Suplementi Pena Shqiptare/ Tetori “Muaji i letërsisë”

816
Sigal

Muaji Tetor është cilësuar tradicionalisht si “Muaji i letërsisë”. E themi tradicionalisht, pasi është kthyer tashmë në një muaj festiv ku lexuesit dhe shkrimtarët takohen në veprimtari të artit të fjalës, në panaire librash ku vendin e nderit e zë pa dyshim poezia. Tetori është i shtenjtë për shqiptarët, sepse në muajin Tetor kanë lindur shkrimtarë të njohur të letërsisë shqipe si: Gjergj Fishta, Dritëro Agolli dhe Migjeni. Duke e nisur këtë trini të famshme po përmendim së pari; Gjergj Fishta, poetin, estetin, eseistin, dramaturgun dhe gjuhëtarin, françeskani që kryesoi Komisionin e Alfabetit në Kongresin e Manastirit, mori famë me “Lahutën e Malcisë”, i cilësuar si Homeri i Shqipërisë. Po në Shkodër dhe po në Tetor ka lindur edhe Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla). Shkrimtari që la pas një cikël poezish të frymëzuara, ku kënga, shpresa dhe revolta ngritën peshë lexuesin bashkëkohës dhe atë të çdo kohe. Ai u prezantua denjësisht me “Poemën e Mjerimit”, por po aq i suksesshëm edhe në lirika të shumta si dhe skica, tregime e novela e, u shua në moshën 27-vjeçare. Në një kohë tjetër, por po aq i njohur është edhe Dritëro Agolli. I lindur në të njëjtën datë me Migjenin, shkrimtari-politikan, cilësohet si një nga poetët më të mëdhenj të letërsisë moderne shqiptare. Edhe pse jetojmë në kohë moderne, libri mbetet mbi gjithçka. Muaji i letërsisë shpreh nderim për të gjithë shkrimtarët, që kanë dhënë dhe japin kontribute në literaturën shqiptare. ”Shkrimtarë të njohur kanë demonstruar risi në letërsinë shqiptare. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe po i kushtohet edhe letërsisë botërore, e cila është e pasur në ide, mendime dhe vlerësime.

Gjergj Fishta

Atdheut

N’ty mendoj kur agon drita,
kur bylbyli mallshëm kndon.
N’ty mendoj kur soset dita,
terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh un n’andërr!
Veç se ty, çuet, t’kam n’mendim;
Ndër t’vështira ti m’je qanderr.
Për ty i lehtë m’vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha e zalle,
unë kam pa, larg tue ba shtek,
e përgjova tjera valle,
n’tjera lule syu m’u rrek;

Por nji fushë ma e blerët nuk shtrohet.
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluet nji lum s’dikohet,
moj Shqypni, porsi i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon Prielli.
Janë ma t’kandshme stinë e mot.
N’ty bylbyli pa le dielli,
kndon ma ambel t’Madhit Zot.

Pa ty lules s’m’i vjen era!
Pa ty pema fryt nuk m’bjen!
Mue pa ty nuk m’del prendvera!
Pa ty dielli nuk m’shkëlxen!

Dersa t’mundem me ligjrue
e, sa gjall’ me frymë un jam!
Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
edhe n’vorr me t’përmendë kam.

 

Dritëro Agolli

Ora e gurit

Ky gur është ora që shekujt tregon tek e tek,
mbi fushen e tij me rrudha dheu,
Dikur shënoi:” katërmbëdhjetë shekuj e pesë vjet”,
kur lindi këtu Skëndërbeu.

Në dorë një orë sekondat, minutat dhe orët tregon.
Ky gur i bekuar rrëfen mes rrudhave shekujt,
tik-takun e tij, e dëgjon?
Shënon i rrepte shekujt, që rrjedhin nga mjegujt.

Ky gur është orë që askush s’e kurdis e s’e ngreh,
Vitet e shekujt rrëfen në çaste vyshkje e blerimi;
vetëm kur lind një tjetër i madh Skënderbe;
tik-taku i tij pushon një çikë në shenjë nderimi.

Migjeni

Dy buzë…

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë si tëpërgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur m’u njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e, në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjesë zemre më nxornë:
një pranverë të tanë më mornë
dhe gëzimin ma vodhnë…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.