Timo Mërkuri: Vargjet e bardha të një dashurie të ngrohtë jugu, Shënime mbi librin e ri poetik “Dashuri Jugu” të Fatmir Terziut

329
Sigal

Jemi njohur me poezinë e Fatmir Terziut nëpërmjet publikimeve të tij, kryesisht te portali “Fjala e Lirë”,  aq të shpeshta, sa që po të rastisë ndonjë ditë pa një poezi të tijën, ndiejmë një si mungesë brenda vetes. Si shumë miq edhe unë mendoja se kjo “ndjenjë mungese”  e kishte burimin pikërisht tek ambientimi me ritmin e publikimeve të poezive të tij që i ngjante “rënies së pikave të shiut”. Por u desh të lexoja pikërisht një poezi të tij me titull “Retë mbi Himarë” në vëllimin  e tij të ri poetik “Dashuri Jugu”, që të konstatoja se tjetër është arsyeja e ndiesisë  së mungesës .

I-Është pikërisht lirizmi i tij poetik, arsyeja që na e bën të kërkueshme dhe të pëlqyeshme poezinë e tij, një lirizëm tipik, që formaton stilin e tij poetik. Është pikërisht ky lirizim  që na krijon një ndiesi hapësire, përkundër disa tipe vargjesh që “zvarriten” nëpër portale. Vargjet e tij të lira, që krijojnë “dritare” të gjera shikimi nëpër to në diferencën e gjatësisë mes tyre, drita dhe ajri që depërtojnë nëpër këto “dritare”  ta ëmbëlsojnë  poezinë dhe e dritësojnë leximin , duke të treguar njëkohësisht se ky lirizëm është elementi më i  dukshëm i stilit të tij poetik. Në poezitë e tij edhe kur flitet për mot të vrenjtur, mbi vargje ndrin një dritë ,që dhe kur nuk duket, ndjehet:

Edhe nëse bie shi,

retë mbajnë peng vetveten mbi Himarë.

Dhe një tufë pulëbardhash,

si një ogur i mbarë,

mbeten mysafirë në sytë e mi,

ndërsa shkruaj vargjet e bardha

për këtë poezi.

“Retë mbi Himarë” fq 49-50

 

Ose kur shkruan te poezia “Guri i Qafës së Muzinës” (fq 51):

…Ai tregon përrallat e shiut nën çatinë e vjetër të shtëpisë…nuk ndjen kurfarë  “lagështie ajrore” nëpër vargje e jo më të ndjesh pikat e shiut të të “lagin”.

II-Vargu i tij poetik ka një ritëm të brendshëm të lehtë, që i ngjan  ecjes së vajzave të dashuruara si në majë të gishtave, si duke “fluturuar” mbi gurë e lule. Nuk ka  “pesha të rënda” metaforike, sepse nuk mban “çanta zbori”. Më së shumti, zhurma e ritmit të poezisë së Fatmir Terziut është si një e qeshur të rinjsh të zhurmshëm apo si thirrje drejtuar njeri-tjetrit:

Dil o Yll i mëngjesit dil,

si atëherë mbi Eksamil!

Ksamil fq 43

III-Në poezitë e këtij vëllimi të Fatmir Terziut, shumë tema poezish janë nga viset e mia joniane  ku poeti ka qenë vizitor i shpeshtë, kryesisht nëpër aktivitetet tona poetike. Ka ardhur si poet, ka vrojtuar njerëzit dhe natyrën si poet dhe ka marrë gjithçka, që marrin poetët. Kjo të krijon përshtypjen se është arsyeja që në poezitë e tij ka shumë kaltërsi, qoftë kaltërsi e një qielli të pastër, qoftë kaltërsi  e Jonit. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se ai e ka  kaltërsinë e natyrës dhe çiltërsinë e njerëzve pjesë të artit të tij poetik:

…u pikturua

Dea e madhërishme në qiell

dhe në atë mëngjes shumëngjyrësh,

vargjet e mia fjetën në një shtrat,

me mjaltin e dashurisë.

“Liqeni i Butrintit” fq 39 . Ndërsa te poezia “Qeparo” fq 37 ku shkruan:

…Ndërsa dëgjova rrëfimin e Dukeshës Camilla,

fjalët e saj të bukura u pagëzuan nga kopshtet,

me një aromë të lashtë lirie,

duke mbjellë historinë e Bregut me lule

për vargjet e kësaj poezie…

 

IV-Gjatë leximit kupton dhe ndjen se poeti e ka  kaltërsinë e natyrës dhe çiltërsinë e shpirtit  pjesë të artit të tij poetik. Ai shkruan me dashuri për njerëzit, ai jep dashurinë e tij në poezi si dhe në jetë, sepse duke dhënë dashuri njeriu ndjehet  mirë, poeti ndjehet i plotë.

Para një nëne të moshuar

përkulem.

I jap një lule të freskët me duar.

Ajo: pëshpërit me vete,

një fjalë të huaj,

„Efkharistó polý“.

 

Unë: e mbaj fort në sy!

Një njeri që nuk ka dashuri të vërtetë

nuk mund të dhurojë një lule vëllazërimi,

në jetë.

 

Ka lule në shpirt, pa shpirt s’ka dashuri

s’ka poezi! “Në Finiq” fq 40.

E lexova këtë poezi dhe u krenova me mikun tim Fatmir Terziu, ndërsa u ndjeva ngushtë që shumë bashkëkrijues nga viset e mia nuk kanë mundur të shohin bukurinë njerëzore të një plake minoritare, e rrudhur nga hallet e jetës, veshur me roba të zeza, por me sy që përcillnin dritën e një zemre të bardhë. Fatmir Terziu arriti ta shohë këtë dritë shpirti në sytë e saj, mori nga ajo dritë dritësimin e saj, ashtu siç marim në kishë dritën e Pashkës së Madhe për ta shpurë në shtëpitë tona, për ta dritësuar jetën tonë. Fatmir Terziu e mori këtë dritë për të dritësuar poezinë e tij. Prandaj gjithmonë sheh vetëm më të bukurën dhe më të mirën te ditët dhe te njerëzit, prandaj dhe në vargjet e tij është një bukuri njerëzore që të zbukuron ditët me leximin e tyre, janë si vajza bukuroshe që bëjnë sfilata në konkursin Mis Albania:

…Valët e kristalta dallgëzohen

përmes zmaltit që melos syrin e lagur.

 

Bukenvilet shpotisin mes vetes,

shpërndajnë majanë e bojës.

Ndërsa pëshpëritjet e kohës,

mbledhin rima,

vargje të bardha si stërkala.

 

Çdo poezi ka sfilatën e saj.

“Qafa e Gjashtës” fq 38

Është pikërisht kjo ndjenjë që krijon vargje të rubinta:  “Zëri është si një vajzë e lindur nga valët e tretura” , “Zëri është e gjitha. Bukuritë/të gjitha hijeshojnë kopshtin e bekuar/

me lulet e tyre shumë ngjyrëshe të dashurisë”   “Gumenicë” fq 44

V- Le t’i rikthehemi poezisëShi në Llogara” (fq 35-36) te disa vargje që të mbeten në mëndje:

Dhe ti zbret. Dhe zbret,

…………………………………

ndërsa mendimet prekin atë që lënë pas sytë…

Është në natyrën e tij meditimi mbi vizionet, ngjarjet, njerëzit për të zbërthyer te ato pikërisht esencialen, tipiken e tyre për ta vendosur në poezi, si te poezia “Nën themelet e një hoteli në Sarandë”:

U flas syve.

Gjuha flet me heshtjen e tyre.

…………………………………..

Në themelet e një hoteli.

heshtja qëndron te burimi,

përsëri ngërç në rrënjët tona.

 

Në themelet e një hoteli,

nën beton,

shfletoj mes heshtjes historinë e dhimbshme

të racës sonë.

 

Është e dhimbshme të pohojmë dhe pranojmë se historia e qytetit tim, që rëndom quhet arkeologji  ndodhet nën betonet e hoteleve dhe pallateve të qytetit tim. Një ose dy raste ka konstatuar rastësisht poeti dhe më pas u ka rënë “kambanave” poetike, për të dëgjuar ata që kanë veshë.

Citimi i poezive të Fatmir Terziut bëhet një dëshirë e papërmbajtshme, ca më tepër kur gjen në mes të tyre emrat e kolegëve të tu, të cilët  të duken më të ndritshëm, madje me një brerore poezie mbi krye.

Të mos e fsheh, është ndër librat poetikë që të mbush me dritë e ngrohtësi kur e lexon.