Mesdita po ikën,
e shtyrë nga tre re, ngjyrë gri!
Në katin përballë dikush ndezi dritën;
t’i hapë udhën mbrëmjes të vijë.
Seç ka një panik këto çaste
tek pemët që dridhen në erë.
Konturet e tyre, pas pak do të shkrihen
si gjithë anonimet e mjerë.
Mjafton veç kaq, që ato të trishtohen,
mërzia t’iu ulet mbi sy…
Ato janë krijuar me diell të mbulohen
neonet i kanë alergji.
Këto çaste si ato dhe unë
drejt territ do hyj pak nga pak.
Afrimi i natës mbjell dhunë
në trup, në mendime, në gjak.
Pa qejf do nisem drejt krevatit
se e di, që s’do mund, të fle gjatë.
Në rrugë do ketë prapë sherr lypsarësh
dhe krisma armësh si çdo natë.
Mbas portës sime prapë fshesarët
do ngrejnë pluhur edhe fjalë.
Më kot do lodhem, t’i mbyll veshët,
se e di mirë, që s’do t’ia dal!
Neonet me radhë filluan të ndizen,
të ndrijnë trotuarët çdo skaj.
Unë veten kërkoj të shikoj poshtë tyre
por s’shoh dot as hijen e saj!



















