë e pafund, që përfshinë ultësirën bregdetare perëndimore të Shqipërisë së Mesme, ka qenë një trevë shumë e populluar qysh në kohët më të lashta për shkaqe të favorshme në jetën e njerëzve, pasi në këtë trevë favorizonte veçanërisht klima e butë bregdetare, terreni kryesisht fushorë, pjesërisht me kodra të buta, si dhe pjelloria e tokës, që gjithashtu ka favorizuar zhvillimin e bujqësisë si e vetmja alternativë në jetën e njerëzve. Në lartësinë dominuese të kodrave që përshkojnë ultësirën bregdetare të Myzeqesë, 237 metra mbi nivelin e detit, është ngritur kisha e vjetër e Shën Triadhës, që i ka fillesat rreth shekullit X, ndërsa themelet e para të Manastirit të Ardenicës, sipas disa studiuesve vendas e të huaj, thuhet se janë ngritur në shekullin XIII, rreth vitit 1282, me nismën e Perandorit Bizantin Androniku II Paleologu, që e ngriti këtë tempull për nder të fitores mbi Anzhuinët në territoret e Beratit. Këtë e vërteton dhe Mitropoliti i Beratit në shekullin XIX, Anthim Aleksudhi, i cili ka bërë një përshkrim interesant mbi kishat e manastiret e Myzeqesë në librin e tij, “Historia e Mitropolisë së Beratit” si kryeqendra nga varej Myzeqeja, shkruar në janar 1868, ku midis të tjerave, vërteton dhe vitin e ngritjes së këtij tempulli të fesë kristiane në lartësinë e kodrave të Ardenicës. Nga këto të dhëna historike, del se ky tempull mund të jetë ngritur mbi themelet e gërmadhave të një tempulli pagan akoma më të hershëm, që në shekujt e V-të dhe VI të erës sonë, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Arnisa, ku rrënojat e një qyteti antik me të njëjtin emër, ndodhen më në veri të manastirit, pranë fshatit Babunjë. Nga emri i kësaj hyjneshe, që banorët vendas e hyjnizonin si perëndesha e bujqësisë, mund të ketë rrjedhur dhe emri i kodrave dhe i fshatit Ardenicë. Në shekujt XVII e XVIII, kjo trevë përfshihej totalisht në besimin e krishterë dhe pranë vendbanimeve u ngritën shumë kisha ortodokse, disa prej të cilave edhe mbi gërmadhat e bazilikave e famullive të vjetra si: kisha e Shën Gjergjit të Libofshës, Shën Kolli i Vanarit, Shën Maria e Kolkondasit, Shën Thanasi i Karavastasë, Shën Gjoni i Bitaj dhe një numër kishash në qytetin e Lushnjes e në fshatrat, Golem, Divjakë, Grabian, Xeng, Ndërnenas, Gradishtë, Këmishtaj, Krutje e Sipërme, Zhym, Krutje e Poshtme, Mazhaj, Kadipashaj, Toshkëz, Rrupaj, Kozare, Stan Karbunarë, Çukas, Bishqethëm, Bubullimë, Halilaj, Vajkan e tjera. Po ashtu kanë ekzistuar dhe shumë famulli ortodokse të hershme, që sot njihen si vende të shenjta. Një e tillë është famullia e “Shën e Dielës” në një kodër dominuese në Daullas të Libofshës. Besimtarët për t’i përkujtuar këto vende të shenjta, kanë mbjellë selvi ose qiparisa, si bimë të bekuara që simbolizojnë vendet e shenjta ortodokse. Një famulli e tillë si vend i shenjtë është dhe “Shën Marina”, që ndodhet midis fshatrave Ndernenas dhe Karavastasë. Simbole të tilla të shenjta ka dhe në zona të tjera. Të gjitha këto vende të shenjta i kanë përkitur trevës së Myzeqesë së Madhe të nënprefekturës së Lushnjes, pa përmendur Myzeqenë e Fierit përtej lumit Seman dhe Myzeqenë e vogël të Vlorës përtej lumit të Vjosës. Kjo trevë sipas studiuesve, ka pasur rreth 30 kisha ortodokse, nga ku vetëm zona e Karavastasë ka pasur rreth 8 kisha të tilla. Duke përshkruar përbërjen e kësaj popullsie të trevës bregdetare të Myzeqesë, konsulli austro-hungarez, Dr. Ranzi në vitin 1902 i shkruan ministrit të tij të jashtëm në Vjenë se: “…perëndimi i Myzeqesë është krejtësisht i krishterë”. Ky dokument gjendet në Arkivin Qendrore të Institutit të Historisë. Dokumenti 53, dt 18.08.1902. Kisha e hershme e Manastirit të Ardenicës është Shën Triadha, që do të thotë “Trinia e Shenjtë”, është e stilit Bizantin e hershme, me përmasa 7.50m. me 3.70 m. dhe mbanë pozicionin me pamje nga perëndimi, që tregon se lidhjet në periudhën e hershme bizantine, kjo trevë i mbante me vendet e përtej detit si, Venediku e Raguza. Dera kryesore e kishës është nga perëndimi, ndërsa në faqen jugore e lindore ka dy dritare të vogla. Është e ndërtuar me gurë shtuf me një hapësirë muri gjysmë rrethore. Porta është e mbuluar me një hark guri dhe pranë dritares lindore, ndodhet një basoreliev qeramike me figura engjëjsh. Në pjesën e përparme gjendet një tjetër basoreliev, ku mbi të është pikturuar një kalorës, në këmbët e kalit të cilit përpëlitet një ushtar armik. Në shekullin e XVIII-të, pikërisht në vitin 1715, brenda kështjellës së Manastirit të Ardenicës, u ndërtua kisha, “Lindja e Shën Marisë”. Kjo kishë mbartë strukturën e ndërtimit të kishave të shekujve XVII-të e XVIII-të, që sollën një epokë të re të Mesjetës së Vonë. Në anën jugore ndodhet portiku, apo veranda hyrëse e kishës me gjatësi 10 metra, ndërtuar me kolona dhe harqe karakteristike të stilit bizantin. Në dy anët e shkallëve hyrëse që janë në formë harkore, kanë qenë dikur skulpturat e dy luanëve, që përshëndesnin ardhjen e besimtarëve në ambientet e kishës. Është për të ardhur keq, që këto skulptura tani nuk ekzistojnë, janë zhdukur, mundet të jenë grabitur pas viteve 1990 ! Po ashtu në këto vite, janë grabitur dhe 6 ikona kryesore që ishin vendosur në faqen ballore të ikonostasit me shumë vlera historike dhe artistike, bashkë me to është grabitur dhe një libër Ungjilli me kapak të argjend dhe për të gjitha këto, nuk ka mbajtur përgjegjësi askush dhe nuk i janë kthyer më kurrë manastirit! Naosi apo salla kryesore e kishës përbëhet nga tre pjesë, të cilat ndahen në rreshta me ndenjëse druri. Naosi ndahet nga altari me ikonostasin, një art i veçantë me gravura engjëjsh e motive ambientale, si dhe me portrete ikonash si ajo e Shën Marisë, e Jezu Krishtit dhe figura të tjera engjëllore. Dyshemeja e kishës është e shtruar me pllaka guri. Në anën e djathtë të naosit, karshi podiumit të ligjëratave, ndodhet trupi i një shenjtori në këmbë, i cili mbanë mbi kokë një minikështjellë që zgjatet deri në tavan me gravura e ngjyra të argjendta, e cila tregon forcën e madhështinë e engjëllorëve. Në atë mini-kështjellë është dhe froni i Dhespotit apo Kryepeshkopit kur merë pjesë në ceremoninë e meshës. Në muret e kishës së Shën Marisë ka shumë afreske me fytyra të gjalla njerëzore, me krah fluturues si dragonj që ngjiten drejt qiellit. Në një nga këto afreske, bie në sy dhe një pikturë ku shihet një disk fluturues, i cili ngjanë me objektet jashtëtokësore që shihen e flitet edhe sot nëpër mjediset shkencore. Pozicioni i këtij manastiri mbi lartësinë maksimale të kodrës, qiparisat e lartë dhe sidomos kambanorja 24 metra e lartë që ngrihet drejtë qiellit, duket sikur e lidhin këtë tempull mistik me botën hyjnore të lartësive qiellore. Gjithçka që sheh në mjediset dhe afresket e kësaj kishe, të ngjallin kureshtjen dhe të zgjojnë imagjinatën! Piktorit dhe udhëtarit të njohur anglez, Eduard Lieer, në udhëtimin e tij nga Berati drejtë Manastirit të Ardenicës në tetor 1848, shoqëruesit i thanë: ”Nga Ardenica mund të shikosh gjithë botën”! Dhe ai pasi u ngjit aty, shkroi në ditarin e tij: ”Qe e vërtetë, që prej andej dukej e gjithë bota”! Kambanorja vite përpara nuk ka qenë e kësaj lartësie, në vitin 1925 është ngritur në këto përmasa 24 metra lartësi, me kontributin e vëllezërve, Jakov dhe Llazar Bozo nga fshati Kolonjë pranë manastirit. Kambanat e vendosura në të, ajo më e madhja mbante datën e prodhimit 1707 dhe më e vogla 1738. Kambana e madhe peshonte 500 kg dhe tingulli i saj dëgjohej deri 6 orë larg fushës së gjerë të Myzeqesë, ndërsa kambana e vogël ishte kryesisht për brenda manastirit dhe deri në fshatrat për rreth. Për fat të keq dhe këto relikte me vlera të veçanta, janë grabitur që nga koha e Luftës së Parë Botërore në vitin 1917 nga ushtria austriake dhe nuk i janë kthyer më kurrë manastirit! Shumë vite më vonë, në 1937-38 këto kambana janë zëvendësuar me kambana të reja të sjella nga Triestja e Italisë, me kontributin e bamirësve, Zonjës Kostandina Kostaq Xoxa dhe Zoti Theodhor A. Xhumurteka nga qyteti i Beratit. Lartësia e kësaj kambanoreje ka qenë vazhdimisht në funksion të shpërndarjes së tingujve të kambanave, si një simfoni muzikore në dy anët e kodrinave në fshatrat e thella të fushës dhe në anën tjetër deri në bregdet. Por kjo kambanore ka kryer dhe funksionin e një pike vrojtimi, pasi prej kësaj lartësie duket pothuaj e gjithë fusha e Myzeqesë deri përtej në lindje, ku dallohen në horizont kodrat e Belshit, malet e Tomorit dhe i Shpiragut, në jug duken malet e Labërisë, ishulli i Sazanit dhe kodrinat bregdetare të Zvërnecit, me kënetën e Nartës dhe Kriporen pranë grykëderdhjes së Vjosës. Nga perëndimi duket si një tablo me ngjyra deti Adriatik me plazhet ranore të tij, grykëderdhja e Shkumbinit dhe kalaja e Bashtovës në të djathtë të tij, laguna e Karavastasë dhe pylli me pisha madhështore i Divjakës, dajlani me kanalin që lidh kënetën me detin, si dhe fshatrat piktoreske nga Divjaka, në Libofshë e Seman. Në pjesët e brendshme të kështjellës së këtij manastiri, dy kishat janë të rrethuara dhe nga ambientet ndihmëse të banimit e të shërbimit. Ndër to përfshihen 50 konak, nga të cilat 15 kanë qenë dhoma banimi për ikonomët, murgjit e personelin e shërbimit, ndërsa 35 ambientet e tjera janë përdorur për klasa shkolle që funksiononte pranë këtij manastiri, dhomat e fjetjes për nxënësit e internatit (konviktit), ambientet e bibliotekës dhe arkivës së kishës, furra, kuzhina dhe sallat e ngrënies, magazina ushqimesh e prodhimesh, punishtja e prodhimit të vajit, strehimi i kafshëve të transportit e tjera. Kur futesh në harkun e portës hyrëse, të shoqëron një oborr i gjerë, i shtruar me kalldrëm gurësh rreth 50 metra i gjatë dhe 6 metra i gjerë që vazhdon deri në thellësi, i rrethuar nga një mur guri mbi 3 metra i lartë dhe nga gjelbërimi i qiparisave që zgjaten në lartësi sikur do prekin qiellin. Në një nga ambientet e katit të parë, ka qenë një spital psikiatrik me disa dhoma izolimi për të sëmurë mendor të shkallës së rëndë. Sipas të dhënave, aty shërbente Doktor Kallogjeri nga Fieri, që merrej me mjekimin e këtyre të sëmurëve. Varret e dy Dhespotëve. Në brendësi të kishës së Shën Marisë, në pjesën jugore, ndodhen varret e dy Dhespotëve të Mitropolisë së Beratit, Metodit dhe Joasaf “Plakut”, të dy me origjinë nga fshati Bubullimë i Myzeqesë, që i përkasin periudhës së shekullit XVIII. Voskopojari Nektar Terpo, murgu i Manastirit të Ardenicës. Në Manastirin e Ardenicës kanë shërbyer shumë klerikë të besimit ortodoks, ku ndër ta, më i hershmi përmendet nga dokumentet historike, murgu voskopojar, Igumen Nektar Terpo, i cili në misionin e tij për mbrojtjen e krishterimit, është vlerësuar nga historia si, “Voskopojari që u ndesh me dhunën e konvertimit osman në trevat shqiptare të Ballkanit Perëndimor”. Ja si shkruan në kujtimet e tij historiani dhe studiuesi austriak Karl Patç, në librin e tij në vitin 1904, nga një vizitë që ka bërë në Manastirin e Ardenicës: “Në këtë vend njeriu prehet dhe kënaqet. Edhe në mbrëmje këndojnë bilbilat!”
Sigal