Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Mesazhet e fshehur poetikë në poezinë e një gruaje

106
Sigal

(Rreth opusit poetik të poeteshës Hava Muçollari) 

Mesazhet e fshehur në krahët e një fluture ” përmbajnë as më pak dhe as më shumë kodet dhe portretin lirik të poeteshës Hava Muçollari, që vazhdon të na befasojë nga libri në libër Ajo ç’ka është evidente në poezitë e saj , mbetet prirja , për t’u bërë receptor i zërave të bukur të një gruaje, por edhe i dilemave të bashkëkohëseve dhe bashkëkohësisë së saj Eshtë një poezi që nuk e vuan aspak dyzimin egzistencialist të individëve të dobët e të druajtur përballë një kohe absurde , dhe as prirjen për t’i zbukuruar qiejt gri të saj me trëndafila të bardhë gënjeshtarë optimizmi. Por jo vetëm kaq Misioni i saj primar s’është aq akti shkrimor, sesa zgjimi me anë të vargjeve i kurajove dhe kujtimeve të saj të fjetura në vite, të cilat gjithsecili prej nesh i ka vendosur diku në një kënd të veçantë të kujtesës personale Delikate dhe romantike herë- herë, por më së shumti e mbrujtur me një nerv të fortë qëndrese. Vargu i saj është i gatshëm të udhëtojë krahas lexuesit, në trajta të shumta foljore, herë si një ritëm buzëqeshje, e herë të tjera si një lëbyrje sysh pêrballë dyerve të rënda të jetês! Nostalgjike e së shkuarës, por edhe të pritmërive të së ardhmes, vizatuese, e dritëhijeve të mbrëmjes, por edhe piktore e diejve të mëngjesit, ajo priret t’i besojë çdo bashkëudhëtari të saj çaste dhe ngjarje nga pêrditshmërija e saj e bukur me emrin grua dhe nënë, duke të ngjallur kësisoj optimizëm, dhe gjëndje të vërteta emocionale. Përvoja krijuese dhe leximet e shumta në vite, e ka bërë më të ngrohtë narrativën dhe artin e saj të komunikimit Si autore me kêrkesa artistike, ajo nuk rend pas dukjes dhe nuk e mbush tekstin e saj poetik me filozofi hibride, por me frymë dhe thirrje për ndryshim. Në shumë nga poezitë e këtij libri. fjala dhe mendimi kanë kohë që konfigurojnë njeri- tjetrin në forma dhe trajta të ndryshme. Ajo i mbetet besnik idesë se, brendia duhet të bëjë formën dhe jo forma brendinë. Ky është një tregues, se autorja dhe lexuesi kanë nënshkruar mes tyre në heshtje një kod të ndërsjelltë mirëkuptimi. E them pa e tepruar, se kushdo që lexon diçka nga poezia e saj, krijon përshtypjen, se është duke lexuar diçka nga ndjesitë dhe perceptimet e tij individuale duke përjetuar kësisoj edhe ai të njëjtat ndjesi dhe imazhe si vetë autorja. Havaja vjen nga një trevë, ku e folura poetike dhe ajo e zakonshme, ngjajnë kaq shumë mes tyre, ku shumë herë është e vështirë të ndash vargun e latuar poetik nga e folura e përditshme bisedore, plot ngjyrime dhe mençuri labe! Ky është një shkak që poezia e kësaj krijueseje të merr vazhdimisht përdore, për të të zbuluar një larmi gjendjesh dhe peisazhesh shpirtërorë, njeri më i ndryshëm se tjetri. Lindur dhe rritur në një terren me erëra të forta, siç e pohon edhe vetë autorja ,vargu i saj të bën për vete me gjetjet e shumta poetike, dhe energjinë që zotëron. Sinqeriteti i komunikimit dhe teksti i ndjerë lirik, që përbën shtratin mbi të cilin ngrihet poezia e saj më e mirë , përbëjnë një joshje për çdo lexues pêr ti shkuar gjer në fund leximit të saj dhe pse jo ,për të ndarë virtualisht me të ide dhe koncepte të ndryshme. Kështu ndodh me poezinë e realizuar

” Vegim shpirti të patrazuar”, apo “Dielli më tha prit “! Shumica e krijimeve të kësaj autoreje , përveç figurave të shumta dhe befasuese , të lënë mbresa edhe për përdorimin efikas të simbolit, dhe plotërisë së mendimeve. Janë krijime, që lindin nga ngacmimi i një çasti, dhe që trajtësohen gradualisht gjatë një proçesi të gjatë krijues. Gjatë tërë kësaj kohe receptorët ndjesorë të autores qëndrojnë të ndehur dhe në gjendje të vërtetë alarmi. Autorja kujdeset të mos i shpëtojë asnjë zë dhe detaj, sado i vogël dhe i parëndësishëm qoftë. Tingulli i butë, që të mbetet në vesh paskëtaj , nuk është gjë tjetër veçse pjesa e muzikës së fshehtë, me të cilën vishen ndjenjat dhe përjetimet e saj, ose pjesa e paparë gjer në fund e ëndrrës, që pret me padurim natën tjetêr, për t’u parë gjer në fund. Duke bërë sintezën e ditëjetëve të saj të trazuara, autorja bën njëkohësisht edhe sintetizimin e kohës, të cilën pret ta jetojë. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe për një poete dhe grua si ajo, koha dhe vargu poetik mund të jetojnë vetëm si zgjatime të njeri tjetrit. Në poezitë “Ai ende pret”, “Si qielli kur bije shi” etj, krahas shpërfaqjes së unit poetik, vemë re angazhimin e autores për të qenë gjithmonë e pranishme përballë temave të nxehta të ditës, duke i kthyer ato në lejtmotive.Dhe për ta bërë sa më konkret dhe të prekshëm këtë shqetësim, ajo e pajis vargun me ndjeshmërinë dhe fuqinë e duhur amplifikuese. Havaja është një autore që nuk bën zhurmë për krijimet e saj. Asaj i pëlqen thjeshtësija e shprehjes, por jo thjeshtëzimi, i pëlqen filozofija, që buron nga vargu, por jo filozofimet e zgjatura dhe të lodhshme. Ajo është e bindur se kur figuracioni dhe simbolika teprohet, vargu rëndohet dhe e humbet fuqinê e tij. Duke ndjekur imazhin e fluturës në poezinë me të njëjtën titull, që vërtitet në ajër, gjithkush nga ne ndihet si i zënë në një kurth figurative. Në këtë poezi dhe të tjera si këto autorja luan me fjalën dhe figurën me një lehtësi të dukshme. Duke e vendosur veten në rolin e një transmetueseje mesazhesh poezia e saj nuk ka kohë të flasë gjatë. Asaj i mjafton vetëm një kod apo kontakt për të lënë vulën e saj. Një prirje e tillë ra në sy të kritikës qysh në librat e saj të parë, për t’u bërë më evidentë në librat e saj më të fundit. Çdo libër poetik gjatë proçesit të leximit krijon një atmosferë të veçantë tek lexuesi. Dikush të bën për vete, dhe dikush jo! Për llojin e atmosferës që krijojnë librat e kësaj poeteshe, më vjen në ndihmë shprehja e njohur e Andre Breton rreth krijimtarisë poetike të një poeti të kohës së tij dekada më parë. Eshtë një poezi që na çon patjetër diku! Dhe kjo do të thotë se poezia e saj e ka kryer misionin që i është besuar.