Përjetime nga libri “Këshilluesi gjuhësor” i Muhamet Cenkos
Telegraf.al / “Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme…” Eqrem Çabej.
Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar është fryt i përpjekjeve të shumë brezave, që kanë punuar e luftuar pareshtur, madje edhe duke sakrifikuar. Ishin ato përpjekje që çuan në Kongresin e Manastirit (1908), i cili vendosi një alfabet të vetëm të gjuhës shqipe; në vendimet e “Komisisë Letrare të Shkodrës”(1916-1917), e cila kodifikoi përfundimet kryesore të përpjekjeve të bëra gjatë Rilindjes për gjuhën letrare kombëtare dhe që u miratuan edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) duke ruajtur sa më shumë të përbashkëta, atë që i afronte variantet letrare të shqipes e duke lënë mënjanë atë që i largonte. Vendimet e Komisisë Letrare u bënë baza e drejtshkrimit të shqipes deri në vitet e para pas Çlirimit. Në vazhdim erdhi natyrshëm Kongresi i Drejtshkrimit, më 1972, i cili vendosi për herë të parë rregullat e njësuara drejtshkrimore të gjuhës shqipe, që përdoren edhe sot. Padyshim që libri “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973, shërben edhe në ditët e sotme si bazë e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe, ndërsa pas botimit të tij janë shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen edhe shumë e shumë libra të tjerë gjuhësorë në nivel akademik, libra shkollorë, por dhe studime të thelluara dhe artikuj gjuhësorë, që mbështetin, thellojnë apo pasurojnë gjuhën letrare kombëtare të njësuar. Në këtë atmosferë Muhamet Cenkoja sjell te lexuesi librin e tij “Këshilluesi gjuhësor” me të cilin afirmohet si një intelektual dhe qytetar atdhetar e i vëmendshëm, që reagon ndaj vërshimit të gabimeve të shumta drejtshkrimore, që cënojnë sot gjuhën letrare shqipe të njësuar. Nëpërmjet këtij libri ai përpiqet të ndikojë dhe të na këshillojë me modesti se si të shkruhet shqip sa më mirë, sa më qartë, kuptueshëm dhe pa gabime drejtshkrimore. Duke shkruar për fjalët, shprehjet apo tekstet e shkruara gabim, ai këshillon ndreqjen dhe korrigjimin e tyre, duke ia arritur të na bëjë më të ndjeshëm, më të interesuar dhe më aktivë në mbrojtjen e gjuhës shqipe standarde.
Libri “Këshilluesi gjuhësor” sapo ka dalë në treg. Ai ka si bazë nisjeje faqen e veçantë të internetit “Këshilluesi gjuhësor’”, që drejtohet nga vetë z. Cenko. Këtë faqe tërheqëse dhe me vlera, ai ka rreth 10 vjet që e ka çelur dhe deri më sot ajo ka mbi 13 mijë ndjekës, që janë nga Shqipëria, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe shqiptarë të vendeve të ndryshme të Evropës, Amerikës etj. Ata shprehin pëlqime, bëjnë komente, tregohen të interesuar dhe bëjnë pyetje për probleme të ndryshme gjuhësore. Libri “Këshilluesi gjuhësor” çelet me alfabetin e gjuhës shqipe dhe vijon me “Disa njohuri për tingujt – fonema të gjuhës shqipe”. Autori citon shkrimtarë të mëdhenj dhe ligjërues të rrallë të gjuhës shqipe si N. Frashëri, Mjeda, Noli, Konica, Fishta, Poradeci, teksa e cilëson gjuhën shqipe – një enciklopedi të gjithë jetës së popullit tonë. Autori na informon se në këtë libër “nuk ka shkruar vetëm për drejtshkrimin e zanoreve, apo të bashkëtingëlloreve, por edhe për përdorimin e apostrofit, shkrimin e fjalëve njësh, ndaras dhe me vizë në mes, përdorimin e shkronjave të mëdha, ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit, shkrimin e datave, përdorimin e shenjave të pikësimit, zëvendësimin e fjalëve të huaja me fjalë të shqipes etj. Cenkoja tërheq vëmendjen gjithashtu, që të respektojmë më shumë gjuhën amtare. “Në familje, – shkruan ai, – në shtëpi, vendlindje etj. mund të flasim edhe në dialekt, por në institucione duhet të flitet e të shkruhet vetëm në gjuhën standarde”. Këtë mendim ai e mbështet edhe me një thënie të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, i cili në një intervistë të tijën thotë: ”Natyrisht kur ka një gjuhë standarde, asnjë vend në botë nuk lejon që në shkolla, në shtyp, në radio, televizion etj. të flitet e të shkruhet në dialekte apo të folme krahinore”. Muhameti e shpreh shpeshherë interesimin e tij për pastërtinë e gjuhës letrare të njësuar shqipe, madje edhe kur lëviz në rrugë, në sheshe e qytet, në institucione shtetërore, kulturore, sociale, ekonomike, ushtarake, politike; në shkolla, lokale, shitore, sikurse dhe në veprimtari që zhvillohen për kulturën dhe librin. Për ilustrim përmendim këtu disa fjalë, apo shprehje ku autori tërheq vëmendjen e lexuesit. Ai nis me fjalën nëpunës, e cila shpeshherë shkruhet nënpunës. Vijon me fjalën Mirë se vini!, e cila shkruhet shpeshherë bashkë Mirësevini!. Madje, siç vëren autori, kjo fjalë shkruhet gabim edhe në shkolla, në hyrje të tyre, në një kohë kur shkolla ka mësues të gjuhës shqipe, të cilët nuk duhet të lejojnë gabime të tilla drejtshkrimore. Autori ka kurajën ta mbrojë standardin e gjuhës shqipe, në drejtshkrim dhe në drejtshqiptim edhe në institucione të nivelit të lartë, si Kuvendi i Shqipërisë, ku edhe deputetë, të thjeshtë, apo me detyra të larta, shprehen apo shqiptojnë fjalë jashtë standardit të shqipes. Teksa, si pa kuptuar Cenkoja na mëson të gjithëve se s`duhet të pajtohemi me shkrimin plot gabime të emrave të rrugëve dhe shesheve. Ai nënvizon: ”Po të ecësh Rrugës së Kavajës, do të vësh re se nëpër tabela ka emërtime që nuk janë shkruar përshtat normës drejtshkrimore. Kështu, afër qendrës së qytetit, në një tabelë të madhe janë shkruar emërtimet: sheshi Skënderbej dhe posta Shqiptare, për të cilat autori në rolin e këshilluesit gjuhësor na këshillon se ato duhen shkruar Sheshi Skënderbej dhe Posta Shqiptare. Ai vijon të sqarojë se emërtime të tilla duhen shkruar pa gabime. Autori ka vënë re gjithashtu edhe emërtime të tilla rrugësh, si rr Shyqyri Bërxolli apo rr Him Kolli, kur ato duhen shkruar Rruga Shyqyri Bërxolli dhe Rruga Him Kolli. Këtu ai vë në dukje se në këto emërtime, në tabela duhet të shkruhet me shkronjë të madhe edhe fjala e parë, teksa sqaron se emrat e rrugëve e të shesheve në tabelat përkatëse nuk duhet të vihen në thonjëza. Autori vëren edhe mospërdorimin e nyjave të duhura në disa tabela të tjera, ku tregohen emra rrugësh, sheshesh, shitoresh. Kështu ai ka gjetur të shkruar gabim togfjalësha, si: Rruga Dibrës, Sheshi Flamurit, Mulliri Vjetër etj. Ato duhen shkruar: Rruga e Dibrës, Sheshi i Flamurit, Mulliri i vjetër. Autori këshillon: “Njerëzit që shkruajnë tabelat, posterat, reklamat etj. duhet të jenë specialistë të gjuhës shqipe, të njohin e përdorin mirë standardin.”
Mësuesit, gazetarët dhe shkrimtarët, kambana e parë kundër gabimeve drejtshkrimore
Muhamet Cenkoja vëren se veçanërisht në mediat televizive dhe në botimet e gazetave e librave, ka gabime të shumta drejtshkrimore. Krahas tërheqjes së vëmendjes, ai këshillon se: “këto media televizive duhet të jenë edhe më të vëmendshme ndaj problemeve të gjuhës shqipe, aq më tepër të drejtshkrimit të saj”. Ai sugjeron që, ashtu sikurse në institucionet qendrore të shtetit janë emëruar redaktorë gjuhësorë, edhe mediat televizive duhet të kenë doemos specialistë të gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj. Ata duhet të kalojnë në filtër tekstet e gazetave apo ato televizive, më parë se ato t`i bëhen të njohura publikut. Ka ndjeshmëri ky problem me mësuesit, gazetarët dhe shkrimtarët, sepse janë ata të cilët japin dhe mund të japin edhe në të ardhmen një mbështetje dhe ndihmë të madhe për përhapjen dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe të njësuar, si dhe të drejtshkrimit të saj. Lexuesi kur e lexon një artikull, një libër në prozë apo vargje, natyrshëm ngulit në mendje edhe sesi janë shkruar fjalët, shprehjet, dialogët, fjalët me vizë në mes, si nisin paragrafët, si vihen shenjat e pikësimit, pika, presja, pikëpresja, pikëçuditja, pikëpyetja, dy pikat, si bëhet ndarja e fjalëve në fund të rreshtit etj. Ndaj, specialistët e gjuhës, mësuesit, gazetarët, shkrimtarët ta kenë çështje të parë drejtshkrimin sapo vendosin fjalën e parë në letër apo në krye të artikullit apo të librit që shkruajnë, teksa librat e shumtë që shkruhen e botohen, doemos duhet ta kenë redaktorin dhe korrektorin gjuhësor, jo thjesht si emër. Në vazhdim autori shkruan se edhe në institucione publike ka gabime të shumta drejtshkrimore, që duhen korrigjuar doemos dhe urgjentisht. Kështu shkruhet arshiva në vend të fjalës arkivi, shkruhet arshivistja në vend të fjalës arkivistja. Gabime të tilla i sheh edhe në faqet e shtypit të përditshëm. Te rubrika “Fjalë shqipe në vend të fjalëve të huaja” autori nënvizon: ”Është thënë shpesh që, kur i kemi fjalët tona në shqip, s`kemi pse të përdorim fjalë të huaja. Por, janë të shumta rastet kur fjalët e huaja përdoren pa vend dhe pa qenë nevoja. Përdorimi i tyre shpesh bëhet jo për mungesë në gjuhën shqipe, por për mbivlerësim të gjuhëve të tjera, për t`u dukur më modern etj.” Mund të themi se përdorimi pa vend i fjalëve të huaja të panevojshme nga disa njerëz, të cilët duan të bëjnë përshtypje tek të tjerët, nuk tregon kulturë, por krahas mendjemadhësisë tregon se ata kanë mangësi të dukshme në leksikun e gjuhës shqipe. Personalisht do ta quaja “Këshilluesin gjuhësor” të Muhamet Cenkos një libër praktik tavoline, por që ka vendin e vet edhe në bibliotekë, në krah të shumë veprave të tjera të shkruara nga gjuhëtarët tanë.