O Zot, ç’natë! Si të ishte e premtja e zezë, dymijë e ca vite më parë, historinë e së cilës mamaja ma kish përsëritur dikur sa e sa herë. Ishte nisur si gjithë netët e tjera dhe kishte mbetur në rrugë. Isha shtrirë herët atë natë. Si të gjitha netët këtu. Nga dritaret e hapura të katit të parë të magazes ku flinin aksionistët, edhe pse me dritë të shuar, vinin copa bisedash, shakarash, diskutimesh, të qeshurash, por unë i kisha vulosur veshët me kufjet e tranzistorit të vogël dhe bridhja nëpër botë për të kapur valët e muzikës si gjithmonë. S’ishte e lehtë ta bëje këtë, por dhe e vështirë s’ishte. Mjaftonte të kishe pak durim, ta rrotulloje diskun e dhëmbëzuar ngadalë, me kujdes, dhe vinte çasti kur ajo futej me tërë fuqinë e saj, të pushtonte, të rrëmbente, të përkundte dhe të shpinte në një botë tjetër. E kapa më në fund. Beet-hoveni vetë. Mysafir në kuvlinë time… “Himni i dashurisë” më vuri poshtë. Një orkestër dhe një kor gjerman. Në befasi… Botën që kisha përreth sikur e përpiu dikush nga diku. S’dëgjoja më shakara aksionistësh, por as heshtjen e thellë që sa herë krijohej, më mbushte me shqetësim. Isha përfshirë i tëri dhe po jetoja çaste të rralla, triumfuese, sikur kaloja mes tamburesh e trumbetash, që ritmonin e ndërthureshin me muzikën kumbuese të tunxhit. Zërat njerëzorë ishin mahnitës, heroikë, përhapeshin në një hapësirë paanë. S’kuptoja në ishin çaste, minuta apo orë pafund këto! Po jetoja një nga ato copëza lirie që të bëjnë të kuptosh se trupi s’ta kish humbur ende shpirtin. Çfarë lumturie të përfshin të tërin nëse arrin në një përfundim të tillë! U mundova të ulesha nga ajo lartësi, të flija, ta lëshoja veten në ca krahë të panjohur që ta çonin mendjen në zero, po s’po arrija dot. Muzika ishte e fortë. Beet- hoveni kthente nga rruga dhe të vdekurit, jo mua të gjallin, të më mbante gjallë, me një zemër që më rrihte ende fort. Në djall të vinin britmat e Evës sonte. Fundja s’ishim në kopshtin e Edenit këtu, ishim në humbëtirë. Gjithçka mund të prisje këtu. Le të fluturonin në ajër. S’do të bëhej kiameti sikur mos t’i dëgjoja një natë. Ishte nata e fundit e kësaj jave. Tjetra do të më zinte në shtëpi. Kush e di ç’bëhej dhe atje, me minjtë? Do të ishin duke vallëzuar rockun ende, apo valsin? E ç’vals? Atë të minjve, sigurisht. Se valsin e Shopenit në la-minor as që mendohej. Apo mos kishin përfunduar fare tek plehrat?
Ah, mamaja, mes minjve. Në djall të shkonin dhe ata! Fundja minj ishin. S’do të mund të arrinin kurrë të na sundonin ne, le të qenë dhe minj-zagarë, pa le botën jo që jo. Hëngshin njeri tjetrin!… Duhej të kish vrapuar ndërkohë ora. Ndoshta kish kaluar mesnata. Befas m’u duk sikur në orkestër seç kish ndërhyrë një lloj tamburoje tjetër, jashtë ritmit, pa asnjë komandë dirigjenti, që vinte nga një qenie pa vesh muzikor. Bam bam bam… Tak tak tak… Disa herë. Po, pastaj dëgjova emrin tim: Patri, Patri! I shkula kufjet. Tani diçka dhe më fort: Bam bam bam…
Tak tak tak… Patri, Patri!… U ngrita ndenjur. Nga dritarja gjysmë e hapur futej veç
errësirë. -Kush thërret? – pyeta me gjysmë zëri. Një njollë lëvizi përtej dritares. Një zë i drojtur: -Seç ka ndodhur. Më fal, zgjo Ramiun… Para mensës jemi. Vesha pantallonat. Godita derën e Ramiut. Ai ndërkohë ishte zgjuar vetë. -Po, – m’u përgjegj. -Eja, – i thashë. – Seç ka ndodhur.
As unë dhe as ai nuk e ndezëm dritën. Dolëm duke u mbërthyer dhe shpejtuam për nga mensa. Kur arritëm para saj kuptova se ai që na kish thirrur qe Burim Vishka. I dridheshin duart dhe buza, njëkohësisht. S’fliste dot. Në çast mbërriti dhe magazinieri, Jaho Rustemi, pas tij dhe infermieri, Shukri Istrefi me Todin. -Ejani, – foli atëherë Burimi. – Diçka ka ndodhur tek fqinjët e mi, përballë “Mos,”- i thashë pa zë vetes sime. Kishin kaluar muaj nga ajo ditë, kur bashkë me magazinier Jahon kishim shkuar të regjistronim gjithçka që ishte pronë e ndërmarrjes brenda çdo shtëpie të re, të sapodorëzuar banorëve të ardhur nga larg. Na ish kërkuar të krijonim shtojcë-inventarin. E mbaja mend: përballë familjes së Burim Vishkës banonte Kiço Dilo me të birin, Nondën. Shkuam përmes errësirës. Na printe Todi me Shukriun. Pas tyre, Burimi me Jahon dhe në fund unë me Ramiun. Edhe pse ishte errësirë, e njoha menjëherë vendin. Qe pikërisht shtegu i ngushtë që të shpinte tek rreshti i shtëpive, ajo rrugicë, që humbiste mes gardhesh të gjelbër. Sa herë e kisha parë nga xhamllëku i mensës, madje me entusiazëm. Andej kalonin, vinin e shkonin, zënë prej dore, Nonda me Vanën. Erdhi një çast kur ritmi i hapave nisi të ngadalësohej.
Ndalëm disa metra larg ndërtesës. Dritaret nxinin, si e Burimit ashtu dhe e fqinjëve. -Vjen një erë e keqe që andej, – foli Burimi me zë të ulët dhe tregoi me gisht dritaren e fqinjëve.
Një qen se nga nisi të lëshojë një lehje të ngordhur, që sa vinte dhe afrohej.
-Porta është mbyllur nga brenda, – shtoi ai pas pak. – E provova. Çelësi është në vrimë. -Erë kufome, – vazhdoi Shukriu, që ishte më eksperti mes nesh. – Duket që gjithçka ka mbaruar prej ditësh. Ka nisur dekompozimi. Qeni që vazhdonte lehjen e tij të ngordhur, kish ardhur fare pranë tashmë, pikërisht mbi çardakun para hyrjes. Kthente kokën herë pas here nga porta e mbyllur dhe mezi lëshonte atë zë qarës që pata kujtesën ta quaja kuisje. S’ishte veçse një kone laramane, nga ato që bushtrat i lëshonin rrugëve dhe që rriteshin me fat nëpër mëhallë, pa zot, me ndihmën e mëshirës. -Duhet njoftuar policía, – foli më në fund Todi. – Ne s’mund të bëjmë asnjë veprim.
-Xhevatin, – tha Jaho Rustemi, – të njoftojmë Xhevatin. Po shkoj ta ngre unë. Të shkojë në Gosë, të telefonojë. Ç’pikëllim më kishte mbështjellë! Si një re e ngjyer me natë, zbritur nga diku, nga ato që kisha parë dimrin që shkoi, ardhur andej nga gryka e Rrogozhinës, ngarkuar me shi të pistë, që vinin tërë dhimbje dhe e zbraznin barkun mbi sektor duke na e kthyer dheun e etur në baltë torturuese. S’flisja dot. Një lëngesë më kishte zënë për fyti. -Nisu Jaho, mos e zgjat. – urdhëroi Todi. -Po shkoj të marr ca garza, – u hodh Shukriu. Këtu nuk rrihet dot gjersa të vijnë të tjerët. Është koha për maskë. -Burim, zgjo dhe Rimin e Sanies, – sugjerova unë më në fund. – S’bën që Xhevati të ecë nëpër natë vetëm. Njerëz jemi! Hekura janë të shkretat… Duhet një ndihmës.-Si urdhëro -Ne të tjerët jemi tepër këtu. – pasoi Ramiu. – S’kemi ç’bëjmë. Je ti i pari, Tod. Na thirr, mos druaj. S’ka gjumë sonte. Todi nuk ktheu përgjigje, por u duk që heshtja e tij ia miratoi kërkesën. Ramiu nuk e zgjati. Më zuri krahun dhe më tërhoqi tatëpjetë përmes rruginës që të shpinte te mensa. -I shkreti, – tha. – Kaq e pati. Ç’është jeta! Qoftë i xhenetit themi ne kavajsit në këso rastesh. -Qe një engjëll, – nxora unë me një zë të mekur. – Ata e kanë vendin në qiell, qoftë me frymë, qoftë pa frymë. Qe një engjëll. Dhe nuk folëm më gjersa mbërritëm te kuvlitë tona. Rashë ashtu veshur dhe nisa të thur, të thur, të thur në mendje ca vargje. E më dukej sikur po shthurrja, po shthurrja, po shthurrja një lëmsh që më ishte mbledhur diku mes mushkërive. U kujtova të vendosja përsëri kufjet. Muzika vazhdonte. Përsëri Beet-
hoveni. Sinfonia e nëntë. Një orë, dy… S’di sa zgjati kështu. Po le të zgjaste sa të donte tashmë! Ajo që ish bërë nuk zhbëhej. Përsëri na thirrën një kohë. Shkuam përsëri të dy, me ngutje. Kishin ardhur punonjës të policisë. Bashkë me ta dhe dy civilë me një Gaz 69. Të gjithë kishin mbyllur gojë dhe hundë me shirita garze të bardhë. E ngritën dhe e morën të mbështjellë dhe atë me një çarçaf po të bardhë. “Çarçafi i dhëndërisë”, thashë me vete. E vunë mbi zetor. Do të bënte udhëtimin e fundit me të. Me të dhe me Xhevatin e mirë. Provoi të shkonte dhe Rimi me ta, por një nga të policisë e ktheu. -Është i vogël ky, mbrapsh! -S’jam i vogël. -Ec, po të them! Ai mbeti mënjanë dhe qau. Qante pa zë. I vetmi që qante, jashtë çdo paragjykimi. -Lëre, – i thashë. – Burrat nuk qajnë. -Lene, shefo. E pyeta, kur e bleu te dyqani: Ç’e do litarin?… S’ma tha, po s’më shkoi mendja për keq. Ende ishte natë kur u kthyem me Ramiun në kuvlitë tona, por sinfonía e nëntë tashmë kish përfunduar. Stacioni kishte heshtur dhe mua m’u duk befas se De-Luxi im po mbante zi.


















