Suplementi Pena Shqiptare/ Sot 86-vjetori i lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare

303
Sigal

Sot 86-vjetori i Kadaresë, shkrimtarit brilant, që u frymëzua nga Makbethi në moshën 13-vjeçare

1960, manovra mbrojtëse e Enver Hoxhës pasi Kadare hodhi teza të reja për letërsinë e brezit të ri

  • – Në romanin “Qyteti pa reklama” sfidoi qëllimshëm rregullat e realizmit socialist
  • – Në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” injoroi realizmin socialist, hoqi heroin pozitiv dhe nuk përmendi Partinë
  • – Tek romani “Përbindëshi”, i cili ishte antidogmatiku u etiketua si dekadent dhe u ndalua
  • – Krijimtaria e tij anonte nga dekadenca dhe subjektivizmi dhe organet e Sigurimit e etiketuan “agjent i Perëndimit”

Përgatiti Albert Z. ZHOLI

Vendlindja dhe shkollimi

 Sot gjeniu i letrave shqipe mbush 86-vjeç. Një jetë e mbushur me vepra që koha i ka lartësuar. Kadareja i lind më 28 janar 1936 në Gjirokastër, në një familje qytetare, i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes nga familja Dobi.  Çifti do të kishte edhe dy fëmijë të tjerë, Shahinin dhe Kadrien. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Kur u vendos diktatura komuniste në Shqipëri, ai ishte vetëm 8 vjeç. Në moshën 12 vjeçare arrestohet nga regjimi i sapovendosur komunist nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur. Si ndëshkim, në shkollë iu thye nota e sjelljes nga pesë në tre. Më vonë do t’i përshkruante këto ndodhi në novelën Koha e parasë. Sipas Kadaresë qe skenar i mirëkalkuluar, në mënyrë që të goditej gjenerali Tahi Kadare. Në moshën 13 vjeçare zbuloi Makbethin, një ndër veprat e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista Pionieri në Tiranë. Më 1954 botoi një përmbledhje poetike të quajtur “Frymëzime djaloshare”.Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë “Mjegullat e Tiranës”, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve. Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, gjatë periudhës së zbutjes hrushoviane. Atje pati mundësi të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, e cila kishte filluar të përkthehej në rusisht. I zhgënjyer nga realizmi socialist mendon të lërë letërsinë krejtësisht. Detyrohet t’i braktisë studimet para kohe për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. U kthye në atdhe dhe nisi punë si gazetar dhe i mëshoi karrierës letrare

 Vitet ’60

 Ballafaqimi i brezit të ri dhe të vjetër (1960-1961). Përgjatë viteve ’50 dhe në fillimet e viteve ’60, Kadare ishte i njohur për poezi, kurse duke filluar nga vitet ’60 edhe për prozë. Rinia i pëlqente veprat e tij, për ta ai kishte diçka të re për të thënë. Ai hyri në rrethet e shkrimtarëve dhe kishte marrëdhënie të mira me figura letrare. Në vitin 1961 botoi edhe një vëllim poetik me titull “Shekulli im”. Ndërkaq qysh pas kthimit në Shqipëri filluan sulmet ndaj tij duke e akuzuar për dekadencë. Në atë periudhë pjesa më e madhe e shkrimtarëve i përkisnin brezit të dalë nga lufta. Konflikti mes tyre dhe brezit të ri që po dilte në skenë u shfrytëzua nga Enver Hoxha, i cili në vitin 1961 organizoi një mbledhje mes shkrimtarëve të dy brezave. Kadare që i përkiste brezit të ri mbrojti letërsinë e re dhe çuditërisht Hoxha këtu mori anën e të rinjve. Kjo manovër e Hoxhës ishte edhe goditje ndaj brezit të vjetër ish-partizan.

 

 Kalimi në prozë (1962-1965)

 Gjatë qëndrimit në Moskë kishte shkruar romanin “Qyteti pa reklama” duke sfiduar qëllimshëm rregullat e realizmit socialist. Për shkak të temës delikate të romanit, që bënte fjalë për studentë të shthurur e amoralë që arrijnë suksesin me anë të falsifikimeve, e që ishte në kundërshtim të plotë me frymën pozitive e heronjtë pozitivë që proklamonte realizmi socialist, romani mbeti pa u botuar.Këtë vepër ia tregoi një miku të tij, i cili e këshilloi që ta mbante të fshehur. Nga ky roman shkëputi një fragment, i cili u botua si novelë me titullin “Ditë kafenesh” më 1962 te “Zëri i Rinisë”. Sapo doli u ndalua.Në vitin 1962 e botoi tregimin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, të cilin më pas e zgjeroi, e bëri roman dhe e botoi të plotë në vitin 1963. Në roman kishte injoruar realizmin socialist, mungonte heroi pozitiv dhe nuk përmendej Partia. Ai u prit keq nga kritikët zyrtarë dhe u injorua. Romani pasues, “Përbindëshi”, i cili ishte antidogmatiku botua në revistën Nëntori, mirëpo menjëherë u etiketua si dekadent dhe u ndalua.Gjatë viteve ’60 në shkrimet e kritikës zyrtare kryesisht injorohet ose përmendet rrallë, në kontrast me shkrimtarët e mëdhenj të kohës të cilët kritika i pëlqente.

 Koha e Revolucionit Kulturor dhe më pas (1966-1969)

 Më 1966, Enver Hoxha filloi revolucionin kulturor shqiptar dhe si rrjedhojë artistët u dërguan nëpër qytete provinciale për të qenë “gju më gju me popullin”. Shkrimtarët dhe artistët u përballën edhe me indiferencë nga bota e jashtme demokratike, e cila nuk reagoi për persekutimin e tyre. Ata kuptuan se ishin të vetmuar përballë shtetit, i cili mund të bënte me ta çfarë të donte pa u bezdisur prej askujt.Kadare u dërgua në qytetin e Beratit ku qëndroi dy vjet si korrespodent i gazetës “Drita”, e ku u njoh me punëtorët e kombinatit të tekstilit. Në vitin 1967, Kadare u caktua në delegacionin e Lidhjes së Shkrimtarëve që u dërgua në Kinë, bashkë me disa delegacione të tjera. Në atë kohë Revolucioni Kulturor në Kinë ishte në kulm, ndërsa letërsia ndodhej në agoni. Shkrimtarë si Servantes dhe Shekspiri ishin të ndaluar. Përvojat e tij në Kinën komuniste do t’i trajtonte më vonë në veprën e tij. Pas Kinës, delegacioni i Kadaresë qëndroi dy javë në Vietnam, ku lufta ishte përshkallëzuar dhe bombardimet amerikane ishin në kulm. Ditën e fundit kur po kalonin lumin Mekong me një trap të madh i zuri bombardimi midis lumit.Duke marrë parasysh që dy nga veprat e tij tashmë ishin të ndaluara, kurse Gjenerali i ushtrisë së vdekur u prit ftohtë dhe nuk mundi ta ribotonte, ai kuptoi se në këtë situatë nuk guxonte të bënte më gabime. Për t’ua mbyllur gojën kritikëve të shumtë që e sulmonin për shmangien nga “temat aktuale” dhe mostrajtimin në veprat e tij të temës së “ndërtimit të socializmit”, Kadare vendosi ta shkruajë një roman me temë aktuale dhe që nuk binte ndesh me rregullat e realizmit socialist. Kështu shkroi pa dëshirën e tij romanin Lëkura e daulles, i cili u botua në vitin 1967 në revistën “Nëntori”, në kulmin e revolucionit kulturor. Kritika zyrtare e priti me entuziazëm dhe e cilësoi si një sukses në “riedukimin” e shkrimtarëve.Po të njëjtin vit u ribotua Gjenerali i ushtrisë së vdekur pas ca kompromiseve të vogla të cilat nuk e kënaqën kritikën zyrtare. Në atë kohë ai u përkthye dhe u botua në Bullgari dhe Jugosllavi, dy vende armike që konsideroheshin si “revizioniste”.

 Fillimet e suksesit ndërkombëtar (1970-1973)

 Në këtë kohë Kadare konsiderohej si shkrimtar i talentuar, por talenti i të cilit anonte kah dekadenca dhe subjektivizmi. Armiqtë e Kadaresë në organet e Sigurimit dhe garda e vjetër e Byrosë Politike e akuzonin atë vazhdimisht si “agjent i Perëndimit”, që ishte njëra prej akuzave më të rrezikshme që mund të bëhej asokohe

 Jeta mes Parisit dhe Tiranës

 Kadare ndan kohën mes Parisit dhe Tiranës. Në vitin 1996 u pranua në Akademinë e shkencave sociale dhe politike në Francë, ku zëvendësoi filozofin Karl Popper. Nga viti 1994 deri 2004 shtëpia botuese franceze Fayard botoi veprën komplete të Kadaresë në frëngjisht dhe shqip. Gjatë viteve të 90-ta ai ndihmoi botimin e shumë autorëve shqiptarë në Francë, qoftë duke ua sugjeruar botuesve francezë, qoftë duke ua shkruar parathëniet. Në vitet e 90-ta Kadare loboi për Kosovën dhe përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.Në vitin 1997 deklaroi se kishte hequr dorë nga shkrimi i poezive, kurse më 2011 deklaroi se kishte hequr dorë nga shkrimi i letërsisë artistike

 Poezi

 Kur ishte 17 vjeç shkroi poezi për vdekjen e Stalinit, ashtu si shkrimtarë të tjerë të kohës, gjë që sipas historianit Noel Malcolm ndihmoi në botimin e vëllimit të tij të parë titulluar Frymëzime djaloshare më 1954. Më pas do t’i botoheshin Ëndërrimet (1957), Shekulli im (1961) dhe më i çmuari Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976).ProzëIdeja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1970).  Në romanin Kronikë në gur (1971) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Ndër veprat më të njohura të Kadaresë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë: Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kështjella, Kronikë në gur, Ura me tri harqe, Kush e solli Doruntinën, Prilli i thyer, Dosja H, Pallati i ëndrrave, Piramida, Pasardhësi. Në vitet ’60 i çmuar realisht për talentin e tij, e përkrahën figura të tilla si Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami.Albanologia kineze Ke Jing u shpreh se shkrimtari ka retushuar disa nga veprat e tij. Në rastin e veprës “Kështjella” u shpreh se vepra që përshkruante luftën kundër osmanëve është shndërruar në një betejë fetare ku janë shtuar elementët kishtarë duke e paraqitur Shqipërinë sikur ka dhënë kontribut të madh në Mesjetë për mbrojtjen e Evropës. Sipas studiueses kjo gjë nuk mund të bëhej kur ka shkruar veprën, sepse nuk mund t’i jepej aq rëndësi elementit fetar.Konstatim i bërë edhe nga studiuesi i shkrimtarit, Shaban Sinani, që vëren se tek “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” personazhi e ka Ebu Qerimi në variantin e parë dhe Mark Alemi në variantin e dytë.

 Përkthime

 Një ndër fushat më pak të lakuara të veprimtarisë së Kadaresë janë përkthimet, hulli të cilën e nisi më 1955, kur shqipëroi poemat Lisi, Fëminija, Në pyllin afër fronit, Katjusha, Pranvera, etj. të shkrimtarit rus M. Isakovski. Autorë të tjerë të shqipëruar prej tij janë: Eskili, Heminguej, Pushkin, Majakovski, Eminescu, Gogol, Esenin, Mihallkov, Shçipaçov, Mickieviç, Buske, Sendrar, Bodler, Andrade, Vijon, Kejler, Seferis, Kavafis, Elitis, Li Bo, Du Fu, Jan Czjun, e

10 librat më të kërkuar nga lexuesit nga krijimtaria e Kadaresë

  1.  “Pallati i ëndrrave” nga Ismail Kadare

Pallati i Ëndrrave” është një nga romanet thelbësore të Ismail Kadaresë, me frymën e epikës, të cilën letërsia europiane e ka listuar mes veprave më të mira. Kjo vepër ka qenë nxitje që Kadare të përfshihet në listën e kandidaturave për çmimin “Nobel”. Ai do ta meritonte atë çmim edhe sikur të kishte shkruar vetëm “Pallati i Ëndrrave”, si hipotezë mbi historinë e vërtetë të viktimave të vrasjeve të mëdha ose mbi atë pagjumësi kolektive që perandoria otomane nuk mund të tolerojë. Si e tillë, ajo sot vazhdon të lexohet me ëndje dhe rrok një numër të madh interpretimesh nga lexuesit e ditëve tona.

2.“Kronikë në gur” nga Ismail Kadare

Ky roman shënon një nga veprat më të rëndësishme të autorit; sepse rrok raportin që fëmija krijon me botën, përmes një projeksioni autobiografik, ku qyteti i Gjirokastrës ka ngjyra magjike, të cilat vijnë mjeshtrisht në romanin e Kadaresë. “Kronikë në gur” afirmohet menjëherë si vepër thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Kadaresë. Është roman i hyrjes në jetë dhe në letërsi. Tregimtari është autori, që përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës tetë vitet e para të jetës së tij. Që nga kjo fëmijëri e kanë zanafillën elementet që përbëjnë “universin Kadare“. Ai fiton sensin e tij të mprehtë të fantastikes, apo të “realizmit magjik”.

  1. “Prilli i thyer” nga Ismail Kadare

Duke lexuar “Prillin e thyer” kuptohet lehtësisht përse dhe me çfarë force Ismail Kadare është pasionuar për tragjedinë dhe për dy përfaqësuesit më të shquar të saj, Shekspirin dhe Eskilin. “Miku, besa dhe gjakmarrja janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike, dhe të futesh në mekanizmin e tyre është të shikosh mundësinë e tragjedisë”. I shkruar më 1978 dhe i botuar fillimisht më 1980 në një përmbledhje tregimesh e novelash, të titulluar “Gjakftohtësia”, “Prilli i thyer” e pa dritën e botimit si libër më vete shumë vite më pas, pas rënies së komunizmit. I vetmi roman në qendër të të cilit shtjellohen ngjarje që lidhen me kodin zakonor shqiptar, një nga shenjat identifikuese më të moçme e të dallueshme të kombit, kjo vepër është një ndër më të njohurat e Kadaresë në planin botëror.

  1. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare

Është romani i parë modernist i shkruar gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX në Shqipëri. Kjo vepër e bëri njëherësh të njohur autorin dhe letërsinë shqipe në të gjithë botën dhe konsiderohet si vepra më e përkthyer në gjuhët e ndryshme të botës. Romani zhvillohet rreth një gjenerali italian, i cili është dërguar në Shqipëri për të gjetur eshtrat e ushtarëve të rënë italian gjatë kohës të pushtimit të Shqipërisë. Detyra kryesore e gjeneralit është kërkimi dhe gjetja e eshtrave të një koloneli, i cili u zhduk pa gjurmë në një fshat të vogël shqiptar.

  1. “Kështjella” nga Ismail Kadare

Në romanin “Kështjella” Ismail Kadare kthen sytë nga mesjeta shqiptare. Në dukje i distancuar dhe i paanshëm, ai rrok veprimet për rrethimin e një kështjelle shqiptare nga një ushtri turke prej shtatëdhjetë mijë vetash në formën e një romani historik. Rrëfimi bëhet nga perspektiva e rrethuesve osmanë, çadrat e bardha të të cilëve e kanë kthyer mjedisin përreth kështjellës në një peizazh dimëror.

  1. “Dimri i vetmisë së madhe” nga Ismail Kadare

Ky nuk është një roman politik i koniukturave, që tregon se si u zunë binjakët politikë, shoku Enver me shokun Nikita, por një analizë psikologjike e gjendjes së shqërisë gjatë periudhës totalitare, tepër e ngjashme me problemet tona. Ky roman provon se fuqia rrafshuese e realizmit socialist është e pamjaftueshme përpara një talenti, siç është shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.

  1. “Ura me tri harqe” nga Ismail Kadare

Në qendër të librit  gjendet një baladë, dhe ishte më e urtë të përqendrohej vëmendja mbi ndërtimin e ngrehinës e shfaqjen e njëkohshme të legjendës. Për t’ia arritur këtij qëllimi, Ismail Kadareja zgjedh tonin e kronikës dhe vë në punë një rrëfimtar të veçantë, murgun Gjon. Nën zhgunin e tij është fshehur një personazh i vërtetë.

  1. “Aksidenti” nga Ismail Kadare

Në një pasdite kryeqytetase, personazhi i këtij romani i propozon gruas së hijshme të porsanjohur diçka që do të dukej e papërfytyrueshme disa vite më parë, gjatë kohë së komunizmit: një udhëtim fundjavor në një qytet të Europës. Kështu ka filluar ngjarja e përshkruar në romanin “Aksidenti”, e para vepër e autorit që, përpara se të botohej në shqip, është përkthyer e botuar ndërkaq në disa vende të Europës.

  1. “Kristal” nga Ismail Kadare

Botimi i librit poetik “Ca pika shiu ranë mbi qelq” të Kadaresë, zgjoi një interes të madh te lexuesi shqiptar. Në përgjigje të kërkesave të shumta të fansave të poezisë, shtëpia botuese “Onufri” po i jep lexuesit një tjetër përmbledhje të poetit, këtë herë me 60 poezi dhe poema të zgjedhura, asnjëra prej të cilave nuk përfshihet në librin e mëparshëm. Ansambli prej njëqind poezish që përmbajnë këto dy libra, përfaqëson pjesën më të mirë të krejt krijimtarisë poetike gati gjysmëshekullore të Kadaresë.

  1. “Mosmarrëveshja” nga Ismail Kadare

Harmonia me Europën e Bashkuar do të ishte pjesë e harmonisë ndërshqiptare. E për t’iu kthyer motivit nismëtar të kësaj sprove, mosmarrëveshja e mundshme mes Europës dhe Shqipërisë, do të ishte në thelb mosmarrëveshje me vetveten. Harmonia me Europën e Bashkuar do të ishte pjesë e harmonisë ndërshqiptare. E për t’iu kthyer motivit nismëtar të kësaj sprove, mosmarrëveshja e mundshme mes Europës dhe Shqipërisë, do të ishte në thelb mosmarrëveshje me vetveten. Shqiptarët me shenjat e tyre, flamurin dhe himnin, do të aviteshin me drojë te sheshi i kombeve, përballë flamurit dhe himnit të Europës, muzikës së Bethovenit dhe fjalëve të Schiller-it për vëllazërimin e popujve, me tagrin për të dhënë zërin dhe arsyet e Shqipërisë.

Veprat e Kadarese:

Frymëzime djaloshare – 1954
Shekulli im – ( 1961 )
Gjenerali i ushtrisë së vdekur – roman- 1963
Përse mendohen këto male – 1964
Dasma – 1968
Motive me diell – (1968)
Kështjella – roman – 1970
Kronikë në gur – roman – 1971
Koha ( 1976 )
Dimri i madh – roman – 1977
Ura me tri harqe – 1978
Prilli i thyer – 1980
Gjakftohtësia – përmbledhje novelash – 1980
Koha e shkrimeve – 1986
Koncert në fund të dimrit – 1988
Vepra Letrare – 1981 – 1989
Dosja H – 1990
Piramida – 1992
Shqipëri – 1995
Pallati i ëndrrave – 1996
Dialog me Alain Bosquet – 1996
Spiritus – roman- 1996
Kushëriri i engjëjve – ese- 1997
Poezi – 1997
Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë – ese- 1998
Tri këngë zie për Kosovën – triptik – 1998
Ikja e shtërgut – tregim – 1999
Qorrfermani – roman – 1999
Vjedhja e gjumit mbretëror – tregime – 1999
Ra ky mort e u pamë – ditar për Kosovën, artikuj, letra – 2000
Kohë barbare (Nga Shqipëria në Kosovë) – biseda – 2000
Breznitë e Hankonatëve – 2000
Vajza e Agamemnonit – 2000
Bisedë përmes hekurash – 2000
Elegji për Kosovën – 2000
Lulet e ftohta të marsit – roman – 2000
Unaza në kthetra – 2001
Eskili, ky humbës i madh – 2001 (ribotim)
Qyteti pa reklama – roman – 2001
Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut – roman – 2002
Pasardhësi – roman – 2004
Shkaba – 2004
Identiteti evropian i shqiptarëve – 2006
Hamleti, princi i vështirë – Sprovë – 2006
Spiritus – 2007
Çështje të marrëzisë
Poshtërimi në Ballkan
Muzgu i perëndive të stepës –