Raporti i FMN, Meta rendit 11 rekomandimet: Sfidat kryesore për ekonominë e vendit janë të dyfishta. I kam bërë prezent përmes dekreteve

62
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaron se rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar të bëra tri ditë më parë, janë bërë prezent prej tij përmes dekreteve.

Kreu i Shtetit rendit 11 rekomandimet e FMN duke theksuar se sfidat kryesore për ekonominë e vendit janë të dyfishta.

Ai shkruan se të gjitha këto rekomandime të sugjeruara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar janë bërë prezent dhe nga Presidenti i Republikës, përmes Dekretet e Tij, për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të disa ligjeve.

DEKLARATA E PLOTË E PRESIDENTIT
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën e datës 12 tetor 2021, tërheq vëmendjen se sfidat kryesore për ekonominë e vendit janë të dyfishta:
📌 Së pari, investimi me efikasitet tek njerëzit dhe ekonomia, për të mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm të vendit;
📌 Së dyti, rindërtimi i hapësirës për manovrim të politikës fiskale, për të ulur defiçitin shumë të lartë fiskal dhe raportin e borxhit publik.
Për të adresuar këto sfida, sugjerimet e FMN, janë konkretisht:
📌 1. Një plan i besueshëm i rregullimit fiskal afatmesëm duhet të formulohet dhe të zbatohet duke filluar nga viti 2022, që duhet të përcaktojë zvogëlimin e defiçitit primar në rreth 2% të PBB-së në vitin 2022, si dhe të arrijë në mënyrë të qëndrueshme një balancë primare pozitive prej rreth 1.5% të PBB-së në vitin 2024.
📌 2. Në themel të rregullimit fiskal të besueshëm duhet të jetë një strategji e shëndetshme afatmesme të ardhurash, që zgjeron bazën tatimore dhe eleminon mundësitë për shmangie.
📌 3. Rritja e cilësisë dhe e transparencës së shpenzimeve publike kërkon transparencë mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve përfshirë këtu PPP-të, që po përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme.
📌 4. Investimet publike tejet ambicioze, që janë rritur me shpejtësi nga viti 2020, të financuara me burime të brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) duhet të moderohen duke pasur parasysh si kapacitetin e dobët të realizimit dhe efikasitetin e ulët të tyre.
📌 5. Mbështetja buxhetore duhet të orientohet më mirë tek personat, të cilët kanë më shumë nevojë, për ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe veҫanërisht për vaksinimin si dhe për të siguruar mbështetje për pjesën më në nevojë të shoqërisë, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë.
📌 6. Këshillohet të mos ndërmerren vendime në lidhje me amnisti tatimore ose përjashtime, apo iniciativave tatimore “ad hoc”, që shkojnë në drejtim të kundërt me strategjinë afatgjatë të Qeverisë për rritjen e të ardhurave tatimore.
📌 7. Ndryshimet, që lidhen me hartimin dhe zbatimin e Ligjit Organik të Buxhetit, duhet të bëhen vetëm përmes procedurave normale parlamentare dhe se përdorimi i Akteve Normative për të ndryshuar Buxhetin brenda vitit, përveç rrethanave emergjente duhet të ndërpriten.
📌 8. Një strategji rigoroze e menaxhimit të borxhit nevojitet për të udhëhequr vendimet e Qeverisë për huamarrjen e jashtme tregtare, që i nënshtrohet rrezikut të luhatjes së kursit të këmbimit.
📌 9. Rritja e shpejtë e stokut të PPP-ve, që pritet të arrijë në 50% të PBB-së në 2021, nga 33% në vitin 2018, kërkon dyfishimin e përpjekjeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike.
📌 10. Skemat e garancive për sektorin privat dhe mbështetja e ndërmarrjeve shtetërore, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe ujit, me garanci sovrane që po rriten, si dhe mbështetja e herëpashershme buxhetore gjithashtu i shtojnë risqet fiskale. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të rijetësohen reformat në sektorët e energjisë elektrike dhe të ujit, që janë vonuar në vitet e fundit.
📌 11. Më e rëndësishme, është që duhet të shtohen përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit, me qëllim që të minimizohen dobësitë, që burojnë nga korrupsioni, të rritjes së transparencës dhe konkurrueshmërisë.
Të gjitha këto rekomandime të sugjeruara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar janë bërë prezent dhe nga Presidenti i Republikës, përmes Dekretet e Tij, për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të këtyre ligjeve:
1. Dekretin nr. 11866, datë 11.12.2020 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021”.
2. Dekretin nr.13 179, dt 28.07.2021 për Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 86/2021 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 25, datë 22.6.2021, i Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
3. Dekret nr.13 186, dt 28.07.2021 për Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 87/2021 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 26, datë 22.6.2021, të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar”.