Bledar Dervishaj: Vipat e PPP-ve marrin arratinë

131
Sigal

Parakods i madh kjo puna e shpalljes në kërkim ndërkombëtar

Biznesmenë që kur duan të hyjnë në partneritet publik privat me shtetin (PPP), shfaqen si sipërmarrës të “suksesshëm” që bëjnë propozime të *pakërkuara*, gjëmojnë nëpër zyra shteti për tu regjistruar si subjekt, dhe pastaj në bankë për të hapur numër llogarie. Krejt nga hiçi bëhen “biznes vip”.Pastaj pushteti qendror dhe vendor shkulet i gjithi në funksion të tyre. Brenda ditës firmosen kontrata, jepen miratime, miratohen lum VKM-sh, ministrat shkojnë kudo dhe pa përtesë për të firmosur letra me ta. Thua ti shyqyr që u ka ardhur në derë biznese shpëtimtarë të buxhetit dhe të punëve publike. Pastaj paratë publike vërshojnë lumë dhe pa pushim në llogaritë e këtyre palo bizneseve që nuk bëjnë asgjë dhe marrin gjithçka.Ndërkohë kur kjo pjesa tjetër e shtetit i kërkon për të dhënë ndonjë shpjegim, psh: se sa i zoti je?, çfarë je në gjëndje të bësh?, çfarë ke bërë?, se çfarë shokësh ke? po ku i ke? sa punëtorë ke patiur apo ke? kush ti dha këto ide brilante që ke propozuar?  etj, etj, këta “biznesmenë” hop i shikon të trazuar, të allakatur, me letra nëpër duar palosur keq, duket që kanë hall. Pastaj zhduken pa adresë, nuk gjenden, dhe shteti hop i shpall në kërkim ndërkombëtar, pooooor nuk harron të vazhdojë t’i paguajë. Shteti e kap lepurin me qerre thonë. Inshallah dhe qerrja nuk është dhënë me koncesion. Turp!