Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Kënga e refugjatit

529
Sigal

Emri im është bërë si “parja e kuqe”.
Del në sheshe tragetesh, mbin në aerodrome.
Gjatë e lënë në rresht si t’ish njeri me huqe,
Sikur kish dalë motelesh veshur me kondome.

 

Pranë s’më mbaje dot, në këtë kohë të keqe.
Se zot i vetes jam, tjetërkujt nuk i takoj.
Një qiell të thyer copë kam marrë me vete.
Sa shumë e desha! Kurrë s’do ta harroj.

 

I heshtur endem, thith ajër me vegime.
Me natën puthem, ndukem dhe bëj dashuri.
S’paska pasur një plis nga kjo toka ime,
Të më shtrëngojë fort e të më mbaj në gji?

 

Ngjan fytyra ime me një pasqyrë të krisur.
E prapë sy të ndritshëm refugjati pasqyron.
Sa herë flasim në skype, s’rri pa përsëritur:
“Kurrë s’kam qenë dhe s’do të jem demon.”

 

Mendimi im i ngjan një zogu të shtegtuar.
Ikën në prag vjeshte, të gjej pak ngrohtësi.
Se rruga është hapur, telat me dhëmbë rrëzuar.
Mos m’u lut. S’më mban. I lidhur dot nuk rri.

 

Tashmë, e di. Kjo rrugë është rruga ime.
S’e zgjodha unë, dhuratë ma dhanë të tjerë.
Tabela s’ka, as semaforë. Ka vetëm ëndërrime.
Ndaj, mos ngurrò, më thuaj: “Ec edhe më merr!”

 

Se rrugën time e ka zënë një natë e thellë.
Në fund të saj s’më del as dhe një yll.
Gjithmonë, për dashuri, të njëjtën gjë më sjell.
Një çantë shpine shtegut, nëpër të njëjtin pyll.