Suplementi Pena Shqiptare/ Flutura Açka: Welcome to Albania, Mom!

523
Sigal

Një përmbledhje modeste si kujtim në dy-vjetorin e lamtumirës së Jerin van den Brink

Diku nga mëngjesi, pasi e kisha lexuar këto dy ditët e fundit edhe një herë me kujdes të gjithin, i ndërrova muajin dhe i vura pikë librin tim më të ri, të fundit, të radhës. Dhe e nisa për t’u faqosur. Zhanrin e tij nuk e kam të qartë, është një requiem për tim Bir, autofiksion, vetërrëfim, ose mbase të gjitha këto nga pak. Fundja unë jetë romanesh kam patur, të mbushur me të gjitha lëkundjet, edhe ekstreme, të një jete që s’më del jeta për ta rrëfyer.Tek e shkruaja librin tim, që për shkak të grackës që e zuri këtë botë të madhe nga Covid-19, nuk e botova dot në maj, sikurse kisha menduar, u mëdysha shumë në duhet t’i përfshija në të disa tekste të shkruara nga im Bir, të cilave u referohem herë pas here në librin tim. Por ishte shumë tekst dhe nuk e gjeja të drejtë t’i bëja të miat gjëra që nuk i kam shkruar vetë, ato janë të shkruara në original në anglisht, ndaj mendova t’i përmblidhja të ndara nga libri im dhe t’i paraqisja me një titull domethënës për ne, një batutën tonë të hershme: “Welcome to Albania, Mom”. Pjesa më e madhe janë tekste të tij në formë esesh, të cilat nuk ka menduar kurrë se edhe mund të botohen, një tregim, të vetmin që shkroi, nja dy-tri poezi, ese për historinë, edhe atë shqiptare, kritika të shkurtëra letrare të këndshme, të gjitha të shkruara prej tij gjatë viteve të shkollës e që janë përfshirë në këtë libër siç i ka shkruar ai. Një ditë, duhet të ketë qenë maji i vitit 2016, im Bir nisi të më fliste gjatë për një poezi të njohur të Wislawa Szymborska-s, “Nonreading” dhe përpara kishte këtë letër me shënimet e tij. Ai foli me pasion për poezinë rreth një orë, njëlloj siç do të duhej të fliste mbase edhe në klasë, pasi ajo ishte poezia që i ishte ngarkuar atij për ta komentuar. Unë kam qenë një dëgjuese e mirë e tij, dhe atë çast isha në rolin vetëm të dëgjuese dhe nuk mbajta dot shënime të atyre fjalëve të bukura, por më ka mbetur kjo letër me shënimet e tij si dëshmi e asaj dite. Sikur njeriu të dinte të lexonte të ardhmen e tij, mbase do të dinte t’i dreqte më mirë disa gjëra, t’i ruante më mirë disa kujtime dhe të vinte një rregull tjetër në jetën e tij, por kjo mbase do t’ia kishte zhbërë palcën jetës, ajo nuk do të ishte më spontante dhe mund të ishte edhe më e mërzitshme. Titullin e këtij libri modest që ia përmblodhëm si kujtim për dy-vjetorin e ndarjes nga jeta, e morëm nga udhëtimet tona të shumta. Ishim duke u kthyer nga Çamëria ku kishim kaluar disa javë pushime, kur pasi kishim kaluar Qafë Botë, e kishim lënë edhe Sarandën dhe po merrnim nga bregu, mu në një nga kthesat e rrezikshme të Lukovës, nja dy shoferë na parakaluan me shpejtësi skëterre. Ulur në ndenjësen e pasme dhe me të gjithë humorin e tij, im Bir më tha këtë shprehje, dhe si të kisha marrë ndonjë qetesues, ai nervozizëm i çastit më ra: “Welcome to Albania, Mom!” Mirë se vjen në Shqipëri, Mam. Kjo frazë ishte një farë kodi ynë i përbashkët që nënkuptonte se e donim Shqipërinë me gjithçkanë e saj, me spontanitenin, me marrëzitë, bujarinë dhe natyrën e patëdytë. Në këtë libër modest të tij, në dy gjuhë, anglisht dhe shqip, është përfshirë edhe Eseja e tij e Zgjeruar e diplomimit, një punim shumë serioz me temën e Sigurimit Shqiptar në diktaturë, por tek e shkruante, edhe pse gati e përfundoi, nuk e dorëzoi dot variantin përfundimtar të saj dhe në të ka ende disa shënime të mentorit të tij. Vendosi ta linte esenë e dimplomimit që do ta çonte në universitet, la edhe ëndrrën e diplomës, edhe ëndrrën e studimeve. Mund edhe t’i merrte, por do të ishte vetëm një copë letër, siç tha, që thjesht do ta heroizonte dhe do ta fuste te “djemtë heroikë, të cilët edhe në kushtet si të tijat, ia kishin dalë ta merrnin diplomën”. Ai nuk donte të mbahej mend si një i tillë hero, që kjo botë e kishte për zemër t’i përdorte si shembuj frymëzimi, edhe kur nuk i kishte, i shpikte nga askundi. I tha këto prerë, vuri kufjet për të dëgjuar muzikën e tij dhe u nda me botën tonë. Ishte dita kur u takua me drejtuesit e shkollët për t’ia dhënë këtë kumt vetë. “Welcome to Albania, Mom” (Mirëse vjen në Shqipëri, Mam) ka shumë dashuri për Shqipërinë dhe ngaqë i referohem shpesh në veprën time (ende të pabotuar), mund të ketë lexues që janë të interesuar ta lexojnë dhe do të jetë dhuratë për miq, të afërm, dashamirës, dhe të tjerë që do ta duan. Në “Welcome to Albania, Mom” ka përsiatje për disa personazhe që e kanë frymëzuar, si Frida Kalo, Sylvia Plath, Wislawa Szymborska, Woodrow Wilson, dhe disa tekte letrare e kritike që kanë të gjithë kufizimet e moshës kur i ka shkruar, por që përvijojnë një djalë me një botë të ndjeshme, por edhe më japin një anë të tij që nuk ia njihja dhe aq mirë, për shkak të natyrës së tij të tërhequr, mejtuese, të pafjalë, dhe mbi të gjitha, me një talent që kursehej ta shpallte dhe as besonte se e kishte. Nuk është libër kujtimesh, por tekstesh interesante të një djaloshi të ri plot ëndrra, që iu prenë nga ikja e parakohshme. Rrugofsh Parajsës, Bir! Tekstet e këtij libri janë përkthyer me shumë dashuri nga përkthyesi dhe bashkëpunëtori i Skanderbeg Books, Artan Qoqi Parathënia e librit nga Courtney Elizabeth Macaulay. Fotoja në ballinë nga Mente Wester, është një imazh i tim Biri tek tregon hartën e Shqipërisë, ndërsa janë duke zbritur në Rinas, korrik 2016