Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Bilbilaj: Aromë stinësh…!

44
Sigal

Më pëlqen aroma e kashtës së grurit,

që korrin fshatarët në stinën e verës,

më pëlqen aroma e gjellëve të furrit,

kur kthehem i lodhur tek pragu im i derës.

 

Nuk më bezdis fare zhurma e plorit,

kur plugon arat në gushtin e nxehtë,

shkrifet ugari deri fundit të shtatorit,

që të mbillet gruri, nëntorit në vjeshtë.

 

Oh sa më pëlqejnë shirat e vjeshtës,

kur pranë oxhakut rri edhe ngrohem,

një gotë raki pas djathit edhe qepës,

çarjet e kockave, nisin dhe shërohen.

Ma shlodhin shpirtin flokët e borës,

në dimrin acar kur fillojnë e s’ndalen,

kur shkoj pelegrin në majë të Kurorës,

të bëj kurban që mëkatet të më falen.

 

Sharkun e çobanit e hodha mbi supe,

që shpatullat e mia t’mos mbërdhijnë,

flokët e lagura i mbulova me kaçupe,

që veshët nga i ftohti t’mos më ngrijnë.

 

Sytë më gëzojnë sapo vjen pranvera,

kur çelin lulet dhe gjelbërojnë pllajat,

për një manushaqe, u çorra nëpër ferra,

që t’ja çoj çobankës, vrap i mora majat.

 

Ujë që nga malet zbret me gurgullimë,

burimet u freskuan me borën e malit,

u ngopën bagëtitë me barin trëndelinë,

në radhë dy nga dy, tufa po zbret zallit.