Prof. Dr.Dhori Kule: Matura deformoi rezultatet e nxënësve dhe zëvendësoi mësuesit me policë

629
Sigal

Flet Prof. Dr.Dhori Kule, Rektori i Universitetit të Tiranës për reformën në sistemin parauniversitar dhe universitar

Matura Shtetërore ka deformuar rezultatet e nxënësve, ka humbur besimin te mësuesit, si dhe ka devijuar formimin e nxënësve. Këto janë disa nga problematikat e Maturës Shtetërore që analizohen në një intervistë për “Telegraf” nga Prof. Dr. Dhori Kule, Rektori i Universitetit të Tiranës. Duke analizuar për trekëndëshin që është baza e një shkolle, mësues-nxënës-tekst, prof. Kule arrin në përfundimin se është e domosdoshme reforma në maturë, që në këndvështrimin e tij, kjo procedurë ka qenë e gabuar që në fillim. Reforma në arsimin e lartë, disa nga elementet e diskutimit të grupit të punës, të ngritur nga MAS për këtë qëllim, si dhe domosdoshmëria e një analize SËOT nga ana e Universitetit të Mjekësisë janë pjesë e kësaj interviste me rektorin e Universitetit të Tiranës.

 Profesor, ka filluar një reformë si në sistemin universitar si në atë paraunivesrsitar. Por ajo çka do flasim është reforma në Maturën Shtetërore. Kjo reformë ka filluar duke i dhënë prioritet e mesatares së 3 viteve të shkollës së mesme, gjuha e huaj u bë provim i detyruar, gjithashtu thuhet se përzgjedhja e studentëve do të bëhet nga vetë universitetet. Pra në lidhje me këto, në lidhje me Maturën Shtetërore, si i shikoni ju këto reforma, cili është mendimi juaj?

Natyrshëm, përmirësimet ose ajo që quhet reformë nuk mund të kuptohet vetëm në një pjesë të sistemit arsimor, ato janë të lidhura me njëra-tjetrën duke filluar nga sistemi parashkollor, shkollor parauniversitar dhe universitar, pasi ushqejnë njëra-tjetrën dhe nevoja më e madhe për reformë është në sistemin parauniversitar. Një nga elementet e shfaqjes të reformimit të sistemit parauniversitar është ajo që po diskutohet sot në Maturën Shtetërore. Matura Shtetërore ka shfaqur tashmë problematikat e veta, pavarësisht nga motivi për të cilin u aplikua. Unë doja të bëja një pohim, që kam qenë që në fillim kundër maturës Shtetërore. Gjatë gjithë kohës që u aplikua nuk kam qenë mbështetës i kësaj procedure, pasi shkolla, për ata që merren me arsimin, është e qartë se ku e  ka çelësin e suksesit dhe të mossuksesit. Pra në themel të asaj që përfaqëson kjo procedurë, që gabimisht është lidhur me pranimet në universitet, matura si fazë përmbyllëse e sistemit parauniversitar në fund të fundit pasqyron sesa mirë bëhet puna në nivelin parauniversitar dhe treguesit që masin standardet e punës në nivelin universitar. Treguesit që nuk  i kemi parë të deklaruara deri më sot, janë ato që lidhen me cilësinë e mësuesve nëpër shkolla. Cili është niveli, përgatitja, struktura e mësuesve në shkollat e ndryshme me kurrikulën që ata tashmë realizojnë, se në themel të shkollës janë dy elementë; mësuesi dhe nxënësi. Mësuesi i mirë dhe nxënësi i mirë japin produkt të mirë. Unë nuk kam një database të them që në të gjitha lëndët që ofrohen në shkollë të mesme, i kemi të mbuluar me mësues të  nivelit cilësor në të gjithë territorin e Shqipërisë. Në qoftë se e kemi këtë informacion, atëherë ky është optimist, përsa i përket rezultatit përfundimtar, sepse puna e mësuesit si puna bazë në arsim, e reflektuar në rezultatet e nxënësit, është e ndryshme nga ajo që Matura Shtetërore imponoi, zëvendësoi mësuesit me policët. Pra iu besua më shumë ditës së fundit, ditës së provimit sesa rezultateve të shtrira në kohë dhe në vite të punës së mësuesve dhe ky defekt ka nevojë të përmirësohet. Po të kthehej mbizotëruese mesatarja e shkollës së mesme, me situatën tashmë që është krijuar, mundet që mesataret e shkollës së mesme, tashmë të imponuara nga ky kriter i Maturës Shtetërore, të dalin të deformuara. Prandaj përkrah iniciativën për të reformuar maturën shtetërore, por të kombinuar dhe me prioritet për të parë sesi e kemi situatën e mësuesve në shkollat e mesme. Kur them se nuk mund të zëvendësohet mësuesi me policin, kam parasysh se shkolla ka në themel besimin te mësuesi. Nëse ne nuk i besojmë mësuesit në punën e tij, të mos presim më rezultate. Mësuesi i mirë në procesin mësimor, çfarëdo dhe  sido që të jenë presionet për subjektivizëm në vlerësim të nxënësve të ndryshëm që janë në klasë, të jeni të bindur, që nuk bën dot devijanca të mëdha, se është përballë kolektivit  të nxënësve që nuk e lejojnë që ai nxënësi i dobët, megjithëse mund të ketë prindin me pushtet të fuqishëm, të vlerësohet më shumë se nxënësit e tjerë. Pra Matura Shtetërore e ka deformuar këtë proces, e ka deformuar procesin, sepse procesi i administrimit në fund, natyrshëm, do të nxirrte këto rezultate të deformuara që tashmë janë evidentuar. Kur në kohën e konkurseve, që bëheshin në universitete nuk arrinim të administronin dot një sallë, mendo tani sesi mund të administrohen të gjitha sallat në territorin e Shqipërisë, kur interesat janë shumë më të mëdha. Ky shqetësim është bërë prezent tashmë, por më i madh se ky shqetësim është se Matura ka devijuar formimin e nxënësve. Nxënësit përpiqen më shumë të përgatiten vetëm për lëndët e provimit të Maturës. Në qoftë se ne, kur ishim nxënës në gjimnaz, kishim interesin e harmonizuar në përgatitjen e lëndëve të ndryshme, pa i dhënë peshë më të madhe njërës apo tjetrës, bëhej maturim racional e proporcional. Tani ky maturim racional po bëhet i njëanshëm, vetëm në atë grupin e dy-tri lëndëve që ai i ka detyrim, që i mëson në shkollë dhe me kurse private. Ka rënë pesha dhe interesimi për të përgatitur gjithë kurrikulën. U ndala gjatë këtu, sepse universitetet, nëse u vjen studentë jo cilësorë nga shkolla e mesme, e kanë të vështirë të nxjerrin specialistë të mirë.

Po për Altertekstin ç’mendim keni?

Edhe Alterteksti është i lidhur me formimin e nxënësve, sepse këta tre elementë mësues-nxënës-tekst janë ata që e përbëjnë shkollën. Ne na ka ndodhur një dukuri që nuk e gjen në asnjë vend tjetër të botës. Dukuria e  teksteve të ndryshme për të njëjtën lëndë, ndërsa shpërndahej mesazhi që janë mësuesit ata që e zgjedhin tekstin. Ky është një sofizëm për të ardhur keq. Nuk e ka në dorë mësuesi për të zgjedhur tekstet, mësuesit madje shpesh nuk kanë pasur dot në dorë të ruajnë vendin e tyre të punës. Po ky ishte një format për të bërë biznes me tekstin. Pra, tekste të ndryshme në shkolla të ndryshme me devijancat e ndryshme që kanë tekstet, është një plan korruptiv biznesi, që një student i ekonomikut menjëherë e kupton se pse bëhet dhe pse është bërë. Nuk ka asnjë lloj motivi që të mos dalë vetëm një tekst. Pra, edhe në logjikën e Altertekstit, formimi parauniversitar e ka krijuar një devijancë dhe më vjen shumë mirë që kjo tani ka filluar të ndryshojë, që të bëhet siç e ka gjithë bota me një tekst. Në formimin e nxënësve, në shkollat e mesme dhe në nxënësit e arsimit bazë, teksti është shumë i rëndësishëm për formimin e tij, pra duhet të shohim interesat e formimit të nxënësve dhe jo interesat e autorëve të teksteve në bizneset dhe sipërmarrjet e tyre.

Më parë folët për cilësinë e mësuesve, por të mos harrojmë që mësuesit dalin nga universitetet tona. Ju shihni mësues jo cilësorë në arsimin parauniversitar?

Jo, nuk e kam në këtë aspekt. Ne kemi mësues shumë të mirë, por problemi i mësuesve në vetvete është se unë nuk e di aktualisht sesi janë ndarë. Se mundet që një pjesë e mirë e mësuesve, për nevoja të shpërnguljes nga një rreth në tjetër të kenë lëvizur, ka shumë të mirë në Tiranë që kanë ardhur, por mund të kenë mbetur bosh shkolla në territore të tjera të Shqipërisë. Në qoftë se patëm një periudhë problematike në cilësinë e mësuesve, e maturantëve që vinin në degën e mësuesisë, tani është përmirësuar. Ka qenë një periudhë, ku në Shkencat e Natyrës në vitet 2000-2006 kishte cilësi të dobët të maturantëve që vinin në degën e Matematikës, sepse niveli i pagës ishte i ulët. Efekti i rritjes së pagës e dha menjëherë indikacionin. Kanë filluar tani të vijnë nxënës të mirë, pra mësues të mirë bëhen ata që vijnë dhe nxënës të mirë në shkollat e mësuesisë. Defekt i asaj periudhe është prurja e nxënësve të dobët në fakultet dhe megjithëse përdorej praktika e bursave, nuk u tërhoqën dot nxënësit e mirë. Pasi nuk janë 3-4 vitet e shkollës që të motivojnë dhe modeli i stimulimit me bursa ka qenë dhe është joefektiv, sepse gjithsecili mendon se ku do të shkojë, pasi të mbarojë shkollën. Paga e rritur e dha efektin pozitiv te mësuesit, që tashmë ka sjellë nxënës të mirë në degën e mësuesisë. Të paktën në Universitetin e Tiranës ne kemi cilësi të mirë në degët bazike, por nuk e di sa dhe si janë të sistemuar. Pra gjendja e mësuesve të lëndëve të ndryshme në shkolla të ndryshme është ai informacion që ta krijon bindjen nëse i kemi të mirë apo kemi nevojë t’i trajtojmë më shumë. Pra “sipërmarrja”, në këtë aspekt, duhet të ketë konsoliduar aktorët e mirë.

Po për reformën në arsimin e lartë çfarë mund të na thoni?

Arsimi i lartë natyrshëm ka nevojë të reformohet. Një element për të cilën diskutohet shumë është masivizimi i universiteteve. Unë jam përkrahës i masivizimit, sepse nuk është fenomen vetëm shqiptar, por global dhe europian. Në këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë masivizimi i universiteteve është bërë tipar dallues i shoqërisë njerëzore, sepse jemi në momentin, ku prioritar nuk është teknologjia dhe kapitali, por është faktori human. Ndaj, në qoftë se në vitet ‘60 universitetet në botë ishin elitare, tani janë bërë masive dhe ne nuk mund të bëjmë përjashtim. Por për ta dalluar, masivizimi është në hyrje dhe jo në dalje. Masivizimi në hyrje në arsimin e lartë nuk i bën dëm shoqërisë, por i bën mirë. Çfarë do të thotë kjo? Pra, masivizimi ynë në hyrje është i kondicionuar me cilësinë e strukturës ku hyn. Nëse universitetet i ke me standarde, nuk të shqetëson masivizimi në hyrje, sepse nuk të prodhon dalje skarco. Po ju jap një shembull. Kur kam qenë Dekan i Fakultetit të Ekonomisë filluam sistemin part-time dhe një vit ne e lamë të lirë hyrjen. Pasi një pjesë e mirë e maturantëve ishin sistemuar në fakultetet e ndryshme në sistemin full-time, të gjithë ata që u regjistruan, pa kufizime, ishin 730 dhe mbaruan fakultetin prej tyre vetëm 32. Pra nuk na shqetësoi masivizimi në hyrje, ishim të interesuar që të punonte “fabrika” me instrumentet e saj dhe dalja ishte efektive. Ata 32 studentë që kanë dalë nga Fakulteti i Ekonomisë janë njësoj si studentët e tjerë të full-time. Pra, çfarë dua të them me këtë? Është koha që institucionet e arsimit të lartë të kenë prioritet standardet cilësore.

Gjithashtu është krijuar perceptimi, nga pikëpamja numerike, se ka një numër të madh institucione të arsimit të lartë. Ne kemi rreth 60 universitete publike dhe jopublike dhe krahasuar me popullsinë është një numë shumë i madh. Ka ca raporte, Europa, universitet për banorë të cilën e kemi kaluar me përmasa galoponte, megjithatë nuk është kjo më shumë shqetësuese sesa është niveli i tyre. Për nivelin e tyre, defektet kanë filluar që në momentin e licencimit. Mund të jenë dhënë licenca pa përmbushur kriteret ligjore, ndërkohë që Ligji Për Arsimin e Lartë, Neni 12 i tij, shprehet  se që në momentin e hapjes, struktura e arsimit të lartë të ketë minimalisht 28 pedagogë të brendshëm, nga të cilët 12 me tituj dhe grada. Ky është një nga kushtet, por licenca janë dhënë pa e plotësuar këtë kusht dhe në universitet prioritar, në kushtet që jemi ne, është cilësia e stafit pedagogjik, sikurse është mësuesi në shkollën parauniversitare. Ka dhe kërkesa të tjera, por janë dytësore, kërkesat e infrastrukturës, kurrikula, të cilat janë më të thjeshta për t’u implementuar.

Për reformën në arsimin universitar është ngritur dhe një grup pune. Cilat janë rezultatet e deritanishme të këtij grupi?

Jemi në kushtet kur procesi i reformimit ka marrë angazhimin politik, qeveria ka ngritur një komision ekspertësh. Ne jemi në ditët që po presim rezultatin e punës së tyre dhe mua më vjen mirë që produkti i punës së tyre do t’i nënshtrohet një konsulte masive me të gjithë ata që merren me arsimin. Çdo pedagog, të paktën në Universitetin e Tiranës do e ketë në dorë draftin, gjithashtu edhe strukturat studentore dhe do ne presim të na japin sugjerimet përkatëse se cila është më e mira për t’i bërë cilësore universitete tona. Ka disa elementë të cilët hasin diskutim qëkur ka filluar ky angazhim. Procedura e  emërimit apo ajo e zgjedhjeve të organeve që drejtojnë strukturat e universiteteve është një nga elementet që po diskutohet. Kam bindjen që në Shqipëri e ka fituar të drejtën e qytetarisë absolute procedura zgjedhore. Ajo nuk mund dhe nuk duhet të cenohet. Kemi një model që na tregoi sesa problematike është në qoftë se cenohet procedura zgjedhore. Për shembull modeli i Prishtinës, pavarësisht politikave që mund të ketë në vetvete dhe së brendshmi, lidhur dhe me fazën parazgjedhore etj., bëri që universiteti kishte në funksionimin e vet ndikimin e politikës. Fatmirësisht në Shqipëri Kushtetuta, ndryshe nga vendet e tjera, i ka dhënë autonomi universiteteve dhe procedura zgjedhore e çliron nga ndikimi politik, pavarësisht preferencave politike që mund të ketë individët. Individët kanë, mund të kenë dhe duhet të kenë preferenca politike. Unë jam i mendimit që sa më shumë akademikë, sa më shumë stafe pedagogjike të bëhen njëkohësisht edhe pjesë e politikës i bëjnë mirë vendit dhe politikës, por, asnjëherë, ndikimin e dëshirave dhe preferencave politike nuk duhet t’i bëjnë tek institucioni që është autonom, universiteti, të paktën ky ekuilibër në Universitetin e  Tiranës është ruajtur. Trupa zgjedhore në gjykimin tim duhet të jetë gjithëpërfshirëse, siç ka qenë. Edhe pse ka mendime që të mos jenë studentët, unë jam i mendimit që studentët duhet të jenë si pjesë e trupës zgjedhore për autoritetet e organeve drejtuese, sepse nuk janë konsumatorë të thjeshtë, studenti nuk është votues i rëndomtë, është një votues përzgjedhës. Pra, ky është një element.

Po përsa i përket financimit të universiteteve?

Elementi i financimit besoj që do të shkojë orientimi me linjën europiane efektive të financimit. Pra, tashmë është e qartë se kush duhet të financohet nga buxheti i shteti. Universitetet publike e kanë tagrin, përgjegjësinë dhe detyrimin shtetëror që t’i mbajë si të tilla, sepse janë krijuar me këtë logjikë, por në fushën e kërkimit të gjithë aktorët publikë dhe jopublikë për projektet që paraqesin të financohen pa dallim, nëse është publik apo jo, për të realizuar projekte të caktuara. Pra, në fushën e financave ka shumë elementë që do të duhet të diskutohen; është problemi i qëndrimit ndaj tarifave të shkollimit se sa do të jenë, cilët do të jenë kompetencat e vendimmarrësve të universiteteve në raport me qeverinë. Pra, një diskutim që unë nuk dua t’i paraprij me konsiderata të miat, por do të pres se çfarë do të na ofrojë grupi për t’u shprehur pastaj gjithë të interesuarit. Kanë filluar shfaqen në media opinione të tilla që universitete jopublike sugjerojnë sesi do të  funksionojnë nga pikëpamja zgjedhore universitetet publike, pra shkalla e interesit është e tillë. Opinione të tilla tregojnë direkt apo indirekt interesimet për këtë reformë që do bëhet, jam optimist që do bëhet më mirë, por duhen kombinuar me reformat në arsimin parauniversitar, sepse arsimi universitar dhe i mirë të jetë, nëse “lënda e parë” ka nivel jo cilësor, sado furrtarë të mirë të jenë këto të arsimit të lartë, me miell krunde nuk bëjmë dot bukë të mirë. Kështu që të gjithë së bashku do të jemi në të njëjtën linjë për të përgatitur specialistë të mirë të fushave të ndryshme. Është hapur dhe një dritare e mirë për struktura që duhet të orientohen. Tregu ka filluar të japë mesazhe, ka nevojë për arsimin profesional. Kuptohet që ngandonjëherë administrata mund të ketë dëshira të parakohshme për të orientuar, por unë kam mendimin që jemi në momentin e mesazheve që po jep tregu. Edhe ky drejtim i arsimimit, jam optimist, që do të ecë mirë dhe do të ketë kontingjente të mira nxënësish që do të ndjekin dhe këtë fushë të arsimimit.

Fakulteti i Mjekësisë t’i rikthehet Universitetit të Tiranës

Të gjithë ju e  dini, që nuk ka më shumë se një vit që Fakulteti i Mjekësisë është ndarë si strukturë më vete. Strukturat e Universitetit të Tiranës dhe strukturat e fakulteteve të Mjekësisë dhe Shkencave Mjekësore Teknike kanë përgatitur një raport, nëse ishte efektive ndarja apo jo. Në raportin me 7 faqe nuk gjen një rresht që argumenton që duhet bërë ndarja, por megjithatë meqë kishte një dëshirë momentit të politikës, por edhe të vetë strukturave të vetë fakultetit, të cilët tashmë e kanë verifikuar që ishin në gabim. Unë si Rektor kam qenë i qartë që në momentin që u shfaq si ide, pasi kisha parë eksperiencat botërore. Ka pasur vetëm një eksperiencë në Europë që ishte Austria. Atje u krijuan universitete mjekësore të pavarura dhe eksperienca është e dështuar. Kështu që mendoj se Universiteti Mjekësor duhet të bëjë një analizë të kësaj periudhe 1- vjeçare. Pra, ka një vit eksperiencë, është më mirë apo më keq, çfarë fituan dhe çfarë humbën? Janë disa analiza që ne ia mësojmë studentëve, analizat SWOT, avantazhet disavantazhet, ta bëjnë këtë analizë dhe pa preferenca lobingjesh dhe individësh, në të mirë të shkollimit universitar, të konkludojnë në ka avancuar pozitivisht apo negativisht. Në qoftë se u del analiza që situata është në regres, derën e kanë të hapur për t’u rikthyer në strukturat e Universitetit të Tiranës. Unë i uroj t’u shkojë mbarë, por nëse jo duhet të rikthehen, pasi i kanë cenuar integritetin Universitetit të Tiranës, si universiteti i memories historike i arsimit shqiptar, si universiteti që mburren shqiptarët jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë. Megjithatë, kjo është një analizë që ata duhet ta bëjnë vetë. Ndërsa porsa i përket emërimit të rektorit, natyrshëm, unë nuk jam për emërime drejtuesish. Vetë autoritetet drejtuese duhet të kërkojnë vetëbesimin. Ligji me të vërtetë e parashikon emërimin në një universitet të ri, por në gjykimin tim ajo nuk është strukturë e re, është strukturë që ishte, që funksiononte. Pra zgjedhja në vetvete dhe marrja e votëbesimit është fuqi drejtimi, është fuqi besimi nga ata që ti do të drejtosh. Megjithatë, për të konkluduar unë gëzoj gjithmonë kur dëgjoj për fakultetet që merren me mjekësinë, të dy fakultetet bazë dhe tre të rinjtë.  Kam dëshirë që atyre t’u funksionojë çdo gjë mirë, se është një nga fushat ku përgatiten specialistë tek të cilët do të trokasim të gjithë. Për mua duhet të jetë prioritet i prioriteteve, po analizën është e nevojshme ta bëjnë ata vetë. Unë kam një analizë dhe gjykim timin, por dua të them që derën e kanë të hapur nëse arrijnë në përfundimin që duhet të rikthehen tek ne. Dhe nëse kjo ndodh, vijnë me një mbështetje dhe angazhim të gjithë strukturave të UT, siç edhe i kanë pasur.