Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Dashuri mizore

Në fillim, isha një vajzë krejt ndryshe nga moshataret e mia 15-vjeçare, doja të isha e lirë si femër. Më dukej sikur liria ime, duhej të fillonte së pari te brava e trupit tim. Dhe çelësin e gjeta shpejt tek një djalë, që ishte pesë vjet më i madh se unë. Pa e zgjatur, pranova të futesha me të, në guvën e një shkëmbi, përballë monumentit të Ali Pashës Tepelenës, në qytetin tim të lindjes. Pasi dola marrakëmbësh nga shpella, përballë Ali Pashait, mendova se edhe Vasiliqia, në moshën time, ia kishte hedhur duart për mesi pashait të Janinës, kur ai e mori sipër kalit. Por krejt ndryshe nga Ali Pasha, pashai im frikacak, shkau rrëzë mureve për në shtëpinë e tij, duke më thënë se vetëm plotësuam dëshirën e njëri- tjetrit. Pë shkak se ai s’mund të lidhte jetën me femër tjetër, pasi u kishte dhënë fjalën prindërve për një vajzë në rrethin miqësor të familjes.Pra, më zhgënjeu që në çastet e para, ndonëse nuk kisha ndërmend të martohesha aq shpejt me asnjërin. Kur shkova në shtëpi, mamaja më kuptoi nga një njollë që s’kishte lidhje me menstruacionet e mia prej dy javësh larg. E frymëzuar nga liria trupore që kisha fituar, u detyrova t’i them asaj të vërtetën duke i treguar edhe emrin e djalit, me të cilin  kisha shqyer derën e poshtme të trupit. Aty për aty, ajo nuk më ra në sy, por në mbrëmje më hëngri në besë, i tregoi babait. Ai si çdo lab i qytetit tonë, mori shkopin dhe më hyri nga koka te këmbët, derisa më nxiu fund e krye. E mbushur me zemërim, në shenjë hakmarrjeje, ika nga shtëpia që të nesërmen. Shkova fshehtas te kamioni i një shoferi tepelenas që udhëtonte për në Shkodër, ku një kushërira ime vazhdonte mjekësoren për gjinekologji. Shoferi më uli menjëherë në vend përpara dhe ashtu ika drejt Veriut. Pas pyetjeve ngulmuese të shoferit, për arsyen e arratisjes sime, u detyrova t’i tregoj të gjithë ngjarjen. Ai në fillim vetëm buzëqeshi dhe me një indiferentizëm të thjeshtë. Por më tej në Myzeqe, ku rruga filloi të shtrohej, zgjati dorën mbi kofshët e mia. Ishte tridhjetë e ca vjeçar, i martuar me dy fëmijë. Nuk desha ta lejoja të vazhdonte masazhet e tij epshore, jo vetëm se nuk ndjeja asgjë për të, por edhe se kishte rrezik të përmbyseshim në ndonjë kanal. -Ku e ke hallin?- e pyeta duke ia ngulur sytë me vërejtje, te buzët që i dridheshin nën mustaqe. – Shoh kofshët e tua topçe dhe më ka hipur gjaku në kokë!– tha duke lëpirë mustaqet e tij pis të zeza. –Po për kokën, nuk mendon, se mund ta lëmë të dy në ndonjë kanal të Myzeqesë?!– i thashë e frikësuar. Ai buzëqeshi me drithtirë të çuditshme. – Më vjen keq vetëm për ty, që je kërthi e njomë, – tha me zë të zvargur, – se për vete nuk pyes fare, po i lëpiva një herë ato kofshë të njoma që ma hoqën kapakun e kokës…Mendova se po ta kundërshtoja shumë, do të më zbriste diku rrugës dhe në ato kushte, kur kisha ikur nga shtëpia me duart bosh dhe vetëm me rrobat e trupit, do të ishte problem i madh, jo vetëm e nesërmja ime, por edhe rënia në duart e policëve, që kisha parë shpesh gjatë asaj rruge. Ata mund të më çonin në degë e të më kthenin prapë në Tepelenë. Dhe pa u menduar më gjatë, i thashë: –Nuk kam ç’bëj, para kokës, nuk më vlen më shumë ajo gjë, që ti e kërkon patjetër. Po ngaje makinën me mënd në kokë, se do të ta jap atë që të ka hequr kapakun… Ai gati sa nuk fluturoi dhe e uli shpejtësinë. Por ishte fare i paduruar. Sa kaluam Lushnjën, e futi makinën në një udhë qorre në mes ullinjve dhe më shtriu menjëherë te ndenjësja e gjerë e kabinës. Të them të drejtën aty pashë për herë të parë ç’është një mashkull i vërtetë i stërvitur me femrën. Të njëjtin gjë më bëri për herë të dytë edhe në një kthesë të Baçallëkut, pa hyrë në Shkodër. E përballova, si të them, nga halli. Shoferi më çoi në mbrëmje te kushërira ime në shkollën e mesme mjekësore. Ajo e mahnitur nga vajtja ime e papritur, më priti krahëhapur. Shkurt, bëri ç’është e mundur dhe unë u regjistrova në vitin e parë për ndihmësmjeke- mami. Ajo mbaroi dy vjet para meje dhe u kthye të punonte në maternitetin e Tepelenës. Kurse mua, pas dy vjetësh, me shumë lutje e përgjërime më mbajti materniteti i Shkodrës. Ndërkohë shoferi që më solli në qytetin verior, erdhi disa herë të tjera, si në një livadhin ku kishte kullotur më parë dhe unë për shkak të ngulmimit të tij dhe për dobësinë time femërore, provova kënaqësinë e përbashkët, derisa mbeta shtatzënë. Shoferi familjar, sapo mori vesh gjendjen time, nuk u duk më para syve të mi. Dhe veprimi i natyrshëm, që bëjmë ne gratë në raste të tilla, është heshtja, për të mos e marrë sinjalin, megafonët e shpërndarjes në largësi. E maskova barrën e muajve të parë, derisa i qava hallin drejtoreshës sonë, e cila më ndihmoi të gjej me qira një dhomë të vogël, në të cilën linda dhe rrita vajzën time. Por fatkeqësia e vërtetë dhe dhimbja më e madhe në jetë, më ndodhi atëherë kur më vdiq vajza pesë vjeçe, nga një sëmundje e pashërueshme, pas gjithë përpjekjeve të mëdha që bënë mjekët e spitalit të qytetit. E vrarë rëndë shpirtërisht dhe e drobitur moralisht shkova në ministrinë e Shëndetësisë në Tiranë, ku kërkova largimin nga Shkodra, për të harruar dhimbjen. Ata më dërguan në maternitetin e Gramshit. Ndonëse ishte një vend i mbyllur, pranova të mbyllem edhe vet brenda dhimbjes sime. Aty isha krejt e panjohur dhe mund ta nisja jetën nga fillimi. Materniteti i këtij qyteti të vogël kishte një autoambulancë të re dhe shoferi ishte një djalë fshatar, i ri dhe i fuqishëm mbi njëzet vjeç. Shkova me të në urgjencat fshatrave, për të sjellë gratë në lindje. Por çuditërisht ai ishte i ndrojtur dhe i turpshëm si vajzë, kur ndodhte grave t’u fillonin dhimbjet e lindjes gjatë rrugës. Në atë profesion që kisha marrë unë, organet e riprodhimit ishin objektet më të natyrshme të punës sime. Prandaj m’u desh që kur shkonim bosh drejt fshatrave, t’i nxirrja turpin, t’i merrja dorën e t’ia vija te kofshët mia. Më së fundi atij djali të ndrojtur, filloi t’i zgjohej dëshira e përgjumur dhe më kërkoi t’i shkoja për t’i bërë kursin e praktikës te dhoma e tij, në një barakë afër maternitetit, ku gjysmën e kishte zënë garazhi i autoambulancës. Pra, kështu nisi për mua një periudhë e re, kur fillova të harroj dhimbjen e hidhur të Shkodrës dhe të shijoj ditët e një lumturie femërore, me një mashkull të ri e të pashëm, të cilin po e stërvitja vetë, në të gjitha proceset teorike e shkencore, që kisha mësuar nga tekstet e shkollës. Ai bindej jo vetëm pa përtim, por edhe me një vullnet të fuqishëm, për të bashkëjetuar aktivisht me një femër të zjarrtë jugore, siç isha unë. Veç kësaj, si të them, me të, ndjeja edhe superioritetin femëror mbi atë mashkull, trupin e të cilit e komandoja si një manekin dhe e vija në funksionim sa herë të doja dhe kur të doja, duke kaluar orët e vona të natës deri në mëngjes, te baraka e tij, poshtë maternitetit. Gati një vit e ca, pas marrëdhënieve tona të fshehta, po vija re, se dy mami të reja po i vardiseshin, duke përfituar nga butësia e tij e padjallëzuar në punë, duke e ngacmuar me ndonjë puthje gjoja në faqe nëpër cepat e korridorit. Kjo gjë filloi të më acaronte nervat dhe zura ta këshilloj rreptë, se ato mësime që kishte marrë nga unë, nuk duhej kurrsesi t’i shpërdoronte, për t’i praktikuar me ato çupëlina, se përndryshe do ta pësonte keq. Fillova t’i bëja sytë katër, megjithse nuk e kisha parë të fuste ndonjërën nga vajzat te baraka. Megjithatë, ftohjen e tij pak nga pak me mua, nuk mund të mos e kuptoja. Sepse gjatë frekuentimeve të fundit që i bëja trupit të tij, mezi po e sillja në formë të plotë, Ajo që ne i themi ereksion mashkullor, po më lodhte së tepërmi. Pra lodrën më të bukur e më të shkëlqyer të jetës sime, ma kishin dëmtuar ca duar trazavaçe të pakujdesshme. Po vija re se robi i kënaqësive të mia, po mundohej të më shmangej edhe kur më shihte përballë korridorit në largësi. Madje tani edhe kur shkonte fshatrave për të sjellë gratë në lindje, drejtoresha e maternitetit i vinte në shoqërim ndonjërën nga mamitë e reja, ndoshta me dëshirën për të mos më lodhur mua që i kisha kaluar të tridhjetat. Kështu që ai e shtynte gjithë kohën ditore larg meje. Për këtë arsye, isha gati të bëja çdo veprim mizor si për të, edhe për ato hajdute të reja, që donin të më vidhnin dashurinë e vetme. Në njërën nga ato netë, pas shumë kohe që kisha kaluar në dhomën e tij, ai i kishte vënë grepin derës nga brenda. Nuk e dallova dot, flinte apo ishte mbyllur aty me ndonjërën nga ato macet që i lëpiheshin. U solla përqark barakës një copë herë duke i pëshpëritur në të çarat e dërrasave thirrjen në emër. Por ai s’bëhej i gjallë. Më hipi gjaku në kokë dhe shkova me vrap në kuzhinë, mora fshehtas një thikë të gjatë. U ktheva te baraka në errësirë dhe pasi e futa majën deri te grepi metalik, e hapa atë. Robi im nuk flinte, por shqeu sytë kur ndeza dritën e më pa me thikë në dorë. -U çmende?- pyeti i llahtarisur. – Do të të ther, – i thashë me sy të çakërritur sa për t’i futur frikën. – po më thuaj me cilën nga ato kuçkat shurraqe ke shkuar, që ke mbyllur derën?…  -S’kam shkuar me asnjë…- tha duke u kaluar gjuhën buzëve të thara nga sikleti… – Ç’ke atëherë që mbyllesh këtu si Oso Kuka, ku e ke hallin?Nuk foli për pak sekonda vetëm u përtyp për të gjetur justifikimin. – Nuk kam qejf !… – tha pas pak. – Jo, more surrat, të paska ikur qejfi tani ty, që mezi duroje sa të hiqja të mbathurat…-Nuk dua më! – tha duke vështruar thikën që e mbaja shtrënguar mbi kokë. –S’dashke më të hash pjatën me pelte që të nxori nga pelenat, se pe pjatat me përshesh të atyre të zuskave të tjera!… Shtyhu me tutje, të shoh të hahet, apo të ka ikur oreksi kot!… Ai bëri më tej nga rrëza e dërrasave të barakës dhe unë mora një rrip nga ata të barelave, ku mbarteshin gratë për lindje që ndodhej aty brenda. E përdrodha duke e lidhur te koka metalike e krevatit dhe i thashë me ton të ashpër: -Futi duart këtu, të të ushqej pa merak, se mos ma përmbys pjatën!… U bind çuditërisht, dhe pasi ia lidha duart me togëzën përkatëse, lash thikën mbi një tryezë të vogël të mbuluar me gazetë dhe fillova ta zhvesh. Fëmija im me mjekër të parruar atë ditë, mbylli sytë për të pritur procesin e zakonshëm të masazhimit. U lodha dhe u djersita, por peshku i tij ishte bërë cironkë e trullosur e nuk po ngjallej, kishte ngordhur… Ia ngjesha gjirin në gojë, sikur të qe bebe: -Pi, të piftë kullufraqi! – i bërtita fëmijës tim me anoreksi të theksuar. Por ishte e pamundur. Organi i tij kish vdekur, ndoshta nga frika, ndoshta dhe nga mosdëshira. “Ah, ç’më keni bërë moj kurvicka të vogla, që më hoqët riskun e vetëm të jetës sime!”, -thashë me vete krejt e dëshpëruar dhe më pikuan lotët mbi kofshët e tij të zbuluara. I zgjidha togëzën e rripit nga duart, e vesha dhe pastaj putha kokën e tij prej fëmijë madhor dhe ika duke qarë. Me mendimin se e kisha tepruar me dashurinë time mizore, që nuk mund të funksiononte me tej…

NOA