Rruga shembet prej dy muajsh, asnjë ndërhyrje për riparimin në aksin Poliçan-Skrapar

Aksi nacional Poliçan-Skrapar vijon të jetë i dëmtuar prej rreth dy muajsh, ndërsa deri më tani nuk është marrë asnjë masë për riparimin e tij. Një pjesë e korsisë ka përfunduar në kanal, ndërsa gurët që shkëputen nga zona kodrinore rrezikojnë çdo ditë drejtuesit e mjeteve.

Rruga e vjetër nacionale Poliçan-Skrapar ka pësuar dëmtime të rënda si pasojë e shkarjeve të terrenit. Njëra anë e aksit ka përfunduar në kanal, ndërsa në pjesën tjetër të rrugës vijojnë të bien gurë nga zona kodrinore. Pjesa e dëmtuar ndodhet në hyrje të qytetit të Poliçanit dhe, pavarësisht se rruga nuk ka të njëjtin fluks lëvizjeje si më parë, ajo përdoret çdo ditë nga mjete të tonazhit të rëndë.Në këtë aks kalojnë kamionë që udhëtojnë drejt zonës së malit të Tomorrit për t’u ngarkuar me pllaka guri dekorativ. Mjetet kthehen më pas me ngarkesa të mëdha, duke shtuar rrezikun në një rrugë tashmë të dëmtuar.Situata bëhet edhe më problematike për shkak të mungesës së sinjalistikës rrugore. Në zonën e dëmtuar nuk ka tabela apo sinjalizime që t’u kërkojnë drejtuesve të mjeteve të tregohen të kujdesshëm gjatë kalimit.Prej rreth dy muajsh, rruga vijon të jetë në këtë gjendje, ndërsa ndërhyrja për riparimin e saj mungon. Shirat e pritshëm rrezikojnë të përkeqësojnë më tej situatën, duke e bërë lëvizjen e mjeteve gjithnjë e më të rrezikshme në këtë aks nacional.

Sigal