Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj E çfarë u bë…?

486
Sigal

Kur këngë i dehur nis këndoj,
Në mendje vetëm ty të ndesh.
Po karafila më s’dërgoj
E lumtur qofsh, kudo të jesh!

 

Të më kujtosh, nuk të kërkoj,
Dhe as kërkoj të ndjesh për mua,
Se vjen një çast, në mos gaboj,
Tek njeri tjetri s’kemi më hua.

 

E çfarë u bë, nëse u ndamë,
Secili shkoi në rrugë të tij?!
Ç’më pate dhënë, e lashë mënjanë,
Një flakë të shuar përmbi thëngjij.

 

E çfarë u bë, nëse u ndamë,
Shpirti na mbeti njëlloj i ri?!
Çfarë patëm thënë mënjanë e lamë
Dhe flakë të re ndezëm tani.

 

Tinguj mbi tastierë

 

A të kujtohen
Ditët e vjeshtës që hanin vetveten?
Gjethet e plepave skuqur e zverdhur,
Si dridheshin tërë frikë?

A të kujtohen,
Mëngjeset që i përkëdhelnin ato me fshesë
Dhe heshtur ia largonin kalimtarëve
çdo rrezik?

A të kujtohen,
Ditët nën diellin që nga era dridhej?
Ca tinguj të shfrenuar mbi tastierë?…
Bethoveni s’na shqitej e s’na shqitej
Dhe heshtja s’ishte heshtje, si përherë.

 

I kujtoj edhe sot, ashtu të thara, njëlloj bien,
Të ngjashme me kujtimet tona, nostalgjitë.
Dhe erë e ftohtë që fishkëllen tutje i shpie,
Drejt hiçit që i mbulon pak nga pak çdo ditë.