Një grua e ndien aromën e burrit që do,
edhe kur vesëholla gjurmët ia ka fshirë,
kur karafili stinëve kundërmon ngado,
kur dorëzonja deh ditët, me të mirë.
Një grua sheh syrin e burrit që dashuron,
mes muzgut kuqalosh që mbledh bukuritë,
nën velin e agimit, kur nata lodhur shkon
dhe trëndafilja ditë shtron gjithë mirësitë.
Një grua njeh zërin e burrit që dashuron,
mes këngës së valës,që ligjëron në breg,
mes korit të zogjve në shtegtimin e vonë,
kur vjeshta zverdhon gjethet nëpër degë.
Një grua e ndjen pranë, burrin që dashuron,
kur ai folenë ngre brenda zemrës së saj,
kur diellin e dashurisë, pa kusht ia dhuron
dhe frymën e shpirtit gjer në vdekje ia fal.
TI BLERON NË TRUPIN TIM…
Sesa thellë ke mbirë,i dashur tek mua,
s’ka metër ta mat mirë thellësinë,
sa rrënjë ke shtrirë në mish gjer në thua,
s’i numëroj dot, as për një mijë stinë.
Kur përndez rrënjët, erë e zjarrmuar,
mua në çast më ndizet një dëshirë,
të rrjedh mbi rrënjët e tua gurgulluar,
krua i paqtë, me tinguj të dëlirë.
Se rrënjët e tua thithin qumësht tek mua,
harlisen duke pirë burimet erotike,
kaq thellë sa janë shtrirë rrënjët e tua,
palcën ma krehin me fllade ekzotike.
Sesa thellë ke mbirë,i dashur tek mua,
s’ka metër ta mat mirë thellësinë,
sa rrënjë ke shtrirë në mish gjer në thua,
s’i numëroj dot, as për një mijë stinë.






















