Suplementi Pena Shqiptare/ Vepror Hasani: Vitet e shkollës! Rrëfim për veten, shokët dhe shoqet e klasës

131
Sigal

 “Trëndafilat, zambakët, karafilat, të gjitha lulet thahen, çeliku dhe hekuri thyhen, por shoqëria e vërtetë as thahet, as thyhet”. Abraham Lincoln.

 

1 Kjo foto që shihni është klasa ime, shoqet dhe shokët e mi. Për 4 vjet me radhë kemi qenë bashkë. Vinim nga zona të ndryshme: Saranda, Gjirokastra, Lushnja, Fieri, Berati, Skrapari, Vlora dhe Kolonja. Një mëngjes e pamë veten krejt papritur shokë të një klase. Shkolla e mesme ekonomike “Kristo Isak” njihej si një nga shkollat më të mira në vend. Klasa na qëlloi në katin e parë, më të majtë kur hynim. Dritaret e saj shihnin nga hyrja e shkollës. Rruga dhe ndërtesa krijonin një trekëndësh të vogël, ajo hapësirë ishte mbjellë me lule, zbukuronte pamjen tonë përtej dritareve. Ishte kaq bukur! Edhe sot e kam para syve! Të gjitha mbresat e mia do t’i shkruaj në këtë rrëfim, por në fillim do të flas për veten time. Unë vija nga një fshat i vogël i Kolonjës me 20 shtëpi. Ishte hera e parë që udhëtoja kaq larg vendlindjes. Berati ishte qytet i madh dhe i bukur, një çast mbeta i shastisur kur pashë shtëpitë e vendosura njëra mbi tjetrën. Edhe më vonë pësova të njëjtën habi: disa shtëpi i kishin dritaret në çati. Ishte e vetmja mundësi nga mund të merrej drita. Kalaja ishte një mahnitje e vërtetë. Berati njihej edhe si qyteti i luleve. Përgjatë lumit Osum shtrihej një lulishte e bukur me trëndafila dhe lule të gjithëfarëllojshme. Gjithkush që e shihte për herë të parë mrekullohej. Qyteti ishte mikpritës. Një mësues i yni, i fizikës, Pandi Vakëflliu thoshte: “Këtu njerëzit të thonë “Mirë se erdhe” dhe s’të pyesin asnjëherë, “Kur do të ikësh”. Të tillë ishin edhe mësuesit. Drejtor i shkollës Niko Dhima, shkëlqente si njeri, si pedagog, si prind dhe si drejtues. Dinte të ishte i rreptë me nxënësit kur duhej, dhe po aq zemërgjerë kur e donte rasti. Rrallë kam njohur njerëz si ai.

2 Drejt Beratit udhëtova me tim’at. Atë natë fjetëm te shtëpia e një miku të babait. Në mëngjes, kur u ndamë, të vetmen porosi që mora prej tij ishte: “Mëso dhe bëhu djalë i mirë”. Këto fjalë të tij i kujtoja shpesh, ndoshta ngaqë jo rrallë herë bëja gabime. Mësuesja jonë kujdestare, Shoshana Guma, mërzitej aq shumë me mua, sa nuk mundem ta rrëfej dot, sepse duhet një roman i tërë për ta rrëfyer. Kur ndodhi që u sëmur dhe u shtrua në spital, shokët e klasës (vajza dhe djem) ma dhanë mua atë çfarë do t’i çonim mësueses në spital; kjo edhe si shenjë reflektimi nga ana ime, por, ndërsa ia lashë pakon në cep të krevatit, mësuese Shoshana më tha: “Nuk doja të më sillnit asgjë, Vepror, më mjafton vetëm që ti të mos bësh gabime”. Fjalët e saj i mbaj mend edhe sot e kësaj dite, më prekën thellë, s’isha i zoti për të thënë asgjë, sepse brenda syrit ndjeva një pikë loti, që munda ta gëlltitja së brendshmi. Kujdestarë konvikti kishim Vasil Pingulin, (i cili nuk jeton më), dhe Mehmet Rustemin me të cilin flisja në telefon deri sa u largua nga kjo jetë. Jetonte në Tiranë. Kur isha në vit të katërt ndodhi që më kapi duke pirë duhan, por me qenë se nuk më çoj tek Drejtori, në shenjë mirënjohje i recitova disa vargje:

Konviktorë pret,
konviktorë përcjell…
Ne si bijt’ e tu, prapë do të jemi.
Kujtimet e shkollës ndërmendje i sjell,
ç’kujdestar i mirë, o Mehmet Rustemi.

 

3 Poezi kisha shkruar që nga klasa e 8-të. Në Berat mësuesi i letësisë Agim Mehqemeja vlerësonte krijimet e mia. Isha gjithnjë fitues i konkurseve letrare. Që nga dita e parë e shkollës kishin kaluar mjaft kohë, ishim njohur me njëri-tjetrin. Evelina dhe Kasjania shkëlqenin në mësime, rivale me njëra-tjetrën, por të tilla ishin edhe Lida, Valentina, Afërdita, Jorgjia, Aretia, Dhespo, Varvara, Zaharo etj. Nuk dua të mërzitet askush nga renditja e emrave, ne ishim klasa më e mirë e shkollës, e shpallur zyrtarisht. Të mira në mësime ishin edhe Natasha, Merjemja, Mbaresa, Xhevrija, Lefteria, Manushaqja, Rabia, Faika, Dolora dhe Baria. Nga djemtë kryesonte Et’hemi, shkëlqente në matematikë, nëse e pyesje si zgjidhet ky apo ai problem, fjala e tij e parë ishte: “Po kjo është shumë e thjeshtë, ja, ndiqmë mua”. Dhe vërtetë ai i shpjegonte aq thjeshtë sa të habiste. Edhe sot e kësaj dite flitet për zotësinë e tij në punë. Jeton në Tiranë dhe ka emër të mirë. Të tillë ishin dhe Jorgua, Arqilea, Thanasi, Perlati, Gëzimi, Nekiu, Azizi dhe Arturi. Dikush mund të pyesë; Po ti kush ishe? Ah, unë! Kur shkolla po mbaronte, rrezikova të mos hyja në provimet e maturës. Pritej vetëm vendimi i Këshillit Pedagogjik. Më keq se në ato ditë nuk e kam parë veten time asnjëherë. Shihja ëndrra të llahtarshme, sikur nisesha për të dhënë provimet dhe me të mbërritur në shkollë më mbylleshin të gjitha dyertë; sikur u lutesha të gjithëve dhe askush nuk më dëgjonte; sikur përpara syve më shfaqej im’at duke më thënë: “Pse nuk i dëgjove fjalët e mia?!” Qaja në gjumë dhe frikshëm zgjohesha papritur. Gjithë prapsitë ndodhën kur shkuam me praktikë në Delvinë. Ishim 8 nxënës të klasave të ndryshme. Flinim te konvikti i shkollës bujqësore. Shpesh ktheheshim me vonëse në konvikt dhe një mbremje patëm një konflikt me rojen. Shkolla e atjeshme dërgoi një relacion në shkollën tonë, ku gjithçka që shkruhej prej tyre ishte në dëm tonë, por me qenëse unë kisha edhe raste disipline të mbartura, më bënë të ditur paraprakishte se nuk do të hyja në provime

4 Të gjithë maturantët studionin në mencën e konviktit, vetëm unë lëvizja poshtë e lartë si për të kaluar kohën. Po afronte dita e mbledhjes së Këshillit Pedagogjik. Nuk kisha asnjë shpresë. Kur befas në konvikt u shfaq drejtori i shkollës Niko Dhima. Një çast desha të ikja, t’u fshihesha syve të tij, por në grimë të atij çasti, mendova të qëndroj. Drejtori erdhi drejt meje, hijerëndë siç ishte ai, i rreptë dhe zemërgjerë njëkohësisht. “Hajde me mua”, – më tha. E ndoqa pas, dolëm në oborr të konviktit. Nxënësit e viteve të para, të viteve të dyta e të treta dolën në dritare, donin të dinin çdo më thoshte drejtori. “Nesër është mbledhja e Këshillit Pedagogjik, – më tha drejtori, – ti Vepror, si mendon, çfarë mase mund të merret për ty?” Iu përgjigja në çast: -Masa më e lehtë për mua, drejtor, është përjashtimi nga shkolla. Ai më vështroi i befasuar, vuri re që isha i lodhur, i raskapitur totalisht dhe i pashpresë. -Shko hap librat, – më tha, – nesër do të marrim vendim që edhe ti të hysh në provime. Hyra në konvikt dhe u thashë shokëve të klasës: -Do të hyj edhe unë në Provime!” Deri atë çast nuk kisha parë sy më të gëzuar dhe më të mallëngjyer se të shokëve të mi. Ndihesha sikur kisha zbritur nga një planet tjetër. Mbaj mend kur dhashë provim marksizmin, u përgjigja rrjedhshëm deri në fund, mësuesi i lëndës ishte nëndrejtori i shkollës: Vepror, – më tha ai- ti meriton më shumë, por je i padisiplinuar, po të vë një 8-të, që të kesh mundësinë për të vijuar studimet e larta. (Në ato vite, nëse në marksizëm merrje notë më të ulët se 8-a, humbisje të drejtën e shkollës së lartë. I jam mirënjohës stafit pedagogjik të asaj shkolle. Mbase ndonjëherë tjetër do të shkruaj shumë më gjatë se kaq.