Suplementi Pena Shqiptare/ Eva Gjoni: E dua fundin…

643
Sigal

Nga Eva Gjoni:

Kishte vite që jetonin larg njëri tjetrit. Në bisedat e tyre ndihej largësia. Ajo i thoshte gjithmonë:
-Më mungon e përditshmja jote, kjo më bën të njoh pak …
-Ti më njeh shumë mirë – i thoshte ai
Po, po të njoh si të njohin me mijëra të tjerë, por e përditshmja është si skeleti për trupin, mbi të vendosen të gjitha. Më duket vetja sikur jemi dy personazhe në libra te ndryshëm që adhurojnë njëri- tjertrin nga larg, por ata janë
pjesë e librit të tyre me pesonazhe të tjerë. Librat sa do pranë t’i mbash në një bibliotekë, janë thjesht objekte më vete. Personazhet nuk mund të shkëputen nga zinxhiri i rreshtave me të cilën janë lidhur, nuk mund të takohen. Ai që shkruajti librat i vendosi të ndarë. Përse ? Ja që kështu deshte … Mendimeve të tyre nuk u vuri zinxhirë, ato për dreq, i la të lira të shkonin e të vërtiteshin ndër libra të tjerë, të takoheshin e të përplaseshin me mendime të tjera. E mendimet nuk kishin jetë, ato ishin të përjetshme. Fjala jetë do të thotë, limit, kufizim, fund…
Kështu e shikoj unë veten si personazh – i tha dhe vazhdoi:
-Unë e dua jetën se është e fundme, si mund të duroja pafundësinë, është dënim i madh. Nuk do e doja kohën- jetë, nuk do e jetoja si e jetoj. Edhe dashuria do më rëndonte ta kisha përjetësisht, nuk do kisha drithërimin e humbjes, dëshirën për ta pasur, zotëruar, jetuar, ndjerë. Çdo gjë merr vlerë se ka një fund. Si mund të ndjesh në pafundësi, kur nuk njeh si është të mos ndjesh, të jesh akull. Si mund të dashurosh diçka që nuk vdes, që nuk ka fund për ta pasur ? Vlera e jetës është se ke një kohë që të është dhënë, brenda saj me etje dhe rrëmbim duhet t’i jetosh të gjitha, se koha jote mbaron shpejt. Zoti diti çfarë bëri me ne njerëzit, na bekoi me Jetën, dhurata më e bukur, na dha mundësinë ta shijojmë. Jo thjesht ta kemi. Pafundësia është vetë vdekja, ajo nuk ndalet kurrë.
Dua të përditshmen tënde, atë jetën që ka një fund, ajo je ti ! Si mund të dua vetëm mendimet, ato janë abstrakte nuk mund t’i prek, ato janë kohë nuk mund t’i shohësh, nuk mund t’i ndalësh. Ato do jenë dhe mbasi nuk do jem më unë. Ato do më braktisin do ngjiten lart, ndërsa unë do jem pjesë e këtij planeti, e Tokës  – dhe të tij, do humbas në të dhe kthehem në asgjë. Jeta është me mua, në çdo minutë, ore, ditë,  jam bashkë me të, në rrugëtimin tim, unë dhe ajo. Këto që kanë fund, këto që ikin dhe nuk kthehen këto i dua marrëzisht. Përjetësinë e mendimeve falja kujdo, këto të voglat që mbarojnë dhe nuk mund t’i kesh më, jepmi mua! Unë jam pjesë e gjërave që kanë fund!