I pushojnë nga puna, sot 1000 naftëtarë në protestë

208

BALLSH- Shkurtimet drastike në sektorin e naftës kanë detyruar rreth 1000 naftëtarë të Mallakastrës të protestojnë sot pasi për ‘ta, largimet nga puna janë të papritura, të pa studiuara dhe kundër premtimit të pronarëve të rinj azerbajxhanas. Burime nga organizatorët e protestës japin dhe detajet  e reagimit. “Kompania nga Azerbajxhani u bë pronare e kompanisë së naftës, pas ish-pronarit ‘Taçi-Oil’. Pas blerjes, përveç përmirësimit të kushteve të punës kompania premtoi dhe plotësimin e disa kushteve lidhur me marrëdhëniet në punë. Kështu, u garantua që jo vetëm nuk do të ketë largime nga puna, por me investimet që do bënte, do të shtonte fuqinë punëtore. Njëkohësisht, u premtua dhe rritje e rrogës mujore të naftëtarëve. Por asnjë nga këto kushte nuk është realizuar. Për më tepër, nisi nga largimet masive dhe pa kriter nga puna. Largimet e fundit, e çojnë rreth 1000 numrin e personave që humbasin vendet e punës. Ne kemi kërkuar takime me punëdhënësin, por ata na mbyllin derën. Kemi kërkuar takime dhe me institucionet përkatëse shtetërore, por asnjë nuk ndjehet. E vetmja mundësi që na ka ngelur, janë protestat masive. Ne nuk do të tërhiqemi, por do të përshkallëzojmë protestat deri në zgjidhjen e problemeve”,- pohojnë për ‘Telegraf’ drejtuesit e protestës së minatorëve. Në protestën e sotme është paralajmëruar se përveç 1000 naftëtarëve, do të marrin pjesë dhe familjarë të tyre. “Protesta do të jetë masive. Ajo do të nisë para godinës së kompanisë dhe më pas do të vazhdojë me marshimin e bllokimin e akseve nacionale”,- shtojnë burimet nga drejtuesit e protestës. Më tej ata shtojnë se në vartësi të punëdhënësit dhe institucioneve shtetërore, do të jetë dhe reagimi në vazhdim. Mësohet, gjithashtu se, protesta do të vazhdojë me të gjitha mjetet demokratike. “Jemi të braktisur krejtësisht nga shteti. Na kanë flakur në rrugë, ndonëse kemi deri në 20 vite apo më shumë në sektorin e naftës. Me rrogat tona mbanim familjet me bukë”- shtojnë naftëtarët. Njëkohësisht, ata kërkojnë sensibilizimin e opinionit në mbështetje të kërkesave të tyre si dhe aktivizimin e sindikatave në mbështetje të këtyre kërkesave.