Askush në mensë atë orë. Mbaruam shpejt. Një supë me zarzavate mbetur nga dreka dhe një rriskë bukë të zezë. Madje unë, ndryshe nga Tajari, e desha të ftohtë. Nënë Gjylja na përcolli gjer tek porta: -Bofshi gjumë të omël, çuna! -Faleminders, nonë Gjyle! – ia ktheva unë me shaka dhe u ndala për të humbur qoftë edhe një minutë nga koha e lajmeve të Rai-t. Tajari kish ikur përpara me atë të ecurën e tij që rëndonte sa në njërin krah në tjetrin me një si lëkundje që të kujtonte ca hipopotamë filmash. – Po ne jena vetë çuna të omël… – vazhdova. – Kështu m’ke thonë sa herë… Na bone dy omëlsina bashkë?! I pëlqeu mënyra sesi ia ktheva. -Po mer çun, po… S’rren nonë Gjylja, kurrë… -Natë të mirë! Rrofsh! – e mbylla unë dhe shpejtova të arrija Tajarin, jo drejt gjumit po drejt filmit. Kthyem djathtas dhe kaluam përpara pallatit tonë, mes për mes djerrinës. Dritat e zbehta që dilnin nga dritaret e kuzhinave sikur e kishin zbutur paksa errësirën që i kish rënë asaj përsipër. Kjo na bënte, të paktën, të shihnim, ku të hidhnim këmbët.
Porta e madhe e sektorit të investimeve ishte e mbyllur, bashkë me sportelin. Asnjë shenjë jete përtej. Kush e di ç’bënte në këtë orë roja e natës!… Përshkuam gjithë gjatësinë e murit rrethues të tij, kaluam urën e vogël të betontë dhe morëm majtas rruginën për te lagjja e shtëpive njëkatëshe. Vetëm errësirë. Kalldrëm. Gropa. Nga e djathta përsëri një mur i gjatë. Ishte muri rrethues i oborrit të shkollës, i ulët dhe me kangjella sipër. Dhe atje tutje, shkolla. E errët, me një dritë të vetme në njërën nga dritaret e katit përdhes. Mbërthyer me hekura m’u duk ajo dritare… Dhe shkolla si një vapor i braktisur. Ah!… Shkuam gjer në fund të murit dhe kthyem përsëri djathtas. Tashmë, përballë, një rruginë tjetër me kalldrëm, e gjërë disa metra, me gardhe nga të dyja anët, prapa të cilëve mezi dukeshin shtëpi të vogla në rresht. Nëpër tërë këtë pjesë rruge isha munduar të ecja pas Tajarit, madje dhe ta imitoja në lëkundjet e tij. Dukej që kish shkelur edhe herë të tjera këtej. I hidhte këmbët rëndë dhe me një siguri të dukshme. Unë, sytë poshtë dhe vetëm poshtë, në gjurmët e tij. Befas ai ndali dhe u kthye majtas. Ndala edhe unë dhe
ngrita kokën të shihja. Një gardh i mbushur me gjelbërim që dukej i zi. E mora me mend. S’të linte të dalloje përtej nën lartësinë e tij, paksa mbi një metër. Dukej vetëm një kulm i errët çatie, një faqe e xhamtë e ndriçuar, e ndërprerë nga ca trungje që, edhe pse nga rruga s’dalloheshin, duhet të ishin trungje kavakësh. -Erdhëm, – tha Tajari dhe shtyu lesën e gardhit që qe e hapur.
Hymë në oborr njëri pas tjetrit duke shkelur mbi një rrip të betontë që zgjatej gjer te praku i shtëpisë. Mbeta gojëhapur. Sikur kisha zbritur nga një botë tjetër. Sesi m’u dukën ata drurë. Disa degë hardhishë ishin ngjitur e spërdredhur tek ata dhe sikur kishin arritur t’i lidhnin njërin me tjetrin në një lartësi mbi një bojë njeriu. Kishin sajuar kështu një lloj tende plot gjethe të vogla. Poshtë saj, mbi djerrinën e zbehtë të kopshtit, dukeshin, si të ngulura në tokë, këmbët e holla të një tryeze prej listelash druri si ato të bareve verore me ca stola, po të tillë rrotull. Sesi m’u lidhën këtë herë të gjitha kujtimet në një gongël që unë e quajta me mend Nevil Kosturi. Dhe më sollën pranë mjekun e famshëm të fshatit rus, Çehovin, dramat e tij, për të cilat, sa herë takoheshim, Nevili do t’i thoshte dy fjalë entuziaste: për “Pulëbardhën” sidomos, po dhe për të tjerat, “Kopshtin e Qershive”, “Xhaxha Vanjan”…. Dikur, kalimthi, i kishim studiuar në shkollën e mesme, por “Pulëbardhën” para katër vjetësh e kish vënë në skenë teatri i qytetit tim. E kish sjellë një regjizor i ri që kish studiuar në Bashkimin Sovjetik. Dhe ç’ishte kjo skenë kështu?… Ç’ngjashmëri?! Mbeta i shushatur… Vetëm liqeni mungonte këtu. Rasti më kishte qëlluar të shihja shfaqen e fundit të saj,
para se të ndalohej. Ishim bashkë me Gjergjin atë natë, në rreshtin e fundit të katit sipër. Sikur e kisha parë nga qielli, nga një botë tjetër, nga një planet tjetër. Kisha rendur pas fjalëve, dialogjeve, monologjeve, mimikave dhe lëvizjes së aktorëve atë natë. Një përhumbje… Një magji e vërtetë. Një magji e ndaluar. Sa herë e kujtoja me emocion dhe dhimbje fatin e aktores në rolin kryesor. Pulëbardha kish hapur krahët, kishte fluturuar mbi liqen, si të donte të shtegtonte diku, përtej tij…Dhe vërtet, pak kohë, edhe ajo “shtegtoi” atje, në periferi, në fermën e Sukthit, veçse pa krahë. Iu prenë krahët. S’u pa më në skenat e teatrove. S’e kisha marrë vesh kurrë motivin e gjithë kësaj historie. E ç’motiv?! Një motiv për të tilla punë gjëndej gjithmonë. Një aktore vërtet e talentuar. Tashmë gojëmbyllur. Kohë të këqia kishin ardhur si dukej… Mot i keq. Sa e trishtë!… Jo vetëm të shtegëtonin pulëbardhat, po edhe t’u priteshin krahët!… Një absurd ishte, ç’tjetër!… S’më kishin dalë nga mendja, ende edhe sot, fjalët e
mësuesit të letërsisë, profesor Kolës: “Çehovi ishte mjek dhe shkrimtar i madh. Mos u habitni. Ai vetë pati thënë një herë se mjekësinë e kishte patur grua të ligjshme, ndërsa letërsinë dashnore të përjetshme.” Ah!… -Vili, o Vil! – Zëri i Tajarit më ktheu në tokë. U afruam. Ca hapa drejt pragut. Përtej faqes së xhamtë spikatnin koka njerëzish dhe forma kurrizesh. Dukej që ajo hapësirë e ndritshme brenda ishte kthyer në një minisallë kinemaje. S’vonoi dhe porta e jashtme kërciti. Dallova Nevilin edhe pse në gjysmëerrësirë. Na shtriu dorën me buzëqeshje: -Urdhëroni! Mirë se erdhët! Më në fund, edhe Patri!… Llulla në tjetrën dorë të tij nxirrte tym. Ajo ma solli përsëri
Çehovin pranë, po s’pata kohë ta mendoja gjatë, se na përpiu të dyve korridori i ngushtë i Nevilit. E ndoqëm nëpër atë ngushticë gjysmë të errët që erdhi dhe u ngriçua tek u futëm në hapësirën që dukej se luante rolin e dhomës së ngrënies, ndenjes dhe pritjes bashkë. E pikasa menjëherë që bëhej fjalë për një ndërtim të ri shtesë, ngjitur me murin e shtëpië. Tavani i saj kishte një thyerje: ulej dukshëm krahasuar me atë të korridorit. Një detaj që s’e kisha parë kurrë në ndonjë shtëpi, aq më shumë në një vend si ky. Një salltanet për kohën. Kaq mund të dalloja natën. Mjaftonte. Dhe këtë vetëm duke e parë nga brenda. Një krijesë e Nevilit duhej të ishte kjo, sigurisht. Për të zmadhuar sado pak hapësirën e banimit, po edhe frymëmarrjen. Sikur lëvizën të tërë nga vendi kur na panë. Përtej, errësirë e thellë, sikur s’kishte jo më kopësht, po as oksigjen dhe as jetë. Thjesht, “iluzion optik”, mendova. Ndërsa këtej, dy divane, nga një në çdo anë, puqeshin në një kënd të drejtë me kulm një kolltuk lëkundës me krahë mbështetës të lehtë ku qe ulur nëna e Nevilit, Aneja. Se kush i liroi vendet pranë Anesë. Nevili na shoqëroi dhe na uli secilin në dy anët e saj. Përtej Tajarit ish ulur Nela, gruaja e Nevilit, më përtej Silva Beli dhe Lejla, ndërsa këtej nga unë, ngjitur, Dervishi, njëri nga brigadierët e arave, fqinj i Nevilit. Përtej tij dy burra të rinj, në moshën time. I kisha parë rrotull nëpër sektor por s’isha takuar e s’kisha folur ndonjëherë me ta. Tryeza e ngrënies ishte shtyrë tutje. Shtyrja e tryezës kish hapur pamjen e një qilimi të vjetër shtruar në shesh, nga ata që dikur i quanin “qilima kosove”. E mbaja mend edhe në shtëpinë tonë një të tillë, shtruar në sallon. Kush e di ku do të kishte përfunduar!… Në ndonjë sallon më të merituar se tek i zoti i vërtetë. I kuq, i zi, me pak të bardhë, me stilizime shqiponjash, dukej vetëm gjysma e tij. Gjysma tjetër ish mbuluar nga të ndenjurat e fëmijëve ulur para gjunjëve tanë. I zgjata dorën Anesë. Ç’buzëqeshje më mbështolli. Sikur më vinte nga një engjëll. S’arrita të kuptoj belbëzimin e saj të ëmbël. Zallahia e fëmijëve që shoqëronte reklamën e Coca Colës s’më la. Arrita t’i shtrëngoja dorën përtej, edhe Nelës, po dhe Dervishit, këtej. Të tjerët s’i arrija dot. Ishin larg. Duhej të shkelja mbi fëmijët. Vetëm sa i përshëndeta me kokë dhe me dorë. -Mirë se erdhe! – më foli Nela. – Më mban mend? Ishe I vogël atëherë… -Jo dhe aq i vogël, – ia ktheva unë duke qeshur. – Në të
mesmen, ke qenë në klasë me Tinën time, apo jo? -Bravo! E mbake mend. A është mirë? Po fëmijët? S’arrita t’i përgjigjem. Reklamat përfunduan. Befas në ekran spikerja kryesore. U njoftua fillimi i filmit. -Qetësi, ju lutem! Qetësi, të dëgjojmë! Dhe më së fundi titulli: “Rroku dhe vëllezërit e tij”., sidomos për ata pak fëmijë që kishin mbetur, edhe gojëhapur, edhe pa folur. Ai shoqërohej me kuriozitetin dhe habinë, por edhe me zonjën heshtje, që kishte hyrë edhe ajo befas brenda kësaj minisalle majë gishtërinjve dhe ishte ulur këmbëkryq mes tyre. “Rrokun”, këtë film të Viskontit, e kisha parë në Tiranë herët. Duhet të ketë qenë viti i parë i studimeve. Koha kur “vriteshim” për bileta. Kohë e pabesueshme tani. “Etje për realizmin” (për të vërtetën) e kisha quajtur atëherë shkakun dhe vazhdoja ta quaja ende, edhe pse kritika i kishte ngjitur një term të çuditshëm, neorealizëm. Kështu, atë mbrëmje, sikur më ish fashitur disi emocioni dhe interesi i dikurshëm, që më ngrinte lukthin në fyt e më merrte gjer frymën. Si kish ardhur puna!? Edhe këtu, në këtë qytezë-gongël, më ndiqnin nëpër errësirë dimensionet e zmadhuara të kafazit. Liria kishte fituar përsëri terren, edhe pse në një formë tjetër, ndoshta më të rrezikshme. Të linte ta prekje, ta shijoje e pastaj, befas, zhdukej menjëherë. Po ku shkonte, kështu?! Mos i ngjante vallë, atyre prostitutave djallushe!? “Kujdes Patri! Bëj kujdes, xhan! Ti e di se, pavarësisht nga kjo, truri vazhdonte të punonte nëpër botë. Përparonte me shpejtësi… Paraprinte… Linte prapa antitrurin.”
Kjo ishte më e rëndësishme se çdo gjë në botë… Ishte sfida që i bëhej vdekjes së saj.
Së fundi një breg tjetër të shkretë, atje ballë Kalasë së Bashtovës, buzë lumit Shkumbin… Si vërsuleshin ashtu indiferente por aspak të verbëra, mbi ranishte. Sesi përshkonin kodrat e Ballajt, fushën e gjerë të Gosës, gjolin e orizoreve, stallat e viçave mbuluar me jorganin e heshtjes së natës dhe përfundonin gjer këtu në Qendër.
Më tutje, më tutje,… Kalonin në lagjen e shtëpive si kuti shkrepse, fundosur pas kurrizit të shkollës, drejt elementëve të ndonjë antene shtrembaluqe që Nevili, me siguri, e kish mbërthyer në ndonjë degë kavaku, të padukshme nga nata… Dhe ja, ja… Një histori e dhimbjes. Emigrantë të jugut të Italisë që arrijnë në Milano për mbijetesë. Ja… Varfëria përballë shkëlqimit… S’doja ta shikoja më, s’doja të dëshpërohesha edhe më. Përballja me jetën… Grushta, grushta, jetë me grushta… Prostituta po edhe dashuri të vërteta. Edhe ato e kishin të drejtën e dashurisë së vërtetë. Dy vëllezër, Salvadori dhe Rroku… Mes joshjes: seksit dhe dashurisë… Nadja, ku je?… Nadja, Nadja… Nën mëdyshjen e përzgjedhjes. Nën kërcënimin e mbijetesës… Vrasje, gjak, vdekje me thikë… Ku i kishte gjetur Viskonti tërë ata yje që kullonin vetëm të vërtetë?! Nga i kishte mbledhur?! Nga Italia, Franca, Amerika, Hollivudi, po deri edhe nga Greqia… Alen Delon, Ani Zhirardo, Renato Salvatori, Paolo Stopa, deri tek të rejat Kardinale, Klaudia Mori… Sa shumë ishin!… Pambarim… Yje të gjithë… Shkëlqenin. Megjithë këtë, shpejt e hoqa mendjen që aty. Heshtja ishte bërë mbretëreshë. Po edhe Aneja gjithashtu… Pse ajo nuk ishte një mbretëreshë?…. Madje, mbretëreshë që shpërndante vetëm buzëqeshje… Minuta të tëra që po e vështroja me bisht të syrit. -U mërzite djalë? – më pyeti befas pranë veshit sa mezi e dëgjova. Më kishte parë duke lëvizur, vërc-vërc, duke kthyer kokën gjithandej…Edhe nga ajo, sigurisht. S’më zinte vendi si dukej… -Pak, po, – ia ktheva unë sinqerisht. – E kam parë disa herë këtë film. – S’mund ta gënjeja. Sesi do të më dukej vetja. A gënjehet mamaja? Sidomos kur ka një zë të qartë, të shkoqur, një vështrim të kujdesshëm që përpin gjithçka përreth. Vazhdova ta shihja po me bisht të syrit. Flokë të bardhë, të drejtë, të prerë shkurt dhe një buzëqeshje që i zbriste butë nga balli, kalonte lehtë përmbi hundën e drejtë dhe ngjiste ngultas te buzët e holla. Silva Beli më kish thënë një ditë se ajo ishte ëmbëlsia vetë, po edhe zgjuarsia dhe dituria. Aneja kish studiuar në kolegjin francez të vajzave në Korfuz dhe kjo ma shtonte kërshërinë për të ditur më shumë, po dhe vëmendjen njëkohësisht. Më sillte pranë hallën time të vogël që kish studiuar në të njëjtin kolegj. Ajo jetonte prej shumë vitesh me të shoqin, një nëpunës korrekt, dhe fëmijët në një nga minierat e Veriut. Anni Zhirardo kjo?… -Po, – ia ktheva unë. – Ajo. Ajo s’ka të dytë. -Mon amour, – sikur dëgjova të belbëzonte. Me atë pak dritë që dilte nga ekrani, pashë t’i rridhte një pikë lot në faqen e djathtë dhe vrava mendjen se për cilën e kishte, vallë?… Për Anin apo për Nadjen? Për jetën e saj?… Apo për të gjithë?… Befas, harqe… morì harqesh… një orkestër e madhe… Nino Rota… Tërë vëmendjen aty… Edhe fizarmonikë, edhe kondrabas, edhe piano dhe prapë harqe, harqe… Gishtërinjtë e njërës dorë të Anesë po goditnin prehrin. Gishtërinj të bardhë mbi rroben e zezë të fustanit… Zot, si më fluturonte kjo mendje kështu!? Nga s’më çonte!…Përsëri një tastierë?… Gishtërinjtë e saj sikur i binin pianos… Sa herë më ndodhte kështu, më kish ardhur pranë Salisburgu, po tani, këtu, këtë mbrëmje, shihja në ekran rrugët bosh të Milanos pas mesnate dhe një saksofon të vetmuar, që vajtonte nëpër to… Zë metalik, shpues, por prapë elegant…
Nisën të më lëviznin gishtërinjtë edhe mua si padashje mbi dokun e pantallonave. M’u shfaqën për një çast romët, prapë romët, mbi atë zhavorrishtë buzë Shkumbinit. Po vetëm për një çast… Tam-tamet e tyre të ndryshkura apo të bakërta i mbyti orkestra e Nino Rotës. Gjithë ato frymë aty brenda nuk më linin të ëndërroja gjatë. As të gjykoja gjatë. Ah, ato vajza të reja që kishin studiuar histori, arkeologji, muzikë, pikturë, bukuritë e botës, botën vetë. Që dinin dy tri gjuhë të huaja njëlloj si gjuhën e nënës, po që ua kishin quajtur gjuhë nepërkash, armiqsh, tradhtarësh… Që s’gjetën kurrë një punë, qoftë të thjeshtë, edhe sanitare, në shërbim të të sëmurëve, të sëmurëve, po… Le të kishin qenë edhe të sëmurë fundor. Që u degdisën periferive me shumë dhimbje nga pas… Dhimbje të babait, të burrit, të vëllait, të djalit… Ç’shpirtra historish! Apo histori shpirtrash!? Kishin të bënin me kujtesën. Ndaj më ndiqnin pas, doja apo s’doja. Ç’mallëngjim më mbështolli të tërin aty brenda, por prapë nuk guxova t’ia zinja asaj dorën. T’ia prekja për t’i treguar që isha me të, që i shkoja pas. Le t’i lëvizte gishtërinjtë, le t’i binte pianos hipotetike. Unë do të isha i tëri me të, edhe pa ia shfaqur. S’kishte sesi ndryshe. Kisha ardhur edhe unë nga një rrugëtim i gjatë, i tillë. Kisha kapërcyer shekuj. Nuk kthehesha dot më prapa. Askush s’më kthente dot. Askush në botë. Po në fakt… Si i bëhej në fakt? Ekzistonin dy botë, doja a s’doja unë. Si i bëhej atëherë? A do të mund të bashkëjetonin dot një ditë? Kjo do të ishte një mrekulli. Do të ishte bukuria e së ardhmes! Po a do të ndodhte ndonjëherë vallë? Eksperimenti më i madh i shekullit tashmë kish dështuar tragjikisht. Njerëzit po hanin vetveten. Zot! Po kush ishte ngrënësi dhe kush i ngrëni? Tam-tam, rrapa-tam, tam-tam, rrapa-tam, sikur s’po dëgjohej të më godiste mendjen. Dora e bardhë, e butë e Anesë ishte aty, mbi të zezën e fustanit. Gishtërinjtë e saj vazhdonin të lëviznin sipas ritmit të muzikës dhe unë prita gjatë kështu, i humbur, më shumë symbyllur, duke thithur ato nota që shoqëronin grushtat e gladiatorëve modernë, egërsinë e kësaj bote, që s’kishte sy të fashitej. Përkundrazi, nxitej. Përdorej për dëfrim. Njëlloj, njëlloj… Në podiume, në arena. Njëlloj. Boksierët me gladiatorët. Dhe befas drita u ndez. U ngritëm. Askush nuk dukej i mpirë. Po afronte mesnatë. Unë dhe Tajari dolëm të fundit. Nevili dhe Nela na përcollën gjer te pragu. Shtrënguam duart. Me Silva Belin, mësuese Lejlën, Dervishin, dy djemtë që s’ua dija emrat, u ndamë përtej gardhit të kopshtit, në rruginë, thuajse në errësirë. Natën e mirë!-Natën!-Natën, vajza!-Natën e mirë, i dashur! Dhe deri sa dolëm në rrugën kombëtare, të dy bashkë ndoqëm të njëjtën rrugë me të vajtjes, veç në kahje të kundërt: ai përpara unë nga pas, me natën që gjithë kohës na erdhi rrotull. Po gjumi më kish fluturuar s’di se ku! Edhe kur ngjitëm shkallët, kur hapëm portën, kur ndezëm dritën, kur u zhvesha dhe rashë, kur u kujdesa për De-Lux-in tim, ta rehatoja nën jastëk, sa kohë që Tajari mbaronte punë në banjë, kur u shuajt drita, mbeta gjatë, shumë gjatë zgjuar. U mundova të rikujtoja edhe njëherë tërë këtë mbrëmje të pajetuar kurrë më parë. Kujtova çdo detaj të saj. Po sillu-përsillu dhe mendja më kish mbetur te Çehovi, tek fjalët që na kish thënë dikur profesor Kola. Ishin fjalë të shkrimtarit të madh ato, që na kujtonin të qënit e tij tërë jetën “mes mjekësisë dhe letërsisë”, krahasimin e mjekësisë me gruan e ligjshme dhe letërsisë me dashnoren e përjetshme. Dhe më mbeti në mendje një pyetje që vështirë se mund t’i jepja një përgjigje bindëse: Po unë, unë? Ku qëndroja unë? Si ta shpjegoja qënien time mes matematikës dhe letërsisë, mes arsyetimit të ftohtë që s’tutej dhe fantazisë dhe ëndërrimit që fluturonte?! Jo, s’do të mund të jepja një përgjigje aq lehtë. Edhe pse e kisha fituar betejën e parë me mbretëreshën, edhe pse isha gati të përballja edhe shumë të tjera. Po si, qysh? Kur të kishin larguar nga fusha e betejës, ç’ndeshje do të ishte kjo? Me kë do të ndeshesha? Me mullinjtë e erës? Kjo s’bëhej. Jo dhe jo. Ndaj, as që më shkonte mendja ta quaja veten edhe vetëm ëndërrimtar, aq më tepër ditën, syhapur. Mes të dyjave po. Kjo do të ishte më e arsyeshme dhe më e vërtetë. Ky po, ky do të ishte një privilegj i Zotit.
Le të më ndihmonte rrugës ajo, nga njëra anë. Madje, edhe të më mbronte. Rruga ishte e gjatë. Kjo po, këtë do t’ia kërkoja! Dhe s’kisha pse ta krahasoja atë me gruan time të ligjshme, kur për rreth s’kishte ligj, por Maliq, Halit apo Naun. Qoftë dhe Myrtez! Gruaja ishte një qenie krejt tjetër. Kish të bënte me një altar, qoftë imagjinar. E sa për letërsinë, në kafaz të isha, apo edhe në gongël, as që bëhej fjalë për dashnore të përjetshme. Një ëndërr dhe vetëm një ëndërr le të mbetej, po, thellë, brenda meje, e padalë kurrë, edhe nëse do të ishte e përjetshme. Do të ketë qenë pragmëngjes kur do të më ketë kapluar gjumi, apo ato pak çaste humbelle, pa ëndrra. sigurisht pasi kisha mposhtur edhe gërhitjet e Tajar Angonit që frynin e
shfrynin atje, në buzëçarçafin e tij: “Gërr, gërr… gërr, gërr…”






















