“Problemet teknike të mos karakterizohen si politike”, Celibashi thirrje komisionerëve politikë: Respektoni përgjegjësitë tuaja, nëse i bëni bisht do përballeni penalisht

222
Sigal

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, foli mbi problematikat e pajisjes elektronike, që bën të mundur dhe identifikimin e zgjedhësve.

Celibashi tha se në të gjithë vendin vetëm në 142 qendra votimi paraqitet ky problem, ndërsa shtoi se 120 prej tyre, po e vijojnë procesin e identifikimit në mënyrë manuale.

Celibashi tha se problemet teknike nuk duhet të karakterizohen si politike dhe i bëri thirrje komisionerëve politikë që të respektojnë përgjegjësitë e tyre, ose në të kundërt, do të përballen penalisht.

“Sipas informacioneve që ka KQZ, janë vetëm 142 në qendra votimi, në të cilat procesi i verifikimit po bëhet manualisht. Për rreth 120, kjo për faktin se operatorët nuk u paraqitën në vendin e votimit, në 40 raste nuk arritëm të gjenim operatorë për të përdorur pajisje. Ajo që është për tu evidentuar është fakti që në 142 qendra votimi procesi i identifikimit po bëhet në mënyrë manuale.

E vërteta është që kemi pasur disa probleme të karakterit teknik. Në pritshmërinë tonë kanë qenë më të mëdha këto probleme, sepse sistemi përdoret për herë të parë në Shqipëri dhe në kohë të shkurtër na është dashur ta implementojmë këtë projekt. Ka pasur disa probleme, që më së shumti vijnë nga niveli i ulët i dijeve nga operatorët dhe lidhet me printimin.

Edhe në rastet kur pajisja nuk printon në mënyrë korrekte pamjen e votuesit, procesi duhet të vazhdojë. S’ka arsye për faktin që printeri nuk funksionon të mos përdoret pajisja. Kanë qenë mbi 5 mijë telefonata nga operatorë në lidhje me problematikës së identifikimit elektronik, kanë marrë zgjidhje. Dua t’iu bëj një thirrje drejtuesit dhe përfaqësuesit e partive që kanë anëtarë në QV, këta anëtarë të respektojnë përgjegjësitë e tyre, nuk ka asnjë arsye që edhe për probleme të vogla teknike, t’i kategorizojnë të arsyes politike. Kushdo komisioner do t’i bëjë bisht dhe largimin nga detyra, do të ketë përgjegjësi penale.

Në ato raste në të cilat pajisja e identifikimit elektronik nuk ka funksionuar mirë ose ka pasur probleme ne kemi udhëzuar komisionerët që të kontaktojnë me KQZ dhe në rast se do ketë mosfunksionim të pajisjes janë marrë të gjitha masat që pajisja të zëvendësohet. Deri në momentin e zëvendësimit të pajisjes komisioni duhet të presë dhe nëse nuk është i mundur ata duhet të bëjnë procesin e identifikimit të zgjedhësit në mënyrë manuale. ”, tha Celibashi.