Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: (MOS) vazhdojmë me …Panairin

162
Sigal

Përpiqem t’i kuptoj të gjithë ata që kanë folur dhe flasin për Panairin (e Librit): Ata që e lëvdojnë. (Molier: “Nuk shkohet vetëm me brohoritje…”). Ata që e shajnë. (Mbaj mend, ime më, më mësonte një fabul: Dhelpra me bisht të prerë/ u tha shoqeve njëherë/ shoqe shoqe, besa besë/ ç’e duam këtë bisht që varet si fshesë?… Etj. (Domethënë ta presim. Ose… meqë s’jemi ne, s’o gjo ky Panairi!) Ku e lashë, mo? Ata që bëjnë lista dhe përzgjedhje sipas oreksit të tyre. (Harold Bloom: “Nëse lista e shkrimtarëve i ndihmon lexuesit, unë jam mbrojtës i saj. Por siç dihet, çdo listë është e mangët…”) Ata që diktojnë çmimet; për njërin prej tyre, vetë pohojnë që… “i afrohet letërsisë; ose është… pothuaj letërsi”. (Perëndia u faltë mëkatet.) Ata që kapin për xhakete blerësin më të parë dhe bëjnë foto për të na treguar… suksesin. Ata të cilëve u është besuar të përzgjedhin për të përkthyer (me paratë e shtetit) një libër në gjuhë të huaj dhe… përzgjedhin klientin e tyre, në mos shokun a mikun, ani pse mediokër tjetri dhe pa një shenjë mbarësie në treg a sa i përket Mendimit Letrar. (Po ç’të bëjnë edhe ata, aq kanë në dorë.)

Kjo ishte pak a shumë. Po… panair, o vëllezër e motra, si gjithnjë; vetë fjala e thotë ç’është… Fundja, kur kemi botuar ndonjë libër, jemi atje për të bërë detyrën, si qytetarë dhe si krijues; të tjerat shkojnë e vijnë. (T’i ikim patetizmit.) Nuk mund të na tundë flamuj askush pa qenë dikush; dhe për më tepër… para kohe e kur nuk e dimë ç’mbetet.