Suplementi Pena Shqiptare/ Miltiadh Davidhi: Ditë pashke ishte

Miltiadh Davidhi

 

Ditë pashke ishte

NOA

Veza që thyhet është veza e mallit tim,

e te vendi i krisjeve nxjer lot

me kaq ngashërim.

Ku je Aleksandër, Filip,

Ku je Violetë,

e Kristinë?

 

Me mollëza të kuqe si vezët,

në ditë të ftohta e me erë.

Fëmijëria vraponte pa kthim.

Ku je Aleksandër, Filip,

Ku je Violetë,

e Kristinë?

Si dikur rend që t’u kapë,

si ylli yllin nga lindja në perëndim.

Ku je Aleksandër, Filip,

Ku je Violetë,

e Kristinë?

 

Si sot ditë pashke ishte;

një ditë e vërtetë e jo ëndërrim,

e ne si zogj të uritur në fluturim.

Ku je Aleksandër, Filip,

Ku je Violetë,

e Kristinë?

E qeshura juaj tretur nëpër erë,

më ndjek nga pas,

si dritëz e mjerë.

 

Do derdhja dhe shpirtin

e veshur në ar,

të luanim dhe njëherë,

si vite më parë!