Policia aksion anti fajde në Shkodër, sekuestrohen gjysmë milioni euro

435
Sigal

12 persona u arrestuan me akuza të pastrimit të parave dhe aktiviteteve financiare të paligjshme

12 persona të akuzuar për fajde dhe pastrim parash janë vënë në pranga pas një operacioni të policisë së shtetit, që finalizoi një hetim të nisur nga prokuroria dhe policia e Shkodrës. Ndërkaq, krahas të arrestuarëve janë shpallur në kërkim 4 të dyshuar të tjerë. Policia bëri me dije se kishte sekuestruar 238 mijë Euro, 272 mijë dollarë, 414 mijë lekë, 20 automejte, 1 revolver, 1 armë gjahu pa leje, 5 kompjuterë dhe 50 celularë. Gjithashtu në njoftimin e policisë u raportua se ishin sekuestruar edhe një numër dokumentesh, përfshi kontrata, akte dhe deklarta noteriale, për pasuri e transaksione financiare të dyshuara. “Në vazhdim të hetimit me vendim të Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër u dhanë 19 masa sigurie, nga të cilat; 16 masa arrest me burg; 2 masa “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi Publik” ; 1 masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si dhe 22 masa të tjera për kontrolle banesash e ambientesh”, njoftoi Policia e Shtetit. Operacioni i koduar “MARANAJ” është ndërmarrë pas një hetimi disa mujor, ndërsa të ndaluarit dhe personat e shpallur në kërkim akuzohen për “Pastrimit të Produkteve të Veprës penale”, “Ushtrim aktiviteti financiar të palicencuar”, “Shpërdorim detyre”, “Prodhim dhe Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municioneve” dhe “Mos kallëzim krimi”. Policia bëri me dije se personat jepnin para me fajde dhe më pas përdornin kërcënimet për të marrë pas paratë dhe interesat e larta. Hetimet kishin filluar nga kallëzimi i një biznesmeni që ishte kërcënuar për mos kthimin pas të shumës. Sipas policisë ishin “krijuar dyshime të arsyeshme si dhe janë gjetur e sekuestruar prova materiale që hedhin dritë mbi aktivitetin kriminal” të 16 të akuzuarve.

Emrat e 12 të arrestuarve

Byrhan Alija, 61 vjeç nga Shkodra

Edi Memçaj, 33 vjeç nga Shkodra

Adri Bala 22 vjeç, nga Shkodra;

Artan Dragani 39 vjeç nga Shkodra

Marjan Bregu 31 vjeç nga Shkodra

Vinko Nikprelaj 37 vjeç banues në Shkodër;

Eduard Fusha, 38 vjeç nga Shkodra

Elidon Qerimaj, 41 vjeç, nga Shkodra

Pashko Vuksanlekaj, 54 vjeç nga Shkodra;

Lul Sylja, 48 vjeç nga Shkodra;

Ilir Sokoli

Naim Ahmetaj, 52 vjeç banues në Tiranë

Veç të arrestuarve, ndaj një noteri dhe dy personave të tjerë u morën masa të ndalimit të ushtrimit të shërbimit publik dhe “detyrim paraqitje”. Mes tyre është edhe ish-kancelari i Gjykatës së Shkodrës.