Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Shekspiri nuk mundi ta gjente enigmën e llojit njerëzor

30
Sigal

I habitshëm lloji njerëzor

që me forcë Prometeu krijon të pamundurën

dhe pastaj e shkatëron me tërbim atë,

që zhvendos male e ngre diga gjigande

dhe pastaj i bombardon me tërbim ato!

Është njeriu që zbuloi enigmën e atomit

dhe që tani kërkon të shuajë llojin njerëzor.

Nga Anjshtanji dhe zbritja në hënë

e deri tek talibanët e të gjitha ngjyrave koha s’ka ndryshuar.

jo, nuk janë hyjnitë që na kanë mallkuar,

në Hiroshima ku të rinjtë putheshin në parqe

dhe fëmijët dilnin nga shkollat

këpurdha bërthamore i mbuloi të gjithë

në një re tymi dhe pluhuri mortor,

” dielli ” me mijra gradë Celcius

digjte mbi sytë dhe trupat e tyre të njomë,

veç ofshama dhe krijesa të verbuar

nga një vdekje e rrufeshme,

një llavë vrasëse e shuan gjithnjë një Pompei të ri.

Sot, zbulimi më i madh është kthyer në një makth njerëzor,

Putini kërcënon me bomba bërthamore

dhe një çmenduri e tmerrshme diabolike

endet si një re e zezë mbi kokat e fëmijëve

që nesër botën do të mbajnë mbi duar.

Të gjithë janë aty në galerinë danteske,

diktatorë, mbretër, princër dhe gjeneralë,

mjeshtër të gijotinës,

mizantropë, uzurparorë, ithtarë të Makiavelit gjithashtu,

dhe mjerisht ballë tyre në galeritë e errta të Hadit

ndodhen po ashtu ithtarë të shkencës dhe artit.

Është lloji njerëzor me të kundërtat e tij,

revolucionarë, kundër-revolucionarë, anarshistë, fashistë,

« të dehurit » e Zotave me flamujt e Daesh-it,

vrasës diabolikë me fytyrën e Neronit dhe Hitlerit

më djallëzorë se Denisi i Sirakuzës,

hije të një Makbethi në jerm

të ngjashëm të Rikardit të III-të, me petkun e kuq të gjakut.

Jo, Shekspiri nuk e gjeti dot enigmën e llojit njerëzor,

as orakujt e Delfit,

të gjithë kanë shkuar në botën tjetër

me sy të shuar, bërë hi,

të vrarë si në “Natën e errët të Shën Bartolomeut”

që rridhte e paqtë buzë Senës,

në sytë e dashnorëve mitikë.

Askush tani nuk i përmend medaljet që morën Cezarët e shumtë të Romës,

hiri i tyre nën tokë bashkuar është me atë të skllevërve dhe gladiatorëve,

brohoritjet e arenave kanë heshtur,

por flakadanët e kalorësve të errësirës vazhdojnë të ndizen.

Ç’ndodh vallë në turmën njerëzore

ku krah për krah janë fytyra vrasësish

antikë e modernë,

dhe ballë tyre trubadurë të paqes dhe dashurisë.

Si mund të ndodhë kjo, pyesin utopistët

duke kërkuar të gjejnë ADN-në e krimit,

farën brutale të masakrës,

britmën e urrejtjes

për ta zhdukur atë nga labirinthiet njerëzore.

Medeat, Meduzat dhe Çirçet moderne

i sheh sot tek shëtisin në sheshe metropolesh.

Vetëm një gjëmë e madhe e rruzullit

mund të sjellë një njeri të Ri,

një tjetër ag për të rindërtuar gjithçka të rrënuar më parë,

për të bërë katarsis në shpirtin e njeriut

që krimi të mos të hedhë rrënjë kurrë midis nesh.

“Kudo ku ka një njeri, – shkruante Seneka,

ka vend për të dhuruar dashuri ».

Ç’dhuratë e shenjtë dashuria e munguar për një tjetër botë

në këtë rendje marramendëse nëpër qerthullin kozmik!

Sot është koha të duash atdheun tënd e njëherësh atdheun e tjetrit,

altaret e popujve dhe vendet e tyre të shenjta,

të ndërtosh ura nga njëri cep i botës tek tjetri,

ura të mëdha dashurie…