Suplementi Pena Shqiptare/ Lulëzime Malaj: Dashuria

28
Sigal

Prej kohësh s’e ka parë njeri dashurinë,

pyeta disa në rrugë, por ngritën supet,

të tjerë më thanë: “- Qënke prapa bote,

edhe nga qarkullimi ajo po zhduket!

 

Zhurmojnë, se ka vdekur dashuria!

Tani ditët venë e vijnë bardhezi,

mbetur kujtim si negativë filmash

në një sirtar të vjetër nxjerrë në shi.

 

Pa keqardhje e tërhoqën zvarrë,

në direkët e kohës e kryqëzuan!

“-Është e vjetër, legjendare,” – thanë

dhe me valutë e zëvendësuan!

 

Duket se thërret nga lashtësia,

nxjerrë nga zbulimet arkeologjike

statujë pa kokë në një muze

endet në kohën kibernetike.

 

Një këshillë miqësore

 

Ndërsa çdo javë

shkon në flokëtore

dhe ndryshon flokët

nga të drejta në kaçurrela…

Ndërsa rezervon

për lyerjen e thonjve,

dhe i ndryshon

nga të kuq në të verdha…

 

Ndërsa planifikon

pushime familjare,

s’ka rëndësi,

në qoftë verë apo dimër…

Ndërsa ke marrë

bileta për teatër

dhe ditë tjetër shkon

të shikosh një film…

 

Ndërsa, blen çantë,

këpucë të shtrenjta

dhe vishesh me modën

e fundit ngjyrë hiri…

Ndërsa i bën këto

e shumë të tjera,

të lutem, rezervo një vizitë

për kancerin e gjirit!