Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Kërmill

20
Sigal

Më neverit, s’ti shoh dot jargët,

si rreze morti në Çernobil.

Me ty kjo botë më ngjan e mangët,

ti s’je gjë tjetër veç një kërmill.

Të neveris, je heshtje e vagët,

sesi zvarritesh mbi klorofil.

Kjo botë me ty s’e ka të largët,

ndaj dil nga guacka, mos rri po dil!

Me ty jam ndarë, prej kohësh ndarë,

ndonëse kjo kohë të mban si idil.

Me ty s’kam dashur të bëj pazar,

Ti s’je gjë tjetër veç një kërmill.

Me rreze jargësh e ha vetveten,

ndaj Zoti guackën të dha burgim.

Se tërë jetën zvarritur mbeten,

ata që dhe fundin e bëjnë një fillim.

 

Kërkoj

Kërkoj qiellin me balona

dhe aromën e zambakëve.

Përmbi degët me limona

dua këngën e trumcakëve.

Kërkoj shkak, për t’u harlisur,

fije bari, një akord.

Në minor për ta ujdisur,

për të thënë: të dua fort.

E në çaste dëshpërimi,

kërkoj ty dhe buzën tënde!

Në sytë e t‘u më qesh agimi,

që ma sjell gjithnjë me ëndje.

Larg sëmundjes nëpër bare,

larg mëdyshjes për bixhoz,

kjo shëmtira aq tinzare

duket, kot me mua loz.

Se s’fiton sëmundja e vjetër,

Nuk më mund jo, jo mërzia!

Kurrë nuk shkoj n’ato kotecër,

ku përgjumet kotësia.

Kërkoj sytë e atij që niset,

të atij që vetëm ndahet.

Të atij që kur gremiset

nuk e ka zakon të qahet.

Dua sheshe urtësie,

ndaj kërkoj njerëz me vlera.

Një thërrime lumturie,

dhimbjen ma largon përhera.

E në çaste hidhërimi

të kam ty dhe buzën tënde…

N’sytë e t‘u fle pambarimi,

ma ke dhënë gjithnjë me ëndje.