Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Reshati

147
Sigal

Se si m’u kujtua Reshati, ndërsa në shtyp e në rrjete nuk përmbahen njerëzia. Ishte njëri nga shokët e mi të fëminisë, i vetmi rom në lagje. Jetonin diku përballë nesh, me qira; kishin vetëm një dhomë. I ati punonte hidraulik, burrë i urtë. Të ëmën e thërrisnin Tata, me theksin tek a-ja e dytë; shtëpiake dhe e sertë, dyfish aso. (Si mund të ishte ndryshe, ata qenë nja shtatë fëmijë.)

Ku e kisha fjalën? Hë, m’u kujtua Reshati, ndërsa shikoj soj-soj vanitozë, që shkruajnë pareshtur e vdesin të rrëfejnë “madhështinë” e tyre… Shkrimtar thotë njëri! Por pa shitur as dhjetë kopje. Publicist tjetri! Dhe s’e shikon të “publicitojë” ndokund. I treti bën bejte me rima foljore dhe bërtet se po ngjit majat. Një takëmi anonimësh u vjen plasja pse dikush shkoi aq larg – me botime në shqip e në gjuhë të huaja, me çmime e nderime – dhe hë, ta “hedhin poshtë” që të duken edhe ata sadopak. Kjo botë është bërë vërtet qesharake.

E jo, Reshati nuk e kishte problem “madhështinë” dhe nuk vuante krizë identiteti. Kur luanim futboll, e linim gjithnjë portier. Nuk thoshte jo. Kjo na vinte për mbarë; ai qe shumë i shkurtër e, mes të tjerave, ngaqë portat i sajonim thjesht me gurë, shumica e guajtjeve të kundërshtarëve s’vlenin për gjë… Pa le që hidhej si ndonjë mace, aq sa i bënte copë pandallonat dhe lëndohej ndonjëherë; e për të gjitha këto, me raste, hante dru nga Tataja.

As vetë s’e kuptoj pse më erdhi ndër mend ai dhe kur ne të tjerët e zumë këtë rrugë, që kundërmon… livando (!) Nuk guxon të hapësh postën elektronike apo faqet e tua në rrjete se të neverisin leximin narcistët: pëlqeje këtë; foto nga avioni; jam disident; pjatë me gjellë; sapo dola nga dushi; kam ditëlindjen më uroni…

E jo, Reshati nuk pati këso “objektiva”. Jo pse ishte rom, jo pse ishte i varfër; ashtu e kishte natyrën. Nuk e shikonte veten në qiellin e shtatë. Si nuk tha njëherë do loz në sulm, le të rrijë portier një tjetër, dua të bëj ndonjë gol. (Se… ej, na shikonin edhe gocat kur luanim e do bënim një çikë si të fortë ne.) Jo jo, nuk e linte ai postin e tij modest. Ishte në paqe me jetën, në të gjitha kuptimet. Luante e sillej sikur asgjë të mos kishte rëndësi përveç argëtimit dhe shoqërisë së mirë. Nuk pretendonte të habiste ndokënd, nuk mburrej, nuk hidhej së koti në bisedë për të vënë në dukje atë apo këtë “arritje”. Luante me shpirt. E nuk zihej me askënd. Nuk turpërohej që hante më keq se ne dhe vishej më keq se ne. E jetonte jetën pa paragjykime, pa krenarira boshe. Dhe na donte të gjithëve.

Koha na ndau. Shumica nga ne shkuam nëpër universitete e shkolla të tjera. Por për Reshatin, jam i sigurtë që e mbylli me tetëvjeçare dhe u bë punëtor; si i ati. Pastaj krijoi familje. Nuk u pamë më e s’di nga bëhet. Mund të ketë shkuar diku emigrant. Mbase jeton ende në Korçë. Por jam i bindur që edhe në u takofshim ndonjëherë, në këtë jetë apo në tjetrën, edhe po të bëhej i gjallë në Fb a kudo gjetkë në botën virtuale e të ishte i pranishëm në temat e cekura më sipër, ai kurrsesi nuk do të na kujtonte… nga sa gola na kishte shpëtuar. Nuk do t’ia fillonte muhabetit për Saliun, Ilirin apo Edin. Nuk do të dilte nga vetja e të shitej për pak më shumë audiencë… Nuk do të pretendonte se ishte i persekutuar. (Mund të quhet ai aso? Vite të tëra, 7 a 8 frymë në një dhomë e në rrogoz…)

E mbylla, faleminderit për kohën.