Nga Mevlan Shanaj
Para disa vitesh ishte një grup flamingosh në liqenin e Pogradecit. Këtë vit ka rreth 10 ditë është vetëm një flamingo që rri pothuajse në të njëjtin vend. Ditën e parë kujtova se ishte shkëputur nga tufëza, duke e parë çdo ditë të vetmuar, fillova të mendoj se çfarë do të ketë ndodhur ! Përse është i vetmuar? Të jetë rebeluar?! Më duket ende i vogël! Ta kenë braktisur?! Çfarë mëkati do të ketë bërë kjo qënie kaq e trishtuar, që po thuaj as duket të lëvizi pa le të provojë fluturimin. Rreth 10 ditë rreth e rrotull më duket se përdor për të lëvizur jo më shumë se dy metra ?! Të ketë humbur?! Apo është i dënuar me vetminë?! Sonte në muzg ishte po aty, duke çukitur ujin. Nuk di ku e zë nata, ku strehohet, apo nuk i largohet liqenit!? Po si ka mundësi nuk lodhet me ato dy këmbët e holla gati si lejleku?!
Një persiatje për biologët. Nuk u bëra kurioz për fiziologjinë e flamingove, di që në grup fluturojnë ose qëndrojnë së bashku shumë bukur. Po ky as fluturon as vrapon, as ecën, qëndron me këmbët në tokë. Nuk u lodha fare duke menduar këtë pasdite për flamingon e vetmuar! Mendoj se një ditë do i bashkohet tufës. Ai nuk banon këtu. Është vetëm vizitor. Askush nuk ia di hallin! Dëgjoj ata që shëtisin dhe më duket sikur po bëj “copy paste” për ato që thonë.




















