Suplementi Pena Shqiptare/ Vojsava Nelo: Poezia e Toulouzës

124
Sigal

Vojsava Nelo

POEZIA E TOULOUZËS

Poemë

Toulouza, – qytet i tingujve magjepsës.

Poezia e Toulouzës është e bukur, është kaq e bukur, është kaq e dridhshme; gati e pakapshme; e paarritshme. Poezia e Toulouzës ka notat e saj, ka ritme të mahnitshme, ka tonalitetet e saj.

Është përtej të zakonshmes Poezia e Toulouzës. Një poezi e magjishme, gati e paprekshme, e paarritshme në ritmet, tonet; tonalitetet e saj.

Poezia e Toulouzës është një poezi gati e magjishme.

Unë nuk arrij t’i prek të gjitha këto. Nuk arrij. Unë thjesht i ndiej, i përjetoj dhe i përcjell me vargjet e thjeshta të shpirtit tim.

 E TOULOUZËS

(Poemë)

1.

Poezia e Toulouzës,

brenda hapsirave të zemrës time.

Tej e përtej horizonteve…,

lulëzon Poezia e Toulouzës.

Ky qytet magjik,

që ma rrëmben zemrën pambarimisht…

Ky qytet, si imagjinar,

ky qytet poetik;

i gjithi në muzën time.

Në shpirtin tim.

Në vargun tim,

që në çastin e parë.

Toulouza.

*   *   *

Ky qytet, ku poezia pulson në çdo hap,

në çdo arterie dhe frymëmarrje të tij.

Ky qytet,

mbështjellë me poezi, si me një mantel të artë,

që unë e ndiej, e dalloj mirë,

dhe si e dehur rend që çdo tingull,

çdo melodi,

ta përthith.

Ta kap.

Oh, ç’mrekulli!

Oh, ç’këngë!

Më duket se kam rënë në dashuri.

E ndiej;

kam rënë kokë e këmbë.

Toulouza!

*  *  *

Se ku e ka gjithë atë muzë?

Gjithë atë poezi?

Një zog zëëmbël, një zog,

këngë e melodi,

sapo u ul mbi supet e mi.

Se nga erdhi?!

Se nga iku, s’e di?!

Këndo e cicëri…

Këndo e cicëri…

*  *  *

Çfarë melodie?! Çfarë cicërime?!

Unë turrem të kap tingujt,

melodinë e zogjve të kap.

Ritmin e njerëzve,

me të cilët këmbehem në çdo hap.

 

Një poezi e rrallë, ritmi dhe shpirti i saj.

Njerëzit,

agu dhe muzgu,

një poezi e gjallë.

Poezia e Toulouzës, tingull i artë.

Një pentagram i tërë,

ku duket se luajnë vet Perënditë.

Qenie hyjnore që pushtojnë çdo shpirt.

Të gjithë njerëzit. Të gjithë.

Madje dhe zogjtë e qiellit,

zogjtë që cicërijnë papushim…

Skaj më skaj qiellit…

Skaj më skaj tokës…

Skaj më skaj Botës… 

Dehet e magjepset shpirti juaj.

Dehet e magjepset shpirti im.

Ja, nga ajo cicërimë e vogël,

e ëmbël.

Nga ajo cicërimë.

Poezia e Toulouzës!

2.

Poezia e Toulouzës kaq delikate?!

Kaq e brishtë?!

Kaq e përkryer?!

E gjitha në zemrën time.

E gjitha,

brenda, në shpirt!

3.

Poezia e Toulouzës,

se si më pushton të gjithë!

Nuk e di a e ndieni,

a e përjetoni s’e di?!

Poezia e Toulouzës është kaq e pranishme,

kaq e prekshme,

aqsa duket se buron,

nga të gjitha poret dhe shpirtrat e njerëzve.

Nga të gjitha horizontet…

Nga e sotmja,

e ardhmja,

e djeshmja.

Poezia e Toulouzës,

se si më nxit të shkruaj…

Të dashuroj.

Dhe me gjithë fuqinë e shpirtit,

për të,

pafundësisht të këndoj…

Nuk e di a e ndieni?!

A e përjetoni, s’e di?!

Poezia e Toulouzës e gjitha muzë.

E gjitha shpirt.

E gjitha dashuri.

E gjitha tingull.

E gjitha melodi.

4.

Unë e ndiej se si më depërton në shpirt.

Në mishin tim, në gjak.

Si buron nga të gjitha anët,

nga të gjitha horizontet.

Si zbret nga qiejt,

nga yjet, si zbret!

Dhe muza ime ndizet.

Muza ime merr flakë.

 

*  *  *

Unë s`di se si, s`di si i kap,

të gjitha tingujt, të gjitha ritmet,

të gjitha meloditë.

Poezia e Toulouzës,

se si më pushton të gjithë,

dhe unë për të si e dehur,

shkruaj e këndoj me shpirt.

5.

Këtu dua të jetoj. Në Toulouzë.

Të shkruaj poezi.

Të mbushem me frymëzim.

Të dehet shpirti im.

Në këtë qytet mbushur dritë,

nën këtë qiell, prush me yje.

Të ulem diku…

Diku, në një skaj të ëndërrimit tim…

Dhe me penën time, pastaj,

të nis, e t.i përfshij.

6.

O Zot, ç’mrekulli!

Jam kaq e tunduar.

Dua të jetojë në Toulouzë.

Të më dehet shpirti.

Të më zhytet në muzë.

Të marrë flakë,

si tej përtej horizontet,

në një muzg të artë.

Të ëndërroj në gjirin e tij,

dhe si një ëndrrimtare e thekur,

si një e saporënë në dashuri,

të shkruaj…, e të shkruaj… poezi,

Të shkruaj e të dashuroj,

siç nuk ka dashuruar njeri

Këtu në Toulouzë.

Këtu.

Fllad e melodi… Fllad e poezi…

 

Një poezi magjike.

Një poezi trill.

Një trill që pikon nga të gjitha yjet,

yjet që shkëlqejnë qiejve pa mbarim…

 

7.

Oh, Poezia e Toulouzës,

poezia e saj!

S’di si më magjeps!

Si arrij ta kap!

Si më shndërron në një zog zëëmbël,

në një zog krahëshpejtë?!

Në një qenie gjysëmhyjnore.

Dhe për të, të shkruaj.

Për të, të këndoj me gjithë fuqinë e shpirtit tim,

Dhe çdo zemër njerëzor ta prek.

Mundësisht ta

pushtoj.

 

8.

Poezia e Toulouzës, fund e krye tingull.

Fund e krye ritëm.

Fund e krye melodi.

Unë humbas nëpër tonet e tyre.

Unë humbas,

dhe si e magjepsur këndoj këngën time.

Këngën time për ty, Toulouzë,

këngën time mbushur me dashuri të pafundme…

 

9.

Vërshon në kraharorin tim Poezia e Toulouzës …

Oh, ç’poezi është ajo!

Unë e shpërndaj pastaj tek të gjithë njerëzit.

Në të gjitha kraharorët.

Në të gjitha shpirtrat.

Në të gjitha rrugët, në të gjitha rrugicat.

Tek të gjithë…, tek të gjithë…

Madje dhe tek zogjtë e qiellit,

që ta cicërojnë mesa fuqi kanë,

skaj më skaj qiellit.

Skaj më skaj botës mbarë.

 

Poezia e Toulouzës!

 

10.

Këtu dua të jetoj.

Të shkruaj e të këndoj.

Të mbushem me tinguj.

Të mbushem me melodi.

Dhe në një skaj të tij të ulem,

e si e dehur të shkruaj e të shkruaj poezi...

 

Të dehem e të shkruaj. Të dehem e të dashuroj.

Të bie në dashuri me çdo molekulë të ekzistencës së tij.

Çdo pemë.

Çdo gjeth.

Çdo petale të çelur,

dhe atë gonzhe të re,

të pafaj,

që pas pak do përhapë,

lulëzimin e bukur të saj…

 

Në këtë qytet mbushur dritë.

Njerëz.

Art.

Histori.

Nën këtë qiell mbushur, prush me yj’.

 

O Zot, ç’mrekulli!

 

11.

Të dashur njerëz,

tani unë i përkas këtij qyteti

me gjithë qenien time.

Shpirtin,

dhe artin tim poetik.

Dhe askush s’më thotë dot. mjaft më!

Askush s’më thotë dot, s’ke leje të rrish.

 

Askush.

 

12.

Unë jam këtu me lejen magjiplotë të Zotave.

Me Lejen e Perëndisë.

Lejen e banorëve të tij,

bij të artit,

këngës,

dhe dashurisë.

 

13.

Unë jam këtu,

dhe përshëndetem mëngjes për mëngjes me njerëzit.

Me banorët e tij.

Me muzën e artë,

që më mbush shpirtin.

Oh, këtë shpirtin tim,

që dehet në frymëzim!

 

14.

Në këtë qytet mbushur dritë.

Njerëz.

Art.

Histori.

Nën këtë qiell mbushur, prush me yj’.

 

O Zot, ç’mrekulli?!

 

15.

Dhe çohem e eci si një qenie e dehur.

Dhe nis e pi mrekullinë e tij. E kthej me fund.

Deri në pikën e fundit.

Të dehem.

Të bëhem tap.

Si një sarosh të dehem.

Dhe nga mrekullia pastaj,

të ulem diku, diku në një cep, diku, në një skaj,

të lotoj…

të qaj…

Të shkruaj poezi…

Diku, në një cep.

Diku, në një skaj.

Deri natën, vonë,

kur qielli ndez prush yjet e tij…

Kur qielli, nis e mbushet me margaritarë…

 

16.

Lermëni, ju lutem!

Lermëni, ta përthith brenda vargut tim.

Lermëni pafund ta dëshiroj.

Ta dashuroj.

Dhe e pushtuar prej tij,

të shkruaj…, të këndoj…!

 

Lermëni, të lind brenda shpirtit tim!

Brenda shpirtit tim të pulsojë.

Brenda vargut tim.

 

17.

Toulouzë! Toulouzë!

Me ty kam rënë në dashuri,

siç bien vajzat me djemtë,

ndërsa shihen sy ndër sy.

 

O qytet magjik,  

që ma rrëmbeve zemrën që në çastin e parë.

Që ma rrëmben zemrën pambarimisht…

 

I gjithi në muzën time.

I gjithi në shpirtin tim.

I gjithi në vargun tim.

Ky qytet, si një pentagram i tërë,

ku luajnë veç Perënditë.

 

Toulouza…

 

18.

Se ku e ka gjithë atë muzë!

Se si të mbush me frymëzim?!

Poezia e Toulouzës,

e gjitha në vargun tim.

E gjitha në shpirtin tim.

Unë s’di se si i kap!

Si i kap, s’di!

Ndërsa rri e sodis këtë qiell të pafund…,

prush me yj.

 

Toulouza!

Poezia e mahnitshme e saj,

pulson në qenien time.

Në kraharorin tim.

Në shpirtin tim

Në mishin tim.

Në gjakun tim,

nga agu në perëndim.

Nga perëndimi në ag.

 

Poezia e Toulouzës në çdo hap.

 

Toulouza vet,

që më magjeps.

Më mbush me frymëzim.

e brenda muzës

dalëngadalë,

më tret…

 

19.

E ndiej si më lëvrin në gjak.

Si më depërton në shpirt.

Si më magjeps dalëngadalë,

e dalëngadalë më tret,

trup e shpirt.

 

E ndiej si buron nga të gjitha anët…!

Nga të gjitha horizontet…!

Si zbret nga qiejt,

nga yjet si zbret!

Se si më vjen pranë,

e mrekullisht më prek.

 

Këtu, në këtë qytet,

ku poezia pulson në çdo hap,

në çdo arterie e frymëmarrje të tij.

Ky qytet,

mbështjellë me poezi,

si me një mantel të artë.

 

20.

Unë e ndiej. E dalloj mirë.

E shoh qartë.

Dhe si e dehur rend që çdo nuancë,

çdo tingull të kap.

Çdo melodi,

ta përthith në çast.

Aty për aty.

 

E ndiej.

Kam rënë në dashuri.

Kam rënë kokë e këmbë në një dashuri të pajetuar.

Të zjarrtë,

nën këtë qiell prush me yje të shndëritshëm.

Me njerëz, melodi,

dhe motive të argjendëta,

që nuk arrij t’i kap !

 

21.

Jam kaq e tunduar.

Dua të jetojë në Toulouzë.

Të më dehet shpirti.

Të zhytet në muzë.

Të marrë flakë,

si tej përtej horizontet,

në një muzg të artë.

Të ëndërroj në gjirin e tij,

dhe si një ëndërrimtare e thekur.

Si një e saporënë në dashuri.

Të shkruaj e të shkruaj poezi.

Të shkruaj e të dashuroj,

siç nuk ka dashuruar njeri.

 

Këtu, në Toulouzë.

Këtu,

fllad e melodi.

Fllad e poezi.

 

Këtu dua të frymoj,

të dehem e të shkruaj.

Më gjithë kupolën qiellore të dehem,

me distancat e pamatshme të tij…,

që mbrëmjeve mbushen plot për plot me yje,

duke përhapur mister,

magji.

Duke më magjepsur mua,

duke më zhytur në poezi.

 

Të bie në dashuri,

me çdo molekulë të ekzistencës së tij.

Me njerëzit.

Ajrin.

Flladin që fryn…

Dhe këngën e saj.

Oh, atë këngën e saj…,

që brenda kraharorit tim buçet,

gjëmon…

 

22.

Dhe kjo ndodh këtu. Këtu, në Toulouzë.

Këtu dua të jetojë.

Të mbushem me frymëzim.

Të ulem e të shkruaj.

Të dehet shpirti im…

Si një sarosh të dehem.

Të bëhem tap.

Dhe nga mrekullia pastaj, të ulem diku në një cep.

Diku në një skaj,

të ulem të lotoj…

Të ulem të qaj…

 

Të shkruaj poezi,

deri natën vonë…

Kur qielli ndez prush yjet e tij,

kur qielli, nis e mbushet me margaritarë.

 

23.

Të dashur Njerëz!

Unë jam këtu me lejen magjiplotë të Zotave.

Me lejen e dashurisë për këtë vend.

Për këtë qytet.

Për këta njerëz.

Lejen e banorëve të tij,

bij të artit,

këngës dhe dashurisë.

Prej themeluesve të tij,

që kanë nënshkruar në themelet e tij,

në çastin e parë të krijimit të tij.

Testamentin e Dashurisë për njeriun dhe artin,

Krijuesit e poezisë.

 

24.

Të ulem në një qoshe, diku.

Apo e dehur mes rrjedhës së njerëzve,

që as i njoh,

as i di.

Si një magjistar i përlotur,

të endem aty…

 

Si një magjistar, që qan e këndon me lot,

me gjithë fuqinë e shpirtit,

dhimbjes,

dhe ekstazës së tij.