Digjet burgu i Rrogozhinës, plagosen 21 të dënuar, një në gjendje të rëndë

706
Sigal

RROGOZHINË/ Përkundër versionit zyrtar të masës në rrjetin elektrik, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme për arratisje

Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme në burgun e Rrogozhinës, ku nga flakët kanë marrë plagë djegie 21 të dënuar. Njëri prej tyre, është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku sipas mjekëve, vazhdon të jetë në gjendje kritike për jetën. Burime zyrtare konfirmojnë se zjarri ka rënë rreth orës 20:30 të ditës së premte në mjediset e brendshme të institucionit. Fillimisht, u pohua se zjarri lidhet me një tentativë të mundshme arratisjeje, ndërsa si shkak i zjarrit u tha se ishte shpërthimi i një bombole gazi.  Por që një orë më pas, drejtori i këtij burgu, Fredi Doksani tha se, shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike dhe se, “nuk ka pasur zjarrvënie për tentim arratisje”. Rreth mesnatës u konfirmua se 21 të burgosur me plagë djegie janë dërguar për ndihmë në spitalin e Rrogozhinës, në atë të Kavajës dhe në spitalin e Durrësit.

 NGJARJA

Mësohet se, shpërthimi i zjarrit ka qenë shumë i shpejtë dhe përhapja e tij në mjediset e burgut gjithashtu. Për pasojë, në mjediset e këtij institucioni, është krijuar një kaos, pasi tymi dhe flakët vështirësonin hapjen e dyerve të qelive e nxjerrjen e të dënuarve në oborrin e  burgut. “Zjarri dyshohet se është vënë nga vetë të burgosurit me tentativë për arratisje të mundshme. Por më vonë, titullarët e institucionit dhe një i burgosur në linjë telefonike për një televizion në Tiranë, e mohuan këtë fakt. U tha se shkak i zjarrit të fuqishëm ka qenë shkëndija elektrike në mjediset e brendshme dhe jo shpërthimi i bombolës së gazit”,- shtuan burimet për “Telegraf”. Forcat zjarrfikëse dhe policia kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë vënë situatën nën kontroll, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve, që mund të kishte çuar në një tragjedi.

TË PLAGOSURIT

Fillimisht, qe tepër e vështirë të saktësohet numri i të plagosurve si dhe mundësia e shpejtë për t’u dhënë ndihmë mjekësore. Rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, nga policia e burgut u konfirmua nga policia e Kavajës bëjnë të ditur se, si pasojë e tymit dhe djegieve, rreth 21 të burgosur kanë shfaqur probleme në frymëmarrje dhe janë nisur nën masa të rrepta sigurie, drejt spitalit të Rrogozhinës dhe Kavajës. U tha, gjithashtu, se pjesa më e madhe e të dënuarve janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, njëri në spitalin e Kavajës dhe tjetri në urgjencën e Durrësit. Një i dënuar, me djegie të rënda, po nën masa sigurie është nisur në drejtim të Tiranës, për ndihmë të kualifikuar. Ndërsa numri i të asfiksuarve të tjerë, është mbi 50-të. Njëri prej të dënuarve, në një komunikim telefonik në televizion bëri të ditur se, zjarri në brendësi të burgut është shuar nga vetë të dënuarit, ndërsa shkak ka qenë një shkëndijë elektrike. “Gjendja tani është e qetë. E stabilizuam ne dhe jo nga jashtë. E shuam ne zjarrin. S’ka fare zjarrfikëse. Janë 50 vetë të asfiksuar. Ishin gjashtë dhoma të gjitha në flakë. Dhomat janë nga 8 nga 10 nëpër dhoma. Ka qenë shkëndijë elektrike, jo shpërthim bombole. Instalimet janë shumë të vjetra. Po të mos ishim ne që e shuam zjarrin do kishin vdekur 50 vetë sonte. S’bëhet fjalë për revoltë apo tentativë për arratisje fare”,- u shpreh ai.

MISTERET

Deri pas mesnate, nuk ka pasur një komunikim zyrtar për shkakun e vërtetë të zjarrit dhe pasojat e tij. Nuk përjashtohet, që ashtu siç u than ë fillim, zjarri të ketë qenë i qëllimshëm me synim arratisjen e mundshme të një grupi të dënuarish. Teksa forca e mjete të shumta, përforcim nga Tirana, përfshi prokurore e forca speciale kanë qenë gjatë natës në Rrogozhinë e pranë të plagosurve në spitale, po hetohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.