Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Elitë apo… klane?

41
Sigal

Në çdo lëmë të jetës, aq më tepër në letërsi e arte, ka një luftë të vazhdueshme për t’u promovuar dhe, ndërkaq, shfaqen pamje të ndryshme, shkallë dhe ndalesa që i bëjnë njerëzit të përpiqen të kuptojnë se cilët protagonistë dhe ç’arritje janë më pranë dhe në vendin e duhur në atë që e quajmë hierarki të vlerave. Kjo, sigurisht, është një temë ku fjalët dhe emrat duhen përzgjedhur me kujdes; është një ngrehinë sa modeste, aq edhe e sofistikuar dhe që, rëndom, e vështrojmë nga larg me nderim; është njëlloj muraleje që nuk nënkupton krekosje apo narcizëm për një palë dhe kokëulje e shpërfillje për të tjerë… Pra, lipset ta vlerësojmë termin e rrallë dhe ta shohim tablonë për të cilën po flasim si një përballje prurjesh që (siç do të rrahim të shtojmë më poshtë) duhet të jenë bindëse dhe të verifikuara.

Për të dalluar me drejtësi disa – në një qasje autorësh që mendohet se spikasin – duhet të shpjegosh se çfarë raporti kanë ata (autorët e veçuar) me kritikën letrare dhe publikun e, po ashtu, me botuesit, vendas e të huaj. Termat nganjëherë të brengosin; por me kritikë letrare kam parasysh përfilljen e krijimtarisë artistike nga pena të njohura – ndoshta edhe të paafirmuara, por që e zotërojnë fjalën – pena të tilla që shënimin letrar, recensionin, studimin, nuk i kanë për qokë apo meqë u është dhuruar një libër (!) Sa i përket raportit me lexuesit, duam apo nuk duam, ka të bëjë drejtpërsëdrejti me shitjen e librave, me suksesin në treg dhe më gjerë. Ndodh që një libër apo një autor (ndoshta në fillim) nuk e gjejnë mbështetjen e kritikës letrare dhe të publikut ashtu siç duhet apo siç mund ta kishin shestuar. Kjo ka shoqëruar ndonjëherë edhe shkrimtarë që më pas janë cilësuar të spikatur. (Sa për ilustrim, po kujtoj romanin “Getsbi i madh” të S. Fitsxherald apo dramën “Duke pritur Godonë” të S. Beket.) Por me kalimin e kohës, mendimi letrar dhe lexuesi e spektatori gjenden gjithnjë pranë autorëve të njohur apo atyre më të lexuarve dhe që, siç po përpiqem të shpjegoj, falë edhe vëmendjes së publikut, thirren të bëjnë pjesë në elitën e letrave.

Frika e vërtetë janë klanet që kanë me vete institucionet apo që i vënë poshtë ato, duke privatizuar ç’të mundin. Në vitet ‘70 e ‘80 klanet mbanin të mbyllura (vetëm) për një pakicë organet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ‘Drita’ e ‘Nëntori’ e madje i shtrinin ‘tentakulat’ edhe në Shtëpinë Botuese, në Teatrin Popullor e gjetkë. Jo rrallë ato orientoheshin krahinarisht, sipas lidhjeve miqësore e familjare. Këto klane, ndonjëherë thyheshin, shkalafiteshin; por përgjithësisht e rigjenin veten sërish. Pa ua marrë nëpër gojë vlerat dhe spikatjet, aq sa mund të ishin, pjesëtarët e tyre shpesh bënin pazare të rëndomta, ndikonin në vlerësime dhe nderime, në emërime dhe, për fat të keq, edhe në praktikën e poshtër të përndjekjes.

Në vitet e para të tranzicionit, një model tipik i të bërit klan, ishte tubimi i krijuesve dhe nëpunësve në zyrat e disa fondacioneve të huaja; më pas, po këta protagonistë vërshuan në gazetat dhe televizionet e kohës, ku ndërronin vendet dhe postet me njëri-tjetrin. Ishin dhe janë njerëz që vazhdimisht gugatin e dëgjohen më shumë nga sa u takon. Edhe sot e kësaj dite, bëjnë të njëjtën gjë; u ka mbetur ende shumë grintë nga kohët e shkuara. E them me dhimbje, por fuqia e klaneve ndonjëherë është e paparashikueshme dhe zgjat gjer në dhimbje. Ato shtrijnë ‘anëtarësimet’ edhe në politikë; ndërtojnë aleanca që në shikim të parë të lënë pa gojë, diktojnë, shfaqen ku s’ta pret mendja, pushtojnë të gjitha hapësirat e mundshme, duan të kontrollojnë dhe vënë nën këmbë historinë dhe të tashmen, mendimin dhe biznesin.

Imponimi në publik, është akti më i zakonshëm i klaneve. Mund të punojnë edhe nën rogoz, por rëndom parapëlqejnë të shiten sheshazi, për aq kohë sa nuk demaskohen apo thjesht vetëm ‘gudulisen’ nga pak. Aktualisht, janë klane ato që kanë pushtuar një pjesë të mediave shqiptare dhe kjo është aq e dukshme, sidomos në panelet e disa TV-ve, ku protagonistët (gjithnjë po ata) edhe pse mund të ‘përleshen’ me shoq-shoqin, prapë merren vesh për një rreth të ngushtë interesash, aktesh e (sidomos) njerëzish, të cilët duan t’i motivojnë e promovojnë, anipse mund të mos kenë staturën e duhur. Klanet gjithnjë marrin dhe japin porosi, vazhdojnë të bëjnë emërime dhe klasifikime; (të paktën ndikojnë në të tilla akte). Klanet përzgjedhin kush do të marrë çmim, kush do të botohet në gjuhë të huaj me atë apo këtë program apo sponsorizim të qeverisë, kush do të lëvdohet e pompohet dhe kush do të rrijë në vetminë e tij; (sado që shpesh, ata që e bëjnë elitën, janë pikërisht më të vetmuarit).

Elitë – është një fjalë e madhe. Elitat janë lartësi, model, inspirim, zhvillim; kurse klanet e zhysin krijimtarinë dhe meritat në paqartësi, për të mos përdorur fjalë si baltë apo terr. Jeta dhe krijimtaria e shkrimtarëve të elitës vjen si një përpjekje e pavarur, si një zhvillim i natyrshëm, i shtyrë më tej nga talenti i madh, nga mundësia reale për të dhënë mesazhe dhe nga qartësia e veçanësia artistike në rritje. Martin Camaj është një nga figurat e njohura të kulturës shqiptare, që u rrit i vetëm dhe pa u ngatërruar me klane dhe grupime. Një shembull i të qëndruarit larg klaneve, sado e çuditshme që mund të duket, ishte edhe Ismail Kadare. Që në krye të herës, pikërisht pse nuk iu qasej ‘grupazheve’ por shikonte vetëm krijimtarinë e tij, ai kritikohej nga shkrimtarë dhe poetë që ishin në një klan (apo në disa klane) dhe që, teksa pinin kafe e tymosnin duhan, merrnin nëpër gojë ata më të talentuarit. Kjo sjellje vazhdoi edhe më pas, kur Kadare sulmohej vend e pa vend, vetëm e vetëm pse në krijimtarinë e tij kishte risi e guxim: në gjetjet e bukura e të rralla, në skemat artistike që përdorte dhe në gjuhën e pasur, të cilën e shëndoshte dhe e lartonte pareshtur. Një nga përpjekjet e dëshpëruara për ta izoluar e vetmuar atë, ishte, me sa më kujtohet, një plenum i turpshëm i LSHA – u zhvillua në Pallatin e Kulturës – plenum ku klanet u përpoqën të ‘demaskonin’ romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”.

Ne s’jemi veç botës e kohës; gjithnjë ka pasur dhe do të ketë elita; por ato nuk krijohen nga qasjet e sforcuara apo nga ngutja e disave për t’u imponuar me çdo kusht. Arritja reale, në një vështrim të kufizuar, është ajo që përmbush pritshmëritë estetike të lexuesve në gjerësi të termit; dhe pranimi i saj si e tillë, mbështetet nga vlerësimet kritike, nga tirazhet, nga botimet në gjuhë të huaja, etj. Arritja, në çdo gjini a lloj, është një ‘vepër’ ku lënë gjurmët e tyre shumë krijues; sigurisht e më së pari ata më të talentuarit. Por atje dhe atëherë kur ajo duket e pakapshme dhe disi larg, fillojnë e lëvrijnë klanet; dhe kjo ndodh për shkak të kapjes pas ëndrrash, që pa le sa (pak) mundësi kanë për t’u realizuar. Krijuesit (me përjashtime të rralla) përpiqen të kërcejnë atje ku mund të bien në sy më shumë, pavarësisht cilët janë dhe ç’arritje kanë. Për ta parë veten në elitë, njerëzit janë gati të sajojnë gjithçka. Nuk ka më portrete të druajtura e që maten dhe meditojnë shumë rreth asaj që shkruajnë, sikundër (sa për të dhënë ndonjë shembull) E. Dikinson apo F. Kafka, krijues që nuk e kishin problem shfaqjen në publik dhe vëmendjen, për çka ‘vuajnë’ aq shumë sot pjesa më e madhe e njerëzve që përfshihen në tentativa letrare.

Krijimtaria, ajo që është e denjë për ta çuar krijuesin e vet në lartësitë e lakmuara të hierarkisë, shfaqet gjithnjë si një tërësi gjetjesh dhe arritjesh të tilla që plotësojnë ose pasurojnë tablonë artistike të një kohe të caktuar. Krijimtaria e mirë, e veçantë, nuk ndjek përvoja apo leksione patetike. Koha gjithashtu është e vetmja forcë, i vetmi personazh që nuk preket nga asnjë lloj patetizmi; ajo i vë gjërat në vendin e duhur. Shumë nga ata që ‘shkëlqyen’ dekada më parë, tash nuk tërheqin më askënd, anipse këtë s’mund ta themi me ndonjë lloj gëzimi a kënaqësie… sepse kështu ndodh gjithnjë, kështu do të ndodhë edhe me shumë e shumë të tjerë, që sot për sot u duket se janë diku në llozhat e elitës. Për atje, s’mund të të bartin dot klanet, ato e bëjnë këtë përkohësisht; le të themi, orvatja e tyre është një punë e lënë përgjysmë…

 

……………………………………………………..

 

* Emrat e shkrimtarëve të huaj janë shkruar sipas parimit të shqiptimit. Faleminderit për mirëkuptimin.