Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Një kuartet romanesh i Lela Dardha Kokona

553
Sigal

Romani i katërt, i një kuarteti romanesh

Pas tre romanëve të suksesshëm, sukses i dëshmuar nga shitja e të gjithë tirazheve të tyre, si “Kujtime të trishta”, “Fate të trashëguara” dhe “Dashuri rrëqethëse”, romancierja e talentuar Lela Dardha Kokona, del para lexuesve me romanin e katërt “Në telat e kitarës melankolike”. Ky roman i ri, është zëri i katërt i një kuarteti romanor, i cili bën të shquhet zëri i “sopranos” letrare, zonjës Kokona, mes tonaliteteve të larta, në prozën e gjatë të letërsisë shqipe të kohëve të fundit. Romani i shtrin skenat dhe ngjarjet e personazheve në dy breza njerëzor, në dy hapësira kohore, në dy shtete: Shqipëri dhe Greqi. Në kapitujt e tij, pleksen marrëdhënie të mprehta karakteresh të zgjedhur me kujdes, me interesa të ndryshme e me botëkuptime tejet te larmishme. Si dhe në konflikte të krijuara nga rrethana mjaft të besueshme dhe me një realizëm të konkretizuar, me mënyra intriguese tepër tërheqëse. Shkrimtarja Lela Kokona, me përvojën e saj mjeshtërore, të fituar nga tre librat e parë, ka ditur të renditë frazat dhe ligjëratat, në pozicione rreshtimi, që lehtësojnë narracionin dhe shpejtojnë leximin. Me rrjedhshmëri të kënaqshme, për këdo që do të marrë librin në dorë, nga faqet e para deri në ato të fundit. Linjat e dashurisë, zënë një sipërfaqe të gjerë në shtrirjen e përgjithshme të tekstit dhe krijojnë skena e përfytyrime të gjalla, që ngjallin emocione mjaft të forta në ndjenjat e lexuesit. Por dhe linjat e tjera të vuajtjeve dhe përpjekjeve, për të siguruar punë dhe të ardhura, në kushtet e disfavorshme të sistemeve, që kanë shkaktuar emigrimin për njerëzit, janë dhënë në përputhje të plotë me të vërtetat historike të ngjarjeve. Ndjenjat e zakonshme, si dhembshuria, keqardhja, urrejtja për veset e personazheve dhe bëmat e tyre, në veprimtarinë për të siguruar mbijetesën, vijnë krejt natyrshëm dhe e bëjnë këtë vepër proze, të marrë vlera të veçanta artistike. Stili narrativ i zgjedhur me monologë e dialogë të ndezur, mes tipave të shumtë dhe moshave të ndryshme, i japin këtij libri një formë dhe përmbajtje të spikatur në fondin e letërsisë bashkëkohore. Në faqet e këtij romani ndjehen ëmbël tingujt e kitarave të serenatave, psherëtimat e vajzave të dashuruara dhe rënkimet e dhimbjeve, për vdekjet e parakohshme të njerëzve të dashur. Gjithashtu përshkrimi i detajuar i mjediseve, ku zhvillohen ngjarjet, krijon përfytyrime reale për veçantitë e atyre objekteve karakteristike, për të cilat flitet në vepër. Tipat me gjuhë të shkathët dhe veprime të zhdërvjelltë, si Ani, Frosina, Kosta, zoti Petro, Marjeta, Irini etj, të bëjnë për vete dhe me shembullin e tyre, të nxitin për të çarë shtigjet e jetës e për të dalë me sukses në arritjen e dëshirave. Duke u ngulitur në kujtesë, përmes bëmave të shumta që zhvillohen në territorin e shtetit Helen. Duke u rrekur për të shmangur urrejtjen dhe përbuzjen mes kombësive, autorja, ish mësuese dhe intelektuale e kompletuar me formim patriotik, kulturor e artistik, me botëkuptimin dhe shpirtin e saj human, i jep të kuptojë lexuesit, se popujt shqiptare dhe grekë, kanë një kauzë dhe fat të përbashkët në këtë rajon fqinjësie të Ballkanit. Mundësia dhe mbështetja që i japin njeri-tjetrit është një domosdoshmëri jetike e lindur dhe e diktuar nga vet nevoja e fqinjësisë së mirë në kohë të reja. Duke ia lënë harresës, përçarjet historike të së kaluarës, me të cilat luftënxitësit i kanë çuar në konflikte territoresh. Megjithatë nuk lihen mënjanë edhe tipa si Taqka, e ëma e tij, pronarja e lokalit luksoz në Selanik, e ndonjë tjetër, të cilët, të nxitur nga egoizmi për përfitime të çastit në dashuri e në të holla, thyejnë harmoninë miqësore. Por në tërësinë e ngjarjeve, ata mbeten të izoluar nga rrethi shoqëror dhe opinioni i përgjithshëm. Me shumë vërtetësi dhe realizëm gati piktorik, janë vizatuar skenat e provokimeve që i bëhen djaloshit kamerier, bukuroshit Kosta, nga pronarja e moshuar dhe vajzat e bukura, kliente të lokalit madhështor në Selanik. Bie në sy fuqishëm e me realizëm jetësor tërheqës për moshat e reja, lidhja shpirtërore mes djaloshit Kosta dhe bukuroshes me zemër të zjarrtë Irini. Ndjesitë e çasteve intime delikatesa dhe veçanërisht besnikëria e saj, deri në shkallën sipërore të përkushtimit dhe shpirtmadhësisë femërore, të krijon nderimin më të madh për vajza dhe femra të tilla. Mund të vlerësohen maksimalisht, mjaft përshkrime të botës së jashtme e të brendshme njerëzore, por sidomos përshkrimet e çasteve, kur nëna, babai dhe të afërmit, shprehin dhimbjen e thellë shpirtërore, janë dhënë, nga kjo autore me përvojë jetësore, me një mjeshtëri, që të prek ndjeshmërinë të përjetosh emocione, sikur bashkëjeton me ata njerëz të thjeshtë. Për ta mbyllur me vlerësimin e merituar, për zonjën romanciere Lela Dardha Kokona, më duhet të them se, fjalët e mia si redaktor, nuk janë plotësisht të mjaftueshme, pa fjalët dhe mendimet e shumta, të atyre që do të kenë mundësinë të lexojnë këtë roman të sotshëm, që himnizon jetën e vërtetë.