* TË PATHËNAT PËR JETIMIN QË U RRIT NËN KUJDESIN DHE DASHURINË E NJERKËS.
* STUDENTI NGA LAZARATI QË E MËSOI PROFESORI I ARDHUR NGA UNIVERSITETI I ÇIKAGOS, HARRY FULTS, NË SHKOLLËN TEKNIKE NË TIRANË.
* MUHAMET GJOLLESHA, SHQIPTARI NGA GJIROKASTRA QË ITALIANËT NË NJË VIZITË ZYRTARE ,S’I LA TË NGRININ FLAMURIN ITALIAN NË ZYRËN E PUNËVE PUBLIKE NË SHKODËR.
* SI DËSHTOI KRYENGRITJA E MATIT ?
PËRFORCIMET E SHUMTA TË ARMIKUT DHE TRADHËTIA E KRERËVE VËNDAS.
VARJA E MUHAMETIT NË 29 SHKURT 1944 NË MES TË TIRANËS DHE DITËN TJETËR ENDE KULLONTE GJAK NGA KËMBËT E TIJ.
MUhamet Gjollesha nga Lazarati i Gjirokastrës, që në moshë të re do të bëhej i famshëm dhe një trim i çartur kundër forcave fashiste dhe atyre naziste gjermane gjersa gjithë urrejtjen që kishin për të e zbrazën atë ditë që e çuan para litarit në mes të Tiranës. Studenti i shkëlqyer i shkollës Teknike “HARRY Fultz” ,s’rreshti duke punuar dhe ndihmuar të varfërit sikur ishte me punë në zyrat vendore dhe kur u emërua në Ministrinë e Punëve Publike.
Për të n’a folur për jetën e tij të shkurtër, profesorit Halil Hallaçi, i morëm këtë intervistë për gazetën”Telegraf”.
ZOTI HALIL! Ç’FARË DINI PËR FËMIJËRINË E MUHAMET GJOLLESHËS?
Muhameti lindi në vitin 1914 në Lazarat. I ati i tij, Bido Latifi, kishte një ekonomi të mirë familjare. Për të përmirësuar më shumë gjëndjen në familje u shpërngul më në jug, në qytetin e Delvinës. Edhe pse kështu nuk i ndërpreu asnjëherë lidhjet me vendlindjen-Lazaratin. Në Delvinë Bidua bëri shumë miq. U rrit nën kujdesin e gjyshes, Bylyrës, dhe hallës, Hanko Alikos, sepse nëna i ndroi jetë dhe kur i ati,Bidua,u martua me Zejnepe Borshin , motrën e Myrteza Borshit, Muhameti u rrit me përkushtimin dhe dashurinë e njerkës. Në vitin 1924 , Bidua mbështeti revolucionin Demokratik të udhëhequr nga Fan Noli, duke qenë gjithmonë aktiv në ngjarjet e mëdha kombëtare. Këto cilësi Bidua i transmetoi tek i biri, Muhameti. Nisi arsimin fillor në fshatin e lindjes dhe më pas në Delvinë, ku në vitin 1929 përfundoi shkollën me rezultate të larta.

Për të u hapën dyert për të vazhduar me bursë në shkollën Teknike “HARRY FULTZ” në Tiranë.një institutucion prestigjioz i drejtuar nga Harry Trevlin Fultz , profesor i ardhur nga universiteti i Çikagos. Muhameti i mbaroi studimet në vitin 1936.
A E PATI TË VËSHTIRË PËR TË GJETUR NJË VEND PUNE PAS PËRFUNDIMIT TË STUDIMEVE?
Menjëherë pas mbarimit të studimeve filloi praktikën profesionale në Berat. Më pas shërbeu në Shkodër dhe Mat. Në vitin 1937 u emërua zv.inxhinier në Bashkinë e Beratit, ku punoi gjer në vitin 1938. Në një konkurs që u bë, ai e fitoi atë dhe u emërua gjeometër në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe më vonë teknik në Ministrinë e Punëve Publike. Kjo detyrë i krijoi mundësinë për të punuar dhe njohur shumë ekspertë dhe drejtues në të gjithë vendin. Mori pjesë në projektet që ndihmuan në modernizimin e infrastrukturës shqiptare. Në shtator të 1939 u transferua në Shkodër. Muhameti u përball për herë të parë me realitetet e vështira të kohës gjatë viteve si student, duke njohur sfidat sociale dhe politike përmes përvojave personale dhe mediave si gazeta e shkollës “Laboremus”. Ai shpresonte se institucionet publike do të ishin në shërbim të qytetarëve . Në vend të kësaj Muhameti hasi një realitet të hidhur , atë të abuzimit me fondet dhe shpërdorimit të besimit popullor nga autoritetet e kohës. Një ngjarje e veçantë që e tronditi Muhametin, ishte rasti i familjes “Kondo” në Berat, shtëpia e të cilit ishte në rrezik shëmbjeje. Muhameti u caktua për të vlerësuar gjëndjen e shtëpisë. Duke parë rrezikun e madh dhe nevojën për përforcime të mëdha, ndjeu keqardhje, kur bashkia afronte për atë familje vetëm 8 franga ari. Me një ton të zhgënjyer,Muhameti i tha qytetarit:” Bashkia s’ka të paguaj pastruesit e qytetit e jo të ndihmojë qytetarët , sepse paratë e të ardhurave të saj , i ha Yzeir Beu ,kryetar i bashkisë”. Gjëndja politike në atë periudhë ishte në tension të vazhdueshëm, për shkak të varësisë të qeverisë shqiptare nga Italia. Regjimi i Ahmet Zogut, për Muhametin, ishte i përkulur përballë interesave të Italisë. Me pushtimin italian ,7 prill 1939 ,i riu lazaratas u bashkua me rezidencën antifashiste, duke u përfshirë në organizimin e grevave dhe protestave. Në grevën e punëtorëve të Rubikut në 1939 ,vazhdoi të bashkëpunonte me qarqe antifashiste dhe synimi i tyre ishte jo vetëm çlirimi kombëtar, por dhe përmirësimi i kushteve sociale të klasës punëtore. Me fillimin e punës në Zyrën e Punëve Publike në Shkodër Muhametit i’u desh të përballej me forcat pushtuese italiane. Në ato ditë tragjike, zëri i protestës u ngrit anë e mbanë vendit. Në Shkodër, demostratat kundër pushtuesve u udhëhoqën nga studentë, zejtarë e puntorë, si dhe pedagogë e intelektualë të qytetit.

SI KUNDËRSHTOI HAPUR NGRITJEN E FLAMURIT ITALIAN GJATË NJË VIZITË ZYRTARE TË ITALIANËVE?
Muhameti kundërshtoi hapur urdhrat e autoriteteve fashiste. Në vitin 1941,kur autoritetet italiane urdhëruan që gjatë një vizitë zyrtare të përdorej flamuri italian. Në vend të këtij , Muhameti , ngriti flamurin kombëtar shqiptar. Kjo shkaktoi zemërim te autoritetet fashiste. Në 12 prill të vitit 1940 , ndodhi incidenti tjetër. Muhameti refuzoi që të fotografohej me autoritetet italiane.Veprimet e tij u konsideruan si sfida të hapura ndaj regjimit. Ishte në ndjekje të përditshme dhe konsiderohej si një rrezik për stabilitetin e administratës. Dokumentet arkivore , si ato të AQSH- së , dosja nr.30 , përshkruajnë detaje nga të veprimtarisë antifashiste të Muhametit. Sfidoi autoritetet. Le të kujtojmë këtu refuzimin e fotografive me autoritetet fashiste, heqja e posterave propagandistike. Shto këtu dhe ngritjen e flamurit kombëtar në vënd të simboleve fashiste. Ja si raportonte policia e Shkodrës, në një letër që i drejtonte Drejtorisë Qëndrore të Policisë, me shkresën nr.03146:”Muhamet Gjollesha, me origjinë nga provinca e Gjirokastrës, i cili pasi ka ndjekur studimet në shkollat e financuara nga anglezët në Tiranë, ka ruajtur gjithmonë ndjenjat e simpatisë së tij ndaj Anglisë,duke shfaqur urrejtjen ndaj Italisë dhe regjimit aktual në Shqipëri”. Muhamet Gjollesha, në të gjitha detyrat e zyrës së tij , kryente propagandën armiqësore ndaj Italisë. Inxhinieri Kroqi shprehej se:” Muhameti fajësohet për mos ngritjen e flamurit italian “.Dhe një herë tjetër, ai do të thoshte se:” Do të ndjehesha i lumtur të largohesha prej Muhametit”. Autoritetet italiane ndërhynë dhe e transferuan në nën.prefekturën e Matit, në Burrel. Në 1941 Muhameti mori detyrën në një zonë të panjohur. Aty gjeti dhe një shok të shkollës, Ali Dukagjinin nga Mati. Aliu i dha një shënim për të takuar komandantin e xhandarmërisë, Dalip Kurtin. Shënimi i shkruar mbi kapakun e paketës së cigareve. Në zyrën e punëve publike, në Burrel , Muhameti u njoh me një inxhinier bjellogardist Golikov, një antikomunist që kishte emigruar pas revolucionit të Tetorit dhe kërkonte të luftonte kundër Stalinit. Muhameti punoi që të përmirësonte jetën e fshatarëve duke hapur fronte pune . Në një konflikt për kufijtë , midis fshatit Murrë dhe Vinjolit, ai arriti që të shmangte një tragjedi, e cila mund të shoqërohej me viktima.

DIÇKA NGA LETRA QË DËRGOI NË TIRANË ME PSEUDONIMIN E TIJ, ‘BARDHOK HALLVAXHIU’.
Në pranverën e vitit 1943, Muhameti dërgoi një të ri nga Burreli për në Tiranë me një letër që mbante pseudonimin e tij ,”Bardhok Hallvaxhiu”. I riu hyri në lidhje me shokun që i drejtohej letra , i cili porsa e mori letrën , i përgatiti një valixhe të mbushur me armë dhe material propagandistik. E vendosi në autobuzin për në Burrel , nën mbishkrimin se ishte për “zyrën e Fashos”. Për konspiracion, valixhja nuk i’u dha atij që solli letrën. I riu u porosit që të udhëtonte me këtë makinë dhe të kishte kujdes për valixhen, dhe nëse do t’i dilte ndonjë kontroll të pyeste për të , i riu nuk duhej që t’i dilte për zot ,veçse të kujdesej për fatin e saj gjer në Burrel. Kur autobuzi arriti në Burrel i doli para Muhameti me një shok tjetër të grupit të të rinjve të qytetit. E morën valixhen dhe ua dërguan shokëve të çetës partizane. S.Xhetani, nga Dorjani ,që më vonë u radhit në çetën partizane të Matit , tregon në kujtimet e tij, sesi Muhameti pas njohjes së tij nëpërmjet xhaxhait të vet, e kishte marrë në dhomën e tij dhe pasi i kishte folur kundër fashizmit dhe tradhëtarëve , e kishte porositur , që çdo të mërkurë të shkonte me kafshë në Burrel dhe kafshën t’a lidhte aty afër , në banesën e tij, aty ku sot është lagjia”Isuf Plloçi”, tek rruga që të shpie në hyrjen kryesore të gazetave ,ndërsa samarin t’a linte para derës së banesës së tij. Muhameti, siç mësoi më vonë i riu shqepte samarin , e mbushte me trakte e komunikata, e qepte përsëri dhe e linte në vënd. I riu ;paditur gjë për këtë , e merrte kafshën , ngarkonte ushqimet dhe i shpinte në fshat ,nga ku shpërndaheshin tek shokët e çetës dhe nëpër fshatra. Lëvizjet e të riut nuk mbetën pa rënë në sy të fashistëve. Një ditë, kur ai ishte duke shkuar për në fshatin Lufaj të Mirditës, një kapter i postës së xhandarmërisë së Dorjanit e kapi tek ura e Lufit dhe e kontrolloi. S’i gjeti asgjë. S’i vajti mendja se mund të kishte fshehur brenda samarit. Kapteri e rrahu ,se mos nxirrte ndonjë sekret prej tij dhe në fund e la të lirë.

PO ATENTATI KUNDËR NËN.PREFEKTIT TË MATIT, HAFUZ HASA?
Në 29 Mars një njësi e çetës së Çermenikës , i përbërë prej 11 vetash , nën komandën e Ramadan Çitakut, u nis me një mision të posaçëm drejtë Perlatit të Mirditës, për të marrë sekretarin e partisë së Malit të Zi, Bllazhe Jevanoviçin, i cili po qëndronte aty prej disa ditësh, me Vasil Shanton dhe të tjerë. Itenerari i njësitit përfshinte kalimin nga Çermenika , Martanesh, Qafë Buall, Patin, Kurdari, Lis, Shëlli, Macukull dhe në Perlat. Nga Shëlliu për në Perlat , udhërrëfyesi ngatërroi drejtimin dhe i çoi ata në fshatin Macukull. Ishte dy dhjetor. Elementët dashakeqës lajmëruan postën e xhandarmërisë dhe milicisë fashiste. Pas një beteje 3 deri 4 orëshe, njësia kapi dy anëtarë të njësitit ,Pleurat Xhuvanin dhe Pandeli Gugën.Të dy i dërguan në burgun e Burrelit. I torturuan barbarisht , për të nxjerrë informacione mbi shokët dhe misionin e tyre. Nën.prefekti i Matit, Hafuz Hasa,i njohur për qëndrimin e tij të ashpër dhe mbështetjen ndaj fashizmit , deklaroi publikisht se do t’i varte të burgosurit në mes të pazarit , duke kërkuar miratimin e dekretit të varjes nga Jakomoni, mëkëmbësi i Mbretit.
Me të mësuar se Hafuz Hasa , do të udhëtonte për në Tiranë , për të marrë dekretin e varjes ,Muhameti u nis drejt Tiranës dhe organizoi me ndihmën e njësitit gueril një atentat kundër Hasës. Në 13 dhjetor 1942 ,Hafizi, bashkë me sekretarin e tij ,Nik Sokolin, vizitoi djalin e tij, Enver Hasën, që ishte toger i gardës së Logostencës dhe banonte në rrugën “Bajram Curri”, pranë Medresesë. Njësiti veproi me kujdes: Një anëtarë ruante hyrjen e shtëpisë ,ndërsa dy të tjerë u prezantuan si miq të familjes. Njeri nga atentatorët qëlloi mbi Hasën, por Sokoli ndërhyri, duke devijuar plumbin. Në këtë moment një atentator tjetër, hodhi një bombë , që plagosi rëndë Sokolin dhe Hasën. I dërguan në Itali për mjekim. Plani për varjen e partizanëve prej Hasës dështoi. Muhameti informoi Aleksandër Xhuvanin ,babain e Pleuratit në burgun e Tiranës .U liruan në korrik 1943. Kur Pleurati mësoi se Muhameti i kishte shpëtuar jetën tha:” Këtë gjë s’e kam ditur,veç më kujtohet se në burgun e Burrelit , më erdhi një djalosh i famshëm , më pyeti e më dha kurajo”.
Këto janë fjalët e Pleuratit, për Muhamet Gjollesha.
CILI ISHTE URDHËRI I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME PËR ARRESTIMIN E MUHAMET GJOLLESHËS?
Në pranverë të vitit 1943,Ministria e Punëve të Brendëshme , dërgoi një telegram të koduar ,në zyrën sekrete të nën.prefekturës së Matit , duke urdhëruar arrestimin e tij. Sekretari i zyrës ,R.S, i njohur për admirimin që kishte ndaj Muhametit ,e paralajmëroi atë, duke vonuar dorëzimin e telegramit. Pas këtij paralajmërimi , Muhameti vendosi të përballej me situatën. Iu drejtua vet ministrit të brendshëm ,Kol Bibë Miraka, me fjalët:”Erdha vet, pasi mora vesh për urdhërin tuaj të arrestimit. Ja ku jam! Arrestomëni po deshët, por në Mat nuk shkoj gjallë i arrestuar.”
Kjo përballje e tij e detyroi ministrin që t’i premtonte lirimin, por pas disa muajve, dalin me një urdhër të dytë për arrestimin e tij. Ai urdhër e gjeti Muhametin në mal me shokët e çetës partizane të Matit, duke kryer rezistencën e tij në një front të hapur kundër regjimit fashist.
Muhameti mbante lidhje me të burgosurit politik në burgun e Burrelit. Ai siguronte ndihma ekonomike dhe përpiqej që të zbuste vuajtjet e tyre duke shfrytëzuar influencën që kishte. Ja si shprehet në kujtimet e tij ,vëllai i Beqir Minxhozit ,Ymeri, në librin e tij”Tahir Minxhozi”:”Një jetë me mirënjohje “, tregon :-Me Muhamet Gjolleshën ne kishim një farë njohje prej disa muajsh , sepse kishte qenë njëherë në shtëpinë tonë , në Shëlli, para aksionit të Vigut. Në atë kohë , dy apo tre herë mua më ishte dashur që të shkoj në zyrat e punëve publike në Burrel për t’i çuar Muhametit, letrat e Beqirit. Me ndihmën e këtyre shokëve, ne siguruam një leje për të shkuar në burgun e madh dhe për të biseduar disa minuta me babën. Makina ecte. Bisedat mes pasagjerëve s’kishin të sosur. Gjithsecili qante hallet e tij , po si pa kuptuar biseda erdhi rreth rrugës , asaj rruge ku po kalonin.- O inxhinier?- foli një burrë i moshuar me llullë në gojë , një djalosh flokëverdhë, që kishte zënë vend aty nga mesi. Po pse bre,s’po fillon me rregullue këtë dreq rruge, që na e hëngri shpirtin?- Ka me u ndreq ,o axhë ,madje do t’a bëjmë më mirë ,- u përgjegj djali në dialektin e plakut, megjithëse dukej qartë në të folur që s’ishte nga ato anë.
– Si the , më të mirë? Besa , or mik , jena ngop me të tilla fjalë! .Unë kam me e besue bash njëherë kur t’a shoh.- Po do arrish që t’a shohësh , jo vetëm ti , por të gjithë,- i tha djaloshi.
– Po mirë , o inxhinier , njashtu si thua ti qoftë. Po a ke me ndenjë shumë ? Kur po më vjen prapë?
– Shpejtë do të kthehem. Po bëheshin mëse tre orë që po udhëtonin brenda grykës së lumit dhe ende s’po dukej ura ku kthehej rruga për në Tiranë. Ujrat e Matit, të fryra nga shirat e atij dimri , s’po përmbaheshin. Pasagjerët që ishin , i ngulën sytë mbi ato ujra ,që ishin shtrirë sa të hante syri. Inxhinieri , që ishte ulur, me vështrimin e tretur mes ujrave , u kthye menjëherë nga udhëtari. Sytë e plakut që mbante llullën në gojë ,prisnin përgjigje. Si e vështruan njëherë njeri – tjetrin , djaloshi i tha:”Edhe ato do t’i zbusim. Kohët do ndryshojnë. Ata njerëzit e fushës, ju të malit dhe ne robërit , s’do hiqemi më zvarrë. Do jemi ne të zotët e këtij trualli”.
Të gjithë e shihnin inxhinierin dhe dëgjonin me vëmëndje. U dukeshin si përralla ato që i thoshte ai. Makina vazhdonte të ecte. Po atë ditë, Muhameti arriti në Tiranë. Zbriti nga makina dhe u drejtua për në agjensi. Mori biletën për në Gjirokastër. Atë pasdreke i pa për herë të fundit shokët, pa për herë të fundit qytetin …Të nesërmen ,Muhameti, me beretën në kokë , me shallin e kuq që i’a valëviste era atë ditë shkurti ,e panë shokët e tij, nxënësit e shkollës Teknike, që mbaruan me të në vitin 1936 e dolën gjeometra . Ai mbeti me biletën e udhëtimit në xhep, për të qëndruar kurdoherë pranë nesh, për të udhëtuar gjithnjë së bashku me ne.
E varën Muhamet Gjolleshën, e varën publikisht,e varën forcat gjermane dhe bashkëpuntorët e tyre. Qytetarët e Tiranës shtangën nga ajo që po ndodhte atë ditë. Ndërtesat e pa përfunduara dhe ambienti urban i Tiranës në sfond, tregonin realitetin e një vendi të pushtuar. Për të mbuluar krimin e shëmtuar , xhelatët natën e 29 shkurtit 1944 ,ashtu të vdekur ,e varën në sheshin para xhamisë ,tek Pazari i Ri. Nga majat e gishtërinjve të tij rridhte gjak.
MUHAMET GJOLLESHA MORI PJESË NË KRYENGRITJEN E MATIT?
Nga 31 korriku deri në 4 gusht 1943, çeta e Matit , së bashku me tre mijë vullnetarë të armatosur nga popullsia vendore, ndërmori një kryengritje kundër garnizoneve fashiste në Burrel, kampin e internimit në Gërmen dhe Qafë- Buall. Qëllimi:Të çlirohej plotësisht Mati dhe të goditeshin forcat pushtuese italiane në këtë zonë. Muhamet Gjollesha ishte një nga drejtuesit kryesore të kryengritjes. Ai siguroi për rezistencë shumë matjanë. Kampi i internimit në Gërmen ishte një simbol i shtypjes fashiste. Aty mbaheshin familjarë të partizanëve , kundërshtarë politikë dhe antifashistë të dyshuar. Muhamet Gjollesha , së bashku me shokët e tij u dërgua për të udhëhequr sulmin në kamp. Italianët dhe milicët vendas , u përpoqën të rezistonin duke u mbyllur në fortifikatën e kampit . Sulmi dëshmoi vendosmërinë e partizanëve dhe ndihmoi në përhapjen e frikës mes pushtuesve. Kryengritja e Matit nuk arriti të çlironte plotësisht zonën për shkak të përforcimeve të shumta të armikut dhe tradhëtisë të disa krerëve vendas , por ajo arriti që të paralizonte administratën fashiste në Mat dhe duke i lënë krahinën pa qeverisje deri në fund të atij viti. Nga kjo kryengritje u çlirua burgu në Burrel , u tronditën garnizonet italiane.

SI E VARËN NË LITAR NË 29 ShKURT TË VITIT 1944, PËRPARA QYTETARËVE TË TIRANËS?
Në shkurt të 1944 ,xhelatët nazistë dhe bashkëpuntorët e tyre,me në krye oficerët e Xhelal Stora Veçkës , arrestuan Muhamet Gjolleshan. Që në fillim ata nisën të përdorin ndaj tij torturat më të tmerrshme :Kamzhikun , vezët e ziera mbi trup, shkuljen e thonjve si dhe shkuljen e një dhëmbi të florinjtë nga nofulla e poshtëme. Ja si shkruan Kadri Kotoni , një shokë i tij:”Rreth orës 22 .po,të asaj nate , më çuan edhe mua në dhomën e torturës për të parë Muhametin. Nuk e njihja më parë , por pamja e tij më tronditi. Trupi i mbuluar me gjak dhe sfilitja nga torturat e kishin lënë të pashpresë. E megjithatë ai qëndroi. Muhameti arriti që të hapte pak sytë , më pa drejtë e në sy , me një buzëqeshje të lehtë, shtrëngoi grushtin e djathtë, pastaj rregulloi shallin e kuq në qafë dhe më bëri shenjë duke thënë:”Qëndro burrë!” Xhelatët u kthyen për t’a torturuar sërish. Nga goja e tij nuk morën asnjë sekret,asnjë tradhëti.Në vënd të kësaj ,ata dëgjuan vetëm thirrje kundër fashizmit “Pasi e torturuan gjersa ai humbi ndjenjat ,në agimin e datës 29 shkurt 1944 ,xhelatët e zhveshën nga çdo ndjenjë njerëzore dhe e shpunë trupin e pajetë në Pazarin e Ri.Aty,para xhamisë ,ngritën trekëmbëshin ku do t’a varnin.Një skenë tronditëse !Në agimin e asaj dite ,në sheshin e trekëmbëshit ,nga gishtat e Muhametit kullonin ende pika gjaku. Muhametin e varën! Lajmi u përhap në gjithë Tiranën.Tek çdonjeri pikëllim! Dhimbje tek familjarët e të afërmit ,dhimbje tek shokët e lëvizjes dhe çeta e Matit, që humbën një luftëtar të vendosur. Historisë shqiptare i’u shtua një hero më shumë. Aty, aty ku mori frymë për herë të fundit , tek sheshi i trekëndëshit të vdekjes, ai pa për herë të fundit Tiranën. Aty ai la kujtime dhe vështrimi i mbeti tek Atdheu, tek familja dhe shokët , aty në Lazaratin e tij të dashur përfund malit të Sopotit.




















