Suplementi Pena Shqiptare/ Fatmir Terziu: Vajza e bangës së parë

(1990-1994) Nga vëllimi poetik „Mos hesht“ (SH.B. ‘Sejko’, Elbasan)

Vajza me kordele të gjelbër në flokë,
me një emër të bukur, me emër të lashtë,
erdhi e thjeshtë atë shtator në shkollë,
si një vesë e hollë në një stinë të artë.

Sigal

U radhit një ditë në bangën me ne,
me sytë që shkëlqenin aq të qetë,
dhe rruga e shkollës u bë më e re,
kur ajo ecte pranë nesh si mbi fletë.

Ne rrinim pranë saj, të fryrë si reja,
flisnim për ëndrra, për botën përtej,
për ditët që prisnin, për ditët e tjera,
për këngët që zemra i trazonte andej.

Dhe me të kënduam një këngë të re,
një këngë që u ngrit e fluturoi në erë,
u përhap në oborr, mbi çati e mbi re,
dhe mbeti në zemra si kujtim i fshehtë.

Vajza me kordele të gjelbër në flokë
buzëqeshte lehtë, me një gaz në sy,
dhe vjeshta përreth, me trillin finok,
na dukej më e bukur kur ishim aty.

Gjethet binin mbi sokakun e vjetër,
era i merrte e i sillte rishtas përsëri,
ndërsa ne lëviznim sikurse fletët,
me zëra të rinj e me ëndrra në gji.

Në bangë shkruanim me gishta si gogël,
gërma pas germash mbi fletën e bardhë,
por mendja na ikte në botën e vogël,
ku çdo dëshirë dukej e afërt, e gjallë.

Mësuesja fliste, ne dëgjonim me radhë,
pastaj një vështrim me më shumë kujdes,
dhe gjithë ajo botë e vogël përballë
na bëhej më e ngrohtë, plotë shpresë.

Në pushim dilnim të gjithë në kopsht,
me hapa të lehtë mbi gjethet e artë,
dhe koha kalonte si zog në horizont,
pa ditur askush se do mbahej mend gjatë.

Shtatori iku, pastaj tetori me nxitim,
me shirat e parë mbi oborrin e nderë,
por në bankën tonë mbeti një kujtim,
kordelja e gjelbër mbi një faqe të verdhë.

Ku mbeti vallë ajo kordele e gjelbër?
Ku mbeti ajo këngë që merrte përpjetë?
Ndoshta në një fletë, në një bllok të vjetër,
ku koha ka fjetur dhe ende na pret.

Sot kur i kthehem asaj kohe në vegim,
ajo bangë më duket një stinë e largët,
dhe fytyra e saj e bardhë në atë kujtim,
më vjen si një refren që përsërit fjalët.

Vajza me kordele dhe emrin e paharruar,
me buzëqeshjen e butë, e po aq të dlirë,
mbeti në kujtesë si një dritë e pashuar,
si një shtatori që mbahet mend aq mirë.

Dhe nëse një ditë do kthehemi atje pa zë,
ku banka e vjetër ruan shenja mirësie,
ndoshta do gjejmë një gjurmë mbi të,
një emër të shkruar me gërma fëmijërie.

Ishte vjeshtë. Shkolla sapo kishte nisur,
gjethet mbi rrugë guduliseshin ngadalë,
dhe ne, pa e ditur se koha ikte si floku i thinjur,
po shkruanim fëmijërinë në një bangë të parë.

Dhe fëmijëria mbeti si syri që rregëtin tek kthesa
Ishte vjeshtë. Ishte çdo stinë… Ajo quhej Vesa!

(1990-1994) Nga vëllimi poetik „Mos hesht“ (SH.B. ‘Sejko’, Elbasan)