Sa u err dhe era ngriti velat,
Vala përmbi Breg u hodh plot zhurmë;
uji gjithandej shpërndau krelat…
I tha Bregu:
“Pse bërtet kaq shumë?
Sikur kemi jetë pa u parë,
sikur vjen nga kushedi sa larg!
Asgjë e këtillë nuk ka ngjarë;
se këtu ke qenë, këtu je prapë… ”
LOTI
“Ç’bën ashtu,
tek rend ti tatëpjetë?”
Iu keq Lotit Mollëza sqimatare.
“Ç’ne kaq miq,
që përmbi mua shket?
Ma shkërmoqe tualetin fare…”
zu të fliste Loti, i hutuar;
por ndërkaq ish Buza që e treti.
Dhe kështu… asgjë nuk tha pothuaj.
(Fundja, ç’mund të thosh ai i shkreti!)
BARI dhe GRURI
Teksa të dy i frynte një puhi,
Gruri fjalim i mbante Barit:
“Shoku, ç’i duhesh njeriut ti?
Më duket, s’hyn në punë fare!
Ndërkaq, nuk po tregoj për veten,
sado që fjalëve s’u bëj bisht,
por… jam i parë ndër bereqete.
Zotrote, çfarë bën konkretisht?”
Sakaq dhe Bari i dha hakun:
“Unë nuk di: i parë, i dytë.
Por di që ti i duhesh barkut;
mua më kundrojnë sytë.”




















