Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Të puthësh fort binjaken jetime

143
Sigal

Koha tregon, se në përjetimet njerëzore,

njeriu ka kurdoherë, dy binjake me vete:

Binjakja jetë, kur lind të merr përdore,

binjakja vdekje, të ndjek pas, në heshtje.

Mjafton të hedhësh një hap, në greminë,

të përdorësh drogat, me etje të lakmuar,

të nxjerrësh plumbin e gojës, me zemërim,

ose të hash porcion ushqimi, të helmuar.

Të prekësh pa vëmendje, armët e dorës,

të gjuash padashur veten, në vend të derrit.

Sidomos të hash kilometra, përtej normës,

duke lejuar makinën, të marrë furinë e ferrit.

Apo kur lejon veten, të tërbohesh në qejfe,

të harbohesh me duf, pa i vënë fre kokës,

binjakja vdekje, befas të rrëmben me vete,

në strehën e saj prej dheu, brenda nëntokës.

Pra, je gjithmonë viktimë, e binjakes mortore,

nëse nuk shmangesh, nga rastet me rreziqe.

Shpëtim gjen te binjakja jetike, që të ka përdore,

deri në fundin e pashmangshëm, të moshës në ikje…

Binjaken tinëzare, lë duarbosh, në shtegun ku përgjon,

vetëm kush puth binjaken jetike dhe fort e shtrëngon!…