Pashalimani në paraqitjen e një dokumentacioni për sferat e larta

1093
Vijon nga numri i kaluar

– Dokumenti nr.54 Tepër-Sekret, Vlorë dt.18.5.1961. 
Edhe në këtë informacion, të kryetarit të degës së Sigurimit të Ushtrisë Gjeneral-Major Halim Xhelo, jepen të dhëna të kësaj natyre në 4 faqe, që përfshijnë që nga detarët poshtë, e deri lartë tek gjeneralët sovjetikë. Midis të tjerave mund të përmendim: Toger Getman dhe kapiten lejtnant Petakov, i kanë thënë kapiten Shyqyri Çukës e disa marinarëve tanë, se: “ND janë tonat dhe, në qoftë se doni t’i bleni ju s’keni lekë. Juve ju gënjejnë, nuk iu kanë thënë të vërtetën. Në Vlorë vaporrët sovjetikë shkarkojnë grurë, kurse populli nuk di asgjë se çfarë ka ndodhur. Ju ngelët vetëm dhe u shkëputët nga Kampi Socialist. Neve jemi për paqen, kurse juve jeni për armatimin. Juve nuk kuptoni se po të fillojë lufta është aq shkatërrimtare, sa që duhet të fillojë nga e para…Neve nuk duhet të ikim nga Pashalimani, ashtu, si mendoni ju shiqptarët. Ne do të ikim nga Pashalimani, kur të thotë qeveria sovjetike. Juve keni ngritur gatishmërinë për të na friksuar neve. Ne, për interes të kampit socialist japim jo këtë bazë por shumë baza. Ne nuk mund t’i japim Kinës të gjithë Sahalinin. Kolektivizimi i bujqësisë në Shqipëri nuk është e vërtetë se është realizuar 85%, por vetëm 13%. Gjyqi i Teme Sejkos, nuk është asgjë dhe nuk mund të quhet komplot, sepse në gjyq gjykohen disa barinj. Ju shqiptarët, ju ka marrë frika nga Jugosllavia. Çudi, pse nuk mblidheni ju vendet ballkanike për të vendosur paqen dhe të bëni çarmatimin e plotë. Shtypi shqiptar nuk flet drejt, nuk thotë të vërtetën. Ne sovjetikët do të ndihmojmë vëndet, si India, që të fitojmë simpatinë. Jemi në rrezik, që të na vrisni me armët tona, e si mundet, pra, që B.S të lërë këto ND. Neve nuk na vjen keq për këto katër ND, e as për 20, por po të ndryshohet politika, do të japim edhe më shumë ND dhe çdo gjë. Gjyqi i Teme Sejkos zhvillohet në prezencë të tre korespondetëve të huaj. Vetëm ai i Kinës ka përkthyes të tijin, kurse çekut dhe gjermanit, iu keni dhënë përkthyesit shqiptarë. Gjendja e juaj është e varfër, fëmijët tuaj shkojnë në gropat e plerave dhe merrnin sendet që hidhnim ne sovjetikët”.
Kapiteni i rangut II Igor Kamarov dhe zëvëndësi i tij për punë politike kapiten lejtnant Stepanovic Trashinku i thanë kapiten Petrit Myftiut, se: 
“ND janë tonat. Ato janë tej juve, por jo tuajat. Pse nuk vutë në dijeni B.S dhe demokracitë popullore, për zbulimin e komplotit dhe gjyqin që po zhvillohet. Më dt. 12.3.1961 në gazetën “Pravda” është shkruar artikulli me titull “Greqia nën Kthetrat e NATO-s. Aty është shkruar. Se shqiptaria nuk është vetëm, por ka miq dhe në rradhë të parë B.S-në. Juve këtë artikull, pse nuk e keni përkthyer, kur keni përkthyer çdo gjë të kësaj date, por për artikullin e “Pravdës”, nuk flitet fare. Në qoftë se u ndihmoi Kina, ajo grurin tonë iu dha, se nuk ka për vete. Ndërsa në bisedën e marinarëve sovjetikë të ND-284, si kapterr Irishenko, Shubenko, Aleksejev etj, në bisedë me kapiten Asti Popën e disa marinarët tanë iu kanë bërë pyetjet: “Përse nuk keni pranuar, që bazën e Pashalimanit, ta komandojë mareshalli Greçko? Përse e keni mohuar dhe mohoni ndihmën sovjetike? Kush ju ka sjellë robat, që keni veshur dhe bukën që hani? Juve nuk ju përgjigjeni pyetjeve tona, se keni frikë se ju fusin në burg! Tek juve nuk ka liri fjale. Kapiten Krillovi, instruktor ne shkollë, ka provokuar rreshterin Qazim Bashën, duke i thënë: Ç’provokacion i poshtër, që m’u bë, kur shkova në Tiranë për të përcjelle gruan. Polici nuk më la të hyja në aeroport dhe të përcillja gruan. Juve nuk i merni dot anijet, se nuk keni t’i paguani. Ju thoni për Hrushovin se është revizionist, dhe po këtë e thonë edhe imperialistët”. Në dt.17.5.1961, në një bisedë që ka bërë kapiteni sovjetik Vasili Ivanoviç Petev, ka thënë: “Kudo keni vendosur roje dhe keni bllokuar bazën me gjuajtës. Këto masa janë marë në drejtimin tonë. Partia juaj nuk është në rrugë të drejtë, ndërsa e jona po. Në partinë tuaj ka dogmatikë dhe armiq, siç ishte në partinë tonë Beria. Teme Sejkua dhe Panajot Plaku, kanë qënë komunistë dhe bolshevikë të vërtetë dhe nuk është reale ajo që thoni ju, se ata janë komplotistë dhe armiq”. Oficeri sovjetik me mbiemrin Retkor, zv. Komandant i nëndetëses 270, ka thënë, se: “Ju e keni mohuar fluturimin e Gagarinit. Juve në parti nuk ju thonë të vërtetën. Nëndetëset që i kemi dhënë Naserit, Indisë, ua kemi shitur me flori etj. Ndërsa sovjetiku Saja është shprehur,se: “Pas ikjes sonë do të mbeteni vetëm dhe do t’ju sulmojnë turqit, grekët dhe flota VI amerikane. Saja arriti deri në bisedime me një marinarin tonë, që t’i bëjë një propozim për të tradhtuar atdheun, por përgjigja e tij ishte, se për mua atdheu im është Shqipëria.
Shkresa Tepër-Sekret, nr.53. Vlore 11.5.1961, përmban këtë shënim operativ-të punëtorit operativ N/Kol Qemal Pashai: dokumentin nr.50, Tepër-Sekret, Vlorë,
“Në takimin që bëra në dt.11.5.1961, me bashkëpunëtorin “Busulla”, midis të tjerash raportoi se: “Është takuar me kapitenin e rangut të dytë Vorobjev dhe mbasi shkuan në turizëm ku pinë nga katër dopio konjak Vorobjevi i tha, se: “Tanimë ikja në mnyrë arbitrare e mjeteve dhe ekuipazhit nga Gjiri i Vlorës nga ana e jonë nuk do të bëhet. Kjo nuk është e leverdisshme, mbasi në breg neve kemi, pajisje dhe maqineri të shumta. Përsa i përket problemit të mjeteve, qeveria e jonë ka përpunuar, deri në dhjetë variante, të cilat i dinë Kuliku. Unë di, prej tyre vetëm dy: 

I. Varianti i parë është ai, që qeveria sovjetike ka propozuar, që baza e Vlorës të pajisesh plotësisht me ekuipazh sovjetik; të forcohesh kjo me mjete dhe pajisje për një periudhë 5-6 vjet dhe mandej t’i dorëzohesh qeverisë shqiptare, ashtu, siç iu bë në Port-Arthur. 
II. Varianti i dytë është, që të lihen mjetet e Sazanit, B/L “Tomori” dhe 4 ND. ND e qeverisë shqiptare, kur kjo t’ia paguajë qeverisë sovjetike me një afat afërsisht, prej 5 vjetësh në valutë. Përveç këtyre, Vorobjevi në bisedim me bashkëpunëtorin, kishte thënë, se: “Qeveria shqiptare, sido që të ishin kontradiktat me B.S, nuk duhej të vinte veten kundra B.S-së, duke i thënë bashkëpunëtorit, se shiko përrreth, të gjitha këto ndërtime i ka bërë për juve B.S-ja. Ai tha, se Hrushovi, ka ftuar udhëheqjen e partisë dhe të qeverisë tuaj, që të shkonin për bisedime në Moskë, por ata nuk pranuan, atëhere Hrushovi, ishte gati, që të vinte në Tiranë për bisedime, por edhe për këtë akoma nuk ka marë përgjigje. Përsa i përket mbledhjes së Komitetit politik konsultativ të Traktatit të Varshavës, Vorobjevi kishte thënë, se: “Aty u ftuan për të marë pjesë shokët Enver Hoxha e Mehmet Shehu, por ata nuk vajtën, dhe nuk bënë mirë, po ashtu nuk bëri mirë edhe gjeneral Beqiri, që nuk mori pjesë në drekën e shtruar nga Hrushovi. Më në fund udhëheqësit tuaj e kanë fajin në politikën e jashtme dhe jo Hrushovi. Kapiteni i rangut të dytë Merkulov i kishte thënë bashkëpunëtorit “Mali i Dejes”, se “shefat tonë le të bëjnë çfarë të duan, neve do ta forcojmë miqësinë me popullin shqiptar”.

– Dokumenti nr.55.Tepër-Sekret. Vlorë dt..23.5.1961. Gjeneral-Major Halim Xhelo, shkruan këtë informacion mbi gjendjen në Pashaliman: 
“Qysh nga paralajmërimi që iu bë palës sovjetike dhe veçanërisht nga ardhja e Admiral Kasatanovit, në Katelnik, sulmi i propogandës së hapët kundër nesh, është ulur por nuk ka pushuar…Kapiteni i rangut të parë Ivanov i ka thënë kapiten Paskal Thanasit, se neve na kanë thënë se Enver Hoxha, nuk e ka firmosur deklaratën e Moskës, sepse ai e nënvlftëson Traktatin e Varshavës, prandaj dhe nuk mori pjesë, se juve nuk i keni trajtuar mirë shokët sovjetikë e familjet e te tyre dhe se popullin e mbani me frikë e nuk i thoni asgjë”. A mund të më shpjegosh për këto? Kapiteni i rangut të parë Diftirenko i ka thënë kapitenit të parë Izet Velçanit: “U pa tashmë se juve nuk jeni me Partinë Komuniste të B.S-së. Edhe neve tani e përjashtuam nga partia Molotovin. Kapiteni Aleksei Vermallov i ka thënë N/Toger Riza Lufos: “Pas mbledhjes që u bë në “Katelnikov”, neve (pala sovjetike), e rritëm shumë gadishmërinë. Tek neve disa punojnë të bëhen admiralë, kurse të tjerë të vrasin veten, ose disa të tjerë me të mbërritur në B.S, i kanë liruar e degraduar. Në takimin e bashkëpunëtorit “Busulla”, me kapitenat e rangut I, Bjellov e Vorobjev i kanë bërë shumë agjitacion, duke u mundur t’i mbushin mëndjen se gjoja udhëheqja e jonë është futur në rrugë të shtrembër, ndërsa ajo sovjetike është në rrugë shumë të drejtë. Ata u shprehën se ju nuk i kuptoni se ku iu shpie mushka, ku është tani Liri Belishova me të shoqin? Mesa duket Bjellovi është bashkpunëtor i sigurimit të atyre dhe duke shfrytëzuar miqësinë që ka “Busulla”, më Vorobjevin mendojnë ta përpunojnë për të mësuar gjëra që u interesojnë. Bashkëpunëtori, ka mbajtur qëndrim të mirë. Sovjetiku Zhenjin i bazës lundruese “Tomori”, në bisedë me Miçman Pavllo Konomin i ka thënë se “neve do të na urdhërojnë të qëllojmë kundër jush, por neve nuk do të qëllojmë, prandaj as juve mos qëlloni kundër nesh. Të njëjtën gjë, ia ka thënë edhje marinari Pavllov, marinarit tonë Refik Skëndaj. Në dt.22.5.1961 ora 13.00 K/Admirali Zagrebini, nga Tirana ka marë në telefon K/Admiralin Kulikun dhe i ka thënë: “K/Admirali Fedotov, të marë valixhen të mbushur e të niset për Tiranë, mbasi nesër do të shkojë në Moskë. Juve aty kini shumë kujdes”. Neve mendojmë se fjalët “të marë valixhen të mbushur”, duhet të jetë parrulla.
* Pashalimani në paraqitjen e një dokumentacioni për sferat e larta
Në radiogramin e dt.15.5.1961 Gjeneral-Kolonel Beqir Balluku, në cilësinë e MMP-së dhe të Zv/Komandatit të forcave të bashkuara të Traktatit të Varshavës, nëpërmjet Gjeneral-Major Halim Ramohitos në Moskë i dërgon Marshallit të B.S, A.Greçko, këtë shkresë: “Përfaqësuesi i komandës së bashkuar Gjeneral-Kolonel Andrejevi, sot në takimin që pati me mua, më vuri në dijeni mbi ardhjen e disa anijeve në gjiun e Vlorës, për të cilat uinë dhashë aprovim. Njëkohësisht ai ngriti çështjen, se gjoja vaporri “Ciaturi” u ndalua nga anija roje dhe iu drejtuan topat, gjë e cila, nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh kurrë në R.P.SH. Një deklaratë e tillë e përfaqësuesit të Komandës së Bashkuar është shpifje e trilluar, e cila i shërben vetëm helmimit të miqësisë midis popujve dhe ushtrive tona… Lutem shoku marshall, merrni masat e nevojshme dhe jepni udhëzime të ndalohen sa më parë të tilla veprime dhe sjellje të dëmshme dhe të dënueshme, që nuk përputhen aspak me miqësine midis popujve dhe ushtritë tona, si dhe me funksionet që mban Gjenerali Andrejev”. 

– Dokumenti me titull : “Përgjigje pikë për pikë çështjeve që ngrihen nga përfaqësuesit e komandës së bashkuar kryetarit të Këshillit të Ministrave te R.P.SH-së, mbi qëndrimin e efektivit shqiptar karshi njerëzve sovjetikë, që punojnë atje”, përfshin 9 faqe material, dhe të gjitha problemet nga dt.23.1.1961, deri në fund të shkurtit. Këtu futen të gjitha çështjet e marrëdhënieve të oficerëve të lartë sovjetikë dhe Shqiptarë. Në të gjitha këto referenca të saktësuara me emra dhe data, ka vetëm grindje politike, por asnjeherë tentativë për të vepruar me armë, maksimumi i acarimit ka qenë, midis elementëve të thjeshtë detarë sovjetikë e shqiptarë, deri në ndonjë rrahje me grushta, nëpër lokalet e pijetoreve.

– Dokumenti nga fondi i A.Q.U-së : “Sekretariati” dosja 170, viti 1961, përmban një informacion mbi takimin e Beqir Ballukut me gjeneral-Kolonel Andrejevin. Në këtë takim të dt.29.5.1961 ora 9, nga pala shqiptare ishte i pranishëm Gjeneral-Lejtnant Petrit Dume, ndërsa nga pala sovjetike K/Admiral Zagrebin. Gjeneral Andrejevi i paraqiti verbalisht disa çështje, Beqir Ballukut, që kanë ndodhur në bazën ushtarake detare të Vlorës, kundrejt marinarëve sovjetikë dhe që cenojnë marrëdhëniet e miqësisë midis palëve. Pa u zgjatur me përmbajtjen e këtij dialogu, e tërë biseda reflektonte një acarim të porositur nga lart.

Si përfundim aktorët dhe autorët e ngjarjeve në Pashaliman kanë përfshirë udhëheqjen e lartë të Shqipërisë dhe B.S-së dhe në mënyrë politike ato janë përcjellë tek ushtarakët, herë në mënyrë sekrete dhe herë në formë porosie dhe urdhri, pa e ditur shkakun e prishjes, deri në largimin, e ND-ve nga Vlora. Në fakt, largimi nga Pashalimani, ka qenë prologu i daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës. Admiralët sovjetikë, si Gorshkov dhe K/Admiralët, Gollovko, Zagrebin, Jegorov, Riballko, Çuikov, nga njëra anë dhe K/Admiralët shqiptarë Abdi Mati dhe Hito Çako, nuk kanë gjë tjetër, veçse aktorë të diktaturës së proletariatit. Moska bëri, disa tentativa për mos largimin e Shqipërisë nga Kampi i Socializmit, aq sa u interesuan Hrushovi, marshalli Greçko dhe aq më tepër përfaqësuesi i Komandës së Bashkuar të Trakatit të Varshavës Gjeneral-Kolonel Andrejev. Çështja e Pashalimanit, nuk ishte ndonjë gjë me kaq rëndësi, për sovjetikët, se sa çështja e shkëputjes, nga Traktati i Varshavës, që në fakt, filloi në këtë, ngjarje. Propoganda në linjë partie e hapur apo e mbyllur, shitej apo konsumohej në popull, si megallomania komuniste në botë.


Sigal