Aksident tragjik në aksin Levan-Tepelenë, 3 të vdekur, 5 të plagosur

383
Sigal

Vazhdojnë aksidentet rrugore ku shënojnë dhe viktimat e radhës. Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti të ndodhur ditën e djeshme në aksin rrugor Levan-Tepelenë. Sipas policisë, në aksident kanë humbur jetën Haxhi Mani, Shkëlqim Zaimi dhe Jeto Pashaj. Dy prej viktimave udhëtonin me mjetin tip Renault, ndërsa i treti është shoferi i furgonit. Ndërkohë pesë të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Të plagosurit udhëtonin drejt Greqisë me automjetin me targë AA746DA. Ata janë identifikuar si: Armando Jahaj 36 vjeç nga Patosi, Teki Hoxhaj 65 vjeç dhe bashkëshortja Dallëndyshe Hoxha 55 vjeç nga Visoka, Fier, Arben Merkaj 37 vjeç nga Ballshi dhe një fëmijë 2-vjeçar. Burime nga policia bëjnë të ditur se tre automjete janë përplasur në afërsi të fshatit Kafaraj. Mësohet se në aksident është përfshirë një furgon me targë AA881GJ, një autoveturë me targë AA746DA dhe një tjetër mjet tip “Renault”, targat e të cilit nuk duken pasi janë shkatërruar tërësisht. Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e aksidentit, ndërsa policia po punon për të zbardhur ngjarjen. Paraprakisht dyshohet se aksidenti është shkaktuar nga mjeti tip “furgon”, drejtuesi i të cilit ka humbur jetën, i cili ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Nga dëshmitë në vendin e ngjarjes mësohet se furgoni që vinte nga Tepelena në drejtim të Fierit, i ka prerë rrugën automjetit tip “Renault”, ku 2 persona humbën jetën, dhe më pas është përplasur me mjetin tjetër.