Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xheka: Si ata ju dua

232
Sigal

Si ata ju dua

Unë nuk merem me astronomi

dhe emrat e konstelacioneve nuk i di!

Por mos u çuditni;

e kam një teleskop në shtëpi.

Pas lodhjes së ditës,

për të hequr stresin

i mbërthej sytë tek teleskopi

dhe oh, sa i vogël më duket globi!

Nuk kërkoj në qiell,

as zot e as perëndi,

po thjesht kërkoj yjet

ku pushojnë të ikurit e mi.

Nuk flas vetëm me ta,

por edhe me miq e shokë të tjerë,

me trima, heronj e dëshmorë

me poetë dhe artistë të ndierë.

Ata më mbajnë gjallë,

më japin forcë dhe guxim,

që derisa të shkoj e t‘i takoj:

t’u shërbej Ju dhe Atdheut tim.

 

 

“Mësimi i gjethes…

Një copëz vjeshte

u përkund në vallëzim

përpara meje dhe ra në tokë,

nuk mori më frymë…

Kështu vdesin gjethet

duke vallëzuar.

Qendisin hijen e tyre

në të verdhë të praruar…

Ndala hapin!

U përkula dhe e mora në dorë

në shenjë nderimi…

Ajo me lëshoi një pik lot mbi pëllëmbë.

Ktheva kokën pas:

vura re mungesën e saj.

Në të verdhën e një cope qilimi…

u ktheva dhe mbi qendisëm

e lëshova me kujdes!

M‘u duk sikur foli

“Faleminderit!„

Nën degët e trungut tim dua të vdes…