Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Miltiadh Davidhi

560
Sigal

MILTIADH DAVIDHI

Lindja jote

Në fillim ishte uji,

Mal i frikshëm i heshtjes,

Fusha e zvarranikëve,

Hëna,

Yjet,

Drita e shurdhët

E asgjësë,

Bota kuptim mori,

Kur linde ti.

 

E bukura

 

Të bukurën dhe natyra

E fshehka

Pas shkëmbinjve të thepisur

E brigjeve,

Sikur të ketë frikë,

Se ia marrin.

 

Përqafimi

 

Ato u përqafuan fort

Degë e pemë,

Si të kishin frikë

Nga ndarja, e i zuri gjumi

Si dy ëndrra

Të bardha lulesh.

Duke udhëtuar pa ty

 

…Më del përpara një qafë kodre,

E unë them:-Ja qafa jote!

Një fushë me grurë, e unë them:-

Ja floku yt!

Një qiell gri, e unë them:-Ja sytë e tu!

Një det i pafund, e unë them:-

Ja dashuria jote!

Duke udhëtuar pa ty.

 

Në ëndrrën time

 

…Mbrëmë

Hija jote me mua fjeti,

Për të mos mërdhirë

Me lëkurën e bardhë

Të trupit u mbuluam,

Për jastëk

Të njëjtën shpresë patëm,

Meqenëse ditën

Ti m’i fsheh sytë.

 

Dritën e kometës tënde

 

…U përpoqa

Ta ndaloja me duar,

Por ajo,

E lehtë si erë,

Më kaloi

Ndër gishta,

Për në qiej

Të tjerë.

 

Drithërimë

 

…Je qershiza ime,

Drithërimë,

Kur shikon si largohen

Një nga një

Lulet e tua.

 

Ç’më shtyn drejt teje?!

 

Ti si pemë

S’lulëzon…,

Si i goditur rrufeje,

Digjem

Kur pran kalon.

 

Dashuria

 

O zot,

Fytyrën tërë rrudha

Si lëkurë peme,

Po sa dorë të butë,

Si gjethe

Të njomë!

 

Lulet

 

…I falën aromë

Gjithë pyllit,

E unë u shtriva i dehur

Mbi kurora ëndrrash,

I shpuar nga hala

Kujtimesh…

Ti s’ma fale aromën

Tënde si lulet.

…..