Prof. Dr. Ago NEZHA/ Familja, bashkësi formuese dhe edukuese

1102
Sigal

Ndryshimet demokratike në Shqipëri sollën edhe ndryshime social-ekonomike që u reflektuan dukshëm në strukturën e familjes si një fenomen shoqëror. Lëvizja kaotike e njerëzve drejt qendrave urbane apo zonave të banuara bëri që të prishen shumë ekuilibra të mëparshme që ishin shtratifikuar sipas sistemit të centralizuar. Prurjet e rrëmbyeshme të familjeve nga zonat e thella malore, veri-jug, u ngjajnë atyre vërshimeve të lumenjve që kërkojnë shtrat dhe tentojnë të gjejnë rrugë për të rrjedhur në det. Kjo bëri që të pleksen kulturat, zakonet, traditat, mentalitetet dhe nivelet e ndryshme që ballafaqohen në një mjedis social të ri që medoemos do ketë përplasje që do japin efektet e tyre negative dhe pozitive në tregun social të fëmijëve. Kjo periudhë sa delikate aq edhe shpërthyese, tjetërsuese dhe emancipuese në strukturën e familjes ka një kosto legale që e mbart me vete në kurriz të shthurjes së fëmijëve. Familja gradualisht po komercializohet, po fabrikohet, zyrtarizohet, gjë që humbet përmbajtjen dhe rolin shoqëror në edukimin e fëmijëve. Mjerisht shohim se, në shumë familje ka zbritur një zymti, heshtje, apati, indiferentizëm, mungesë përgjegjësie për edukimin e fëmijëve. Kjo situatë përligjet me kushtet e ekonomisë së tregut dhe iniciativën e lirë. Pasojat janë të dukshme në fushën e korrupsionit, prostitucionit, divorceve, lindjet ilegale, braktisjet e familjeve, lypësisë së fëmijëve nëpër rrugë, braktisja e shkollave nga fëmijët, rilindja e analfabetizmit, hakmarrja, ngujimi, e fenomene të tjera që e kanë tronditur familjen shqiptare.

Këto plagë të shoqërisë së sotme moderne kushtëzohen nga faktorë ekonomikë, socialë por edhe tradicionalë që i trashëgojmë nga e kaluara.

Ndryshe nga më pare, ku familja jetonte në bashkësi brezash, tashmë familja nuk është një vend prodhimi apo argëtimi, sepse ekonomia karakterizohet nga specializimi dhe individualizimi i punës që reflekton shkallën e lartë të industrializimit. Njësia familjare e sotme synon që në këtë difuzion të arrijë të sigurojë të ardhurat e nevojshme për mbajtjen e fëmijëve duke siguruar një punë profesionale jashtështëpiake. Banesa dhe vendi i punës sot janë larg njëri-tjetrit. Ndodh shpesh që nëna dhe fëmijët nuk dinë vendin e punës së babait. Kualifikimi dhe specializimi i mirë profesional, synon të zëvendësoj pronën preindustriale. Ky evolucion në vetvete nuk kundërshton thelbin e familjes, pasi kjo nuk duhet të jetë domosdoshmërish një njësi prodhuese autarkike në fushën e ekonomisë. Meqenëse burri në shumicën e rasteve e zhvillon aktivitetin e tij larg shtëpisë, ekonomia familjare dhe mirërritja dhe edukimi i fëmijëve ka mbetur në duart e gruas. Kjo tendencë po na bie një matriarkat të ri në qytetet e mëdha. Veçanërisht angazhimi i burrave në biznes i ka larguar ata nga kujdesi moral e shoqëror për fëmijët. Ata rrallë ulen në tryezën e përbashkët familjare, pak bisedojnë, konsultohen, komunikojnë me fëmijët. Ky qëndrim bën që shumë biznesmenë, politikanë apo intelektualë të mos e kenë nën kontroll jetën e fëmijëve, jo në aspektin e tutelës, por në frymën e kujdesit dhe përgjegjësisë që ka prindi për fëmijën në një shoqëri të emancipuar.                                                                                                                             Në shoqërinë moderne tryeza nuk është vetëm vendi ku ushqehesh, por edhe vendi ku bashkëbisedohet, këshillohet, argëtohet familja dhe fëmijët. Ne trashëgojmë traditën ku familja mblidhej rreth oxhakut, dhe i pari i shtëpisë ishte protagonisti që jepte e merrte mesazhe për vlerat shpirtërore, morale e fetare. Familja si një bashkësi formuese dhe edukuese e personalitetit të njeriut ka funksione të veçanta të prindërve, vëllezërve, motrave dhe gjyshërve. Sipas Tomas Akuin tri gjëra ua detyrojmë prindërve: ata na kanë dhënë jetën, na kanë rritur dhe na kanë edukuar. Edukimi i fëmijëve arrihet në përsosmëri kur ka të sinkronizuar kontributet e përbashkëta të babait, të nënës dhe shkollës. Në shoqërinë e sotme moderne rezulton se babai është i kërcënuar nga rreziku i tjetërsimit të misionit të tij atëror për fëmijët. Ky mënjanim, lidhet me natyrën shoqërore të punës, ku pjesën më të madhe të kohës e kalon jashtë familjes, por edhe për një neglizhencë të pa motivuar të disa baballarëve në përkujdesjen ndaj fëmijës.

Një problem kritik i shoqërisë së sotme është se mjedisi jashtëfamiljar i shoqërisë industriale, qoftë ai profesional, aq më tepër shkollor, si dhe ai i kohës së lirë është nën veprimin e një ideologjie dhe morali të çoroditur, të shpërbërë dhe të pakontrolluar. Shkolla si njësi formuese dhe edukuese, ka pësuar tronditje si rezultat i pleksjes së traditave, kulturave mentaliteteve dhe edukatës së fëmijëve që trashëgojnë nga mjedisi nga kanë evoluar në një shoqëri komunitare. Shkolla si institucion, është i pa zëvendësueshëm në formimin e karakterit të fëmijëve me dashurin për dije dhe harmoni shoqërore. Prindërit duhet të realizojnë ura të tilla komunikimi me shkollën që fëmija ta kuptojë se liritë e tija nuk janë të pa kufizuara. Në edukimin e fëmijëve duhet të krijohen marrëdhënie të ndërsjella, në një trekëndësh unik: “prindër-fëmijë-mësues. Po të harmonizohen dhe mirëkuptohen të tre këta aktorë, mirë edukimi i fëmijëve arrihet në perfeksion. Siç thotë Xhobert: “Babai duhet të jetë mik i fëmijëve të tij dhe tiran i tyre”. Vërehet një tendencë liberale që prindërit pak merren me edukimin e fëmijëve dhe përgjegjësinë e kërkojnë të shkolla. Sjellja e papërgjegjshme e prindërve, jo vetëm që e shthur fëmijën, por ja kalojnë përgjegjësitë e tyre shkollës në mënyrë arbitrare. Këto marrëdhënie defiçente që janë krijuar në vitet e demokracisë i kanë disintegruar fëmijët nga funksioni i tyre kryesor të procesit të mësimit dhe edukimit. Mjedisi jashtëfamiljar i shoqërisë pluraliste i pleks fëmijët me fenomene të shthurjes së vlerave e parimeve morale. Aty janë prezent viruset e korrupsionit, drogës, prostitucionit që qarkullojnë lirshëm në mjedise të pa mbrojtura dhe karantinuara. Edukimi më mirë ekziston në një familje të qetë e harmonike, ku ka marrëveshje, respekt reciprok, dashuri njerëzore, bashkëjetese besnike, gëzime dhe hidhërime të përbashkëta, sakrifica të ndërsjella. Familje e shëndoshë është atëherë kur tryeza e bukës është edhe tryezë shpirtërore. Në rast se shohim marrëdhëniet në familje në tërësi në kohën e sotme kanë pësuar tronditje që nga themeli deri në çati. Jo vetëm marrëdhëniet burra – grua, por edhe motër – vëlla, motër – motër apo vëlla – vëlla, shokë-shoqe e kanë rënduar atmosferën shoqërore. Për fat të keq prona dhe biznesi kanë varfëruar dashurinë e fëmijëve të gjakut të përbashkët. Jo rrallë kemi përjetuar drama që grindjet për çështje pronësie kanë marrë jetë njerëzish midis vëllezërve, prind fëmijë, brenda fisit dhe komunitetit të fshatit.

Kriza morale dhe rrënimi i familjeve  ka bërë që shumë media të shkruara dhe elektronike të luajnë me dinjitetin e femrave dhe të fëmijëve. Liria e shtypit nuk presupozon të cenosh dinjitetin e personit .

Tregu mediatik i shkarravitjes së familjeve, mund të bëhet shkak i konflikteve midis fëmijëve dhe grafomanëve të shfrenuar.

Jeta pasurohet nga bashkëjetesa në harmoni e tre brezave: fëmijë, prindër, gjyshër. Kontradikta të shpeshta hasim edhe midis nipërve e mbesave me gjyshërit, apo nuseve me vjehrrat. Palët ankohen për pabarazinë e sjelljeve, kulturave, qytetërimeve, zakoneve, idealeve që lëvizin në kohë të ndryshme. Emigrimi i fëmijëve në vende të ndryshme të botës e ka varfëruar së tepërmi jetën familjare. Familja fshatare ende mbahet duke u përpëlitur si rrënja e çdo forme të jetës shoqërore. Ende respektohen relacionet e gjakut duke vlerësuar progresivisht, vëllazërinë, fisin, vendlindjen, krahinën për të arritur te populli dhe atdheu yt. Kjo ndodh se në fshat familjet janë të vendosura në të njëjtin vend mbi bazë vëllazërie dhe fisi që rrisin marrëdhëniet dhe shtojnë solidaritetin. Ndërsa në qytet familjet s’kanë të njëjtin vendbanim, shkëputet komunikimi dhe krijohen distanca marrëdhëniesh që i largojnë nga njëri tjetri.

Është e vështirë, por duhet të luftohet që rritja progresive e fëmijëve nuk duhet të çojë në një shkëputje shpirtërore, në një largim shpërfillës nga njëri tjetri, por duhet të orientohen në veprimtarinë e tyre jashtë interesave denigruese dhe xhelozive patriarkale.

Familja duhet vlerësuar si qeliza e shoqërisë në profilin biologjik, moral dhe social. Shthurja e martesës apo familjes, siç janë disa rryma dhe tendenca të vendeve të zhvilluara industriale çojnë në mënyrë të pashmangshme herët a vonë në zhdukjen e këtyre popujve. Në familje fëmija mëson ato virtyte shoqërore pa të cilat njeriu nuk mund të zhvillohet e ekzistojë siç janë: dashuria njerëzore, dashuria familjare, respekti, solidariteti, toleranca, falja dhe ushtrimi i atributeve sipas sekseve, përgjegjësive dhe moshës. Gëzimi i pjekurisë së fëmijëve shoqërohet edhe me vetëdijen e hidhur të shkëputjes së tyre nga trungu familjar. E para familja si një fidanishte e shoqërisë, nuk duhet që prindërit të kërkojnë t’i mbajnë fëmijët të lidhur pas vetes, saqë i ndrydhin ose pengojnë procesin e emancipimit e përparimit të tyre. Kjo ndodh shpesh te ato familje që kanë fëmijë të vetëm, ose ku mungon babai, të nënave beqare, të divorcuara dhe vejusha. Këto lidhje të tepruara kanë bërë që fëmijët të kenë të ardhme të pafavorshme për krijimin e familjes së tyre. Nga testimet e bëra rezulton se ka edhe arsye ekonomike që pengojnë fëmijët të shkollohen apo të marrin një profesion, apo frenime patriarkale siç ndodh me mentalitetin e zonave malore që nuk i lënë vajzat të vazhdojnë shkollën se mos marrin rrugë të keqe morale. Në disa raste në zonat e thella rurale ende edhe sot janë prindërit ata që vendosin për zgjedhjen e bashkëshortit. Edhe në rast se nuk ushtrohet dhunë fizike, që duket, ushtrohet dhunë shpirtërore që jua prangos ndjenjat të rinjve. Një fjalë e urtë arabe thotë: “ti je vetëm harku, nga i cili bijtë e t’u nisen si shigjeta të gjalla”.