Suplementi Pena Shqiptare/ Ferit Fixha: Një libër enciklopedik me vlera kombëtare shqiptare

630
Sigal

(Për librin e autorit Kaim Murtishi: “Shpirti dhe zëri i Presidentit Ë. Ëilson për Shqipërinë dhe shqiptarët”)

Nga Ferit Fixha

Ladorishti dhe fiset ladorishtare

Duke lexuar librin më të ri të Kaim Murtishit, mësojmë se në fshatin Ladorisht, që shtrihet rrëzë malit Jabllanicë, pranë liqenit të Ohrit, ka mbi 50 fise autoktonë dhe fare pak të ardhur, rreth 1200 shtëpi me mbi 4500 banorë. Të 100 toponimet e sinorit të Ladorishtit janë emërtime shqip. Fshati ka qenë i banuar prej fisesh ilire që në kohët e lashta. Kishat e Ladorishtit i takojnë shekullit të tretë të erës sonë. Ladorishtarët e kanë ruajtur ndër shekuj identitetin e tyre kombëtar. Në fshat flitet shqip me dialektin toskërisht, një toskërishte e pastër dhe shumë afër gjuhës së njësuar letrare shqipe.  Gjatë periudhës së robërisë osmane ladorishtarët  krijuan çeta të armatosura kaçake. Qëndresa e tyre do të forcohej në shekullin XIX dhe fillimin e shekulli XX. Por megjithatë nuk i shpëtuan dot shërbimit të egër usharak si nizamë për Turqinë. Autori Murtishi përmend 14 veta nga Lodorishti që kanë shërbyer si nizamë nga 7 vjet, 3 prej tyre nga 14 vjet. Tre nizamë ladorishtarë nuk u kthyen më gjallë.Sipas të dhënave të marra nga ky libër enciklopedik i autorit, në vtitn 1913, pas çlirimit nga Perandoria Osmane, u krijua tek plepat e Teferiçit Taborri i Strugës, dekoruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” nga presidenti i Shqipërisë, me komandant Riza Ajro, dekoruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” dhe zv. Komandant  Demir Lena dekoruar me medaljen “Nderi i Kombit”. Ky Taborr filloi luftën kundër serbëve pushtues. Çliruan Strugën dhe Ohrin dhe u nisën për në malin e Petrinjës. Aty u zhvilluan luftimet e ashpra ku mbetën të vrarë 500 serbë dhe disa luftëtarë shqiptarë. Pas luftës së Petrinjës, luftëtarët e Taborrit të Strugës u nisën për në luftën e Korçës kundër pushtuesve grekë. Në atë luftë ranë dëshmorë në Nikolicë të Korçës edhe dy ladorishtarët Bajram Coma e Demisha Hoxha. Në masakrën që kryen nazistët gjermanë me 28 tetor 1944, në fshatin Ladorisht u pushkatuan  dhe u vranë në mënyrë barbare afro 100 fshatarë të moshave të ndryshme të të dy gjinive, por më shumë të rinj, ndërmjet tyre edhe fëmijë. U dogjën të gjitha shtëpitë në fshat. Në librin e tij autori Kaim Murtishi, nëpërmjet një materiali të bollshëm e të saktë, flet për fiset ladorishtare, gjenezën e tyre historike, përbërjen, krushqitë e lidhura, shtesat në fise etj. Flet për njerëzit e spikatur të tyre, për luftëtarë e dëshmorë, për profesionistë e të pasionuar në fusha të ndryshme: në drejtim e organizim; në art, kulturë e muzikë; në bujqësi, blegtori e artizanat; duke dhënë nxitjen dhe mundësinë e ndërtimit të pemës gjenealogjike të çdo fisi.  Ai shkruan: “Në fshatin Ladorisht jetojnë disa fise. Fiset janë të përbëra prej familjeve të lidhura sipas gjakut dhe prejardhjes fisnore. Fiset e mëdha numërojnë rreth 100 familje. Zgjerimi i fiseve gjithmonë ka vazhduar nga brezi në brez. Disa prej tyre në këtë fshat edhe janë pakësuar. Çdo fis ka pasur kryeplakun e vet. Për çdo mosmarrëveshje ose konflikt, në emër të fisit, fliste kryeplaku dhe kështu problemet zgjidheshin shumë lehtë. Edhe sot e kësaj dite në këtë fshat ekziston këshilli i pajtimit, i cili merret me zgjidhjen e konflikteve ndërmjet fshatarëve.” (K. Murtishi, libri i cituar, fq.65). Autori i parathënies së këtij libri, Besnik Lena, shpehet: “Ngjarjet dhe personazhet që ka zgjedhur Kaim Murtishi për librin e tij, nuk janë të trilluara dhe as të zbukuruara. Ato janë ashtu siç kanë qenë, të vërteta.”

Traditat, ritet, etnologjia, folklori, muzika dhe nishanet e burrit

Në këtë libër të autorit Kaim Murtishi del në pah një pasuri e larmishme zakonore, ritualet e së cilës zbatohen përpikmërisht, natyrshëm e plot hijeshi. Pasqyrohet një folklor i magjishëm, këngë e valle me vlera të spikatura.  Ritet dhe ceremonia e fejesës, të cilat përshkruhen me vërtetësi e me shprehje koncize, kanë afri me ato të zonave shqiptare: Rrajcë, Bërzeshtë e Mokër, me ndonjë veçori jo thelbësore, siç janë darkat e shkesit me aheng për një javë rresht në shtëpinë e dhëndrit, mbushur me burra e gra. Dasmat në Ladorisht, për shkak të kurbetit janë bërë në dimër duke filluar nga Shën Mitri. Në muajin shkurt dhe ndërmjet festave të Bajramit të Madh e të Vogël nuk bëhej dasmë. Nusja me dullak (duvak) merrej me kalë të kuq të stolisur me fre e shalë, zbukuruar me pasqyra e xhufka të kuqe leshi, mbuluar me një sixhade të kuqe leshi. Ritet e percjelljes së nuses për në shtëpinë e dhëndrit, adetet që bënte nusja kur hynte në shtëpinë e dhëndrit, pritja e krushqve etj., janë si ato të krahinave shqiptare që përmendëm më parë.  Kur dy palë krushq takoheshin rrugës, njëra palë duhet t’ia lironte rrugën tjetrës. Në këto raste krijohej sherr që, ndonjëherë mund të përfundonte në tragjedi.  “Me përmirësimin e kushteve ekonomike dhe disi të infrastrukturës në fshat, aty nga viti 1900, filloi marrja e nuses me qerre qesh, ku hipnin krushkat, aq sa kur të ktheheshin bashkë me nusen, duhet të ishin patjetër tek, e jo çift.” (K. Murtishi, libri i cituar, fq.335). Dasma e djalit nis ditën e enjte dhe vazhdon 8 ditë nga e enjtja në të enjte. Priten dhe mbarten drutë e dasmës, bluhet drithi, caktohen hyzmetçinjtë për çdo konak, caktohen bojalitë (ata që i çonin nuses bojën, kënanë dhe stolitë), krushkat që do të marrin nusen etj.  Në dasmën e djalit, të enjten e marrjes së nuses, pasi dasmorët hanin drekën, daja, në një karrige jashtë në oborrin e shtëpisë, rruante dhëndrin. Ceremonia shoqërohej me valle e këngë. Kur dhëndri ngrihej nga karrigia, u jepte dorën të afërmve dhe hiqte një valle. Pas kësaj daja e merrte përkrahu dhe e fuste brenda që të përgatitej për dhëndër.  Dasma vazhdonte me zbatimin e rreptë të zakoneve: kur merret nusja në dorëzim, kur vjen nusja e hyn në shtëpinë e dhëndrit, kur e çojnë në kuzhinë, kur dhëndri e pret pas dere dhe i hedh asaj në fytyrë tri herë grurë, oriz e sheqerka etj. Ka rregulla të përsosura për ahengun, muhabetin e shërbimin në konakë, në konakët e rakisë, për mbylljen e dhëndrit me nusen, për ngritjen e dhëndrit në mëngjes, daljen në valle, vizitën e tij në konakët e burrave, për mbushjen ujë nga nusja të shtunën në mëngjes në një krua afër shtëpisë, për daljen e dhëndrit në pazar të shtunën në mëngjes, rrethet e miqësisë pas dasmës etj.  “Tek nusja ahengu fillonte ditën e martë dhe zgjaste deri ditën e enjte, kur e merrnin nusen. Ahengu nuk bëhej me muzikë të zgjedhur, p[or të ftuarit këndonin këngë popullore të shoqëruara me çifteli, fyell ose dajre.” (Po aty, fq.362).   Në kostumet popullore të ladorishtarëve vihen re një mori ngjyrash, motivesh e zbukurimesh, ka elementë, lashtësia e të cilëve shkon deri në periudhën ilire. Në to është shprehur një shije estetike e hollë, një botë e pasur shpirtërore, dhënë me fantazi nga rrobaqepësit dhe rrobaqepëset duararta popullore, që i punonin në vegjë.

“Dhëndri, teshat e dhëndërisë i mbante vetëm tre ditë dhe pastaj i vishte çdo vit vetëm në festat e Bajramit.” (Po aty, fq.338).  Me kalimin e kohës veshja e nuses dhe e dhëndrit, veshja e grave dhe e burrave, e krushqve dhe krushkave, filloi të ndryshojë. Po kështu edhe ritet e zakonet e fejesave dhe të dasmave.   Për këtë, autori jep shumë shembuj e hollësira të cilat përbëjnë vlera për studiuesit e fushës përkatëse. Siç i përshkruan autori i këtij libri, festat e motmotit festohen me ato rite e ceremoni si nga të gjithë shqiptarët dhe popujt e tjerë fqinj. Në këtë libër, autori ka përfshirë disa nga nishanet e burrit, që i ka mbledhur e sistemuar me pasion, kujdes e kompetencë. Këto në tërësinë e tyre shprehin traditat, filozofinë, mençurinë, virtytshmërinë, burrërinë e fisnikërinë popullore.  Besnik Lena, në parathënie të librit, shkruan: “Një vend të veçantë zënë nishanet e burrit, virtyte shumë fisnike në trevën tonë dhe aq më shumë në Ladorishtin e autorit.”

Mbi veprimtarinë dhe punën hulumtuese studimore të autorit

Me vullnetin, aftësitë e dijet që zotëron, Kaim Murtishi krijoi e dirigjoi orkestra, kore dhe grupe muzikore. “Bëra atë që nuk e kishte bërë askush para meje. Lashë atë që nuk e vazhdoi askush pas meje. Nëpër konakët e burrave mësova për traditat kombëtare, vuajtjet e kombit tim, këngët historike, të dasmave, fejesave, kurbetit, vajtimit etj. … I mësova dhe i incizova edhe vallet që në atë kohë luheshin me pizga dhe lodër.   … U rrita me çiftelinë në dorë… dhe më vonë edhe me mandolinën”, shprehet ai.   Kaimi përveç detyrës si mësues dhe drejtues i orkestrave të mandolinatave, grupeve të këngëtarëve, koreve dhe shoqërive kulturore – artistike, i është kushtuar muzikës, këngës popullore, folklorit. Ka arritur të mbledhë, të seleksionojë, të përpunojë dhe të notëzojë nga nektari popullor një umër të madh të këngëve autoktone të Ladorishtit, por dhe të Prespës, Ohrit, Tetovës, Kërçovës, Dibrës dhe të trojeve të tjera. Këngët toske të rrethinave të Strugës janë të ngjashme me ato të trevave të Mokrës, Librazhdit e Pogradecit, çka tregon vazhdimsinë e këtyre trojeve tek njëra – tjetra, pavarësisht ndarjes territoriale në dy shtete.   Ka incizuar shumë valle dyshe të rënda dhe të tjera me pizga e lodra. Me grupet artistike që ka drejtuar, ka konkuruar dhe është vlerësuar e çertifikuar në shumë veprimtari kombëtare e ndërkombëtare.  Ka mbledhur folklor e muzikë edhe tek arbëreshët dhe është bashkautor i himnit arbëresh.  Shtëpinë e tij në Strugë e ka kthyer në një muze të vërtetë etnografik, fototekë e fonotekë shqiptare. Ka aty vegla muzikore, kostume popullore, bobina e kaseta me këngë të mrekullueshme popullore, melodi vallesh autoktone, madje edhe një pistoletë 180- vjeçare të të parëve të tij.  Akademik Gjovalin Shkurtaj, ka shkruar: “Kaim Murtishi mblodhi si bleta, qëmtoi e hulumtoi pareshtur, po edhe shënoi hollësi e të dhëna të shumta me karakter historik, atdhetar, arsimor, kulturor, gojëdhanor, onomastik etj., që përbëjnë vlera me interes të mirëfilltë për etnomuzikologjinë, po edhe më gjerë për disiplinat albanologjike e veçmas për dialektologjinë, onomastikën dhe entolinguistikën. Në mënyrë të veçantë ka prurje të shumta për historinë dhe atdhetarinë e Ladorishtit e të mbarë Strugës.” (Libri i cituar, fq. 732).