Vangjush Saro: Shko në paqe, Tasim Aliaj!

Këto ditë është shuar shkrimtari i njohur satirist Tasim Aliaj. Padyshim, është një humbje e rëndë për Letërsinë dhe veças për zhanrin e Satirës, ku ai dha një ndihmesë të paçmuar, për dekada të tëra, me tregimet e bukura, me novela, drama, romane dhe pamflete. Krijimtaria e tij është e pasur dhe cilësore. Në mënyrë të veçantë, në vitet ‘70 e ‘80, në kohëra të vështira për letërsinë dhe artet, ai shkëlqeu me humorin e kulturuar dhe me ironinë që i kujtonte shoqërisë së atëhershme gabimet institucionale dhe brengat njerëzore.

Po përmend njërin nga tregimet e mrekullueshme të tij, atë me titull ‘Mysafirët’, i botuar herët në revistën ‘Ylli’, të cilën e drejtonte i madhi Qamil Buxheli. Është një krijim solid, në gjetje dhe në gjuhë: Protagonisti ka një shtëpi në plazh dhe atje, dikur, ditë pas dite, çatisin tërë fisi, aq sa ai nuk di më ku dhe si t’i akomodojë; vetë detyrohet të shkojë diku gjetkë… Çfarë tjetër mund ta ‘vizatonte’ kaq bukur, me humor dhe ironi, me satirë e dhimbje, problematikën e strehimit dhe të (gjoja) turizmit të kohës!

Sigal

Tregimet e Tasimit ishin plot jetë e humor; gjuha e tyre ishte e pasur dhe dinamike. Personazhet e tij të bënin për të qeshur, por ndonjëherë edhe t’i mëshiroje. (‘Njeriu që nuk qesh’) Një përmbledhje e tregimeve më të mira të tij, u publikua vite më parë në serinë e ‘Tregimit të zgjedhur’; dhe me plot meritë. Një vlerë e shtuar në librat e Tasimit ishin karikaturat e spikatura të Enriko Veizit, (që do të vuante më pas përndjekje për shkak të ngjarjeve të sajuar në ‘sektorin e naftës’).

Tasim Aliaj ishte në të njëjtën kohë një mik nga të rrallët dhe që na ka përkrahur me shpirt ne më të rinjve në rrugën tonë, te ‘Hosteni’, te suplementi i Satirës në gazetën ‘Zëri i Rinisë’, te revista ‘Teatri’. Krijimtaria e tij më e mirë, tregime si ‘Kostumet’, ‘Stuhi në sirtar’, ‘Mysafirët’, ‘Kthehu ne shtator’, ‘Dy Kamberë në një derë’, ‘Njeriu që nuk qesh’, etj. mbeten një pasuri për Letrat Shqip dhe për zhanrin e Satirë në veçanti; ato njëherësh na kujtojnë se humori i vërtetë nuk ka asnjë lidhje me banalitetin dhe shtirjet.

Në qiellin heraherës grotesk të letrave – me të cilat merren tani i madh e i vogël, kush mundet – yjet e satirës kanë shkëlqyer e buzëqeshin (si gjithnjë) në heshtje. Pak a shumë kështu ndodhi edhe tash që një nga mjeshtrat e humorit nuk është më. Prisja të shprehej ndonjë institucion; por ani, duhet të mësohemi edhe me këtë sjellje harbute. Megjithatë, kjo heshtje është vërtet e turpshme. Në fakt, Tasimi nuk bënte pjesë në ndonjë klan. Po të jesh në klan, politikanët të bëjnë ojna, mediat të qasen dhe të ‘vizatojnë’… madhështor, siç ndodhi pak a shumë këto ditë me ‘fjalimin’ e një poeti të vonuar, i cili i mori mbarë miqtë e tij, duke ngritur lart… vlera (të paqena) letrare.

Një Zot e di ç’po ndodh në atë vend. Po ndalem pak, se është vërtet acaruese. Gjer edhe një pasim – asis sikur i thonë në gjuhën e sportit – po, një i tillë i një futbollisti dosido, në një skuadër dokudo, bëhet… lajm për mediat e shkartisura. Vërtet, kështu shkruajnë e thonë: Filani dha një assis… (Ngjarje e madhe!) Dhe kur një shkrimtar boton në gjuhë të huaj, ato heshtin. Kur një shkrimtar ikën nga kjo botë, ato prapë nuk ndihen. Është kaq e ulët! Mbase s’ish vendi të ceknim defektet e rënda të mediave dhe institucioneve. Problematika veç, mbetet pezull në ajrin e rënduar të këtij tranzicioni pa fund.

Në këto radhë, besoj, ka vetëm të vërteta dhe ndjeshmëri për një koleg që koha, të dyja kohët, për fat të keq, nuk e trajtuan mirë. Tasim Aliaj ishte një shkrimtar profesionist, një njeri me kulturë të gjerë; paqësor dhe i gjindur. Ai la pas prozë, publicistikë, përkthime, por mbi të gjitha modelin e një qytetari dhe artisti që i përball sfidat me dinjitet. Ai nuk iu përgjunj asnjë rendi. Ishte pikërisht për këtë që në vitet më të mira të krijimtarisë së tij, e syrgjynosën në një fshat matanë Dajtit. Ishte pikërisht për këtë që nuk u lut në asnjë zyrë qeveritare e në asnjë medie për problemet e veta, jetësore dhe të krijimtarisë.

Dhe ky ‘tregim’ nuk mbaron këtu… Ndoshta koha do na disiplinojë e ndreqë dikur.

Shko në paqe, Tasim Aliaj!