Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se qeveria ka miratuar Udhërrëfyesin Kombëtar për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, një dokument strategjik që përcakton objektiva konkrete dhe të matshme për zhvillimin e vendit në fund të kësaj dekade.
Në podkastin “FLASIM”, Rama theksoi se vendimi u mor menjëherë pas hapjes së fazës përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe lidhet drejtpërdrejt me vizionin për Shqipërinë e vitit 2030.“Menjëherë pas asaj dite të shënuar në Bruksel, ku hymë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ne jemi ulur dhe kemi miratuar disa vendime të rëndësishme që lidhen me Shqipërinë që duam të ndërtojmë deri në fund të kësaj dekade”, u shpreh Kryeministri.
Sipas tij, puna e institucioneve do të vijojë të fokusohet në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit europian, paralelisht me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.
“Një Shqipëri për të cilën puna përqendrohet sigurisht te përmbushja e objektivave që kanë të bëjnë me mbylljen e 33 kapitujve të negociatave sipas kalendarit të dakordësuar, në mënyrë që të realizojmë objektivin, por njëkohësisht një Shqipëri që, në këtë kontekst, me Udhërrëfyesin Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030, një dokument i miratuar menjëherë pas Brukselit që përcakton objektiva konkrete dhe të matshme për zhvillimin e vendit në vitet që vijnë, ne në thelb realizojmë një plan që orienton institucionet tona drejt prioriteteve të lidhura me ekonominë, me arsimin, shëndetësinë, mjedisin, mirëqeverisjen dhe, në tërësi, cilësinë e jetës”, deklaroi Rama.
Kryeministri njoftoi gjithashtu miratimin e një partneriteti strategjik me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027–2031, që synon mbështetjen e Shqipërisë në fusha kyçe të zhvillimit.
“Po ashtu, kemi miratuar edhe një partneritet strategjik me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027–2031, për një bashkëpunim që do ta mbështesë Shqipërinë në disa prej fushave më të rëndësishme të zhvillimit, duke filluar nga kapitali njerëzor dhe transformimi ekonomik, te rritja e gjelbër, drejtësia gjithmonë dhe pa dyshim, si dhe, në tërësi, forcimi i institucioneve”, tha ai.



















